Letrat e Presidentit

Opinione

Letrat e Presidentit

Nga: Fadil Lepaja Më: 15 prill 2020 Në ora: 15:10
Fadil Lepaja

Shtëpia po “digjet”, e Presidenti po shkruan letra. Kryeministrit. Nuk i shkruan për të u koordinuar rreth pandemisë, por për qeverinë. Qeveria në detyrë nuk mundet , sipas tij të menaxhojë këtë krizë.

Pasi e inicioi dhe me shumë gjasë e organizoi rrëzimin e qeverisë së koalicionit reformator, vetëm 51 ditë pas emërimit të saj, presidenti po ankohet se ajo, “ashtu e rrëzuar” nuk e menaxhon dot krizën.

Pra, kohëve të fundit po i dërgon letra, Albinit. Prej konferencave në shtyp, ka kaluar në komunikim me letra. Po e lutë për një emër, për mandatarë tjetër. Gati sa nuk po i thotë “mos më detyro me e shkelë (sërish) kushtetutën”.

Duket se gjithkush dhe çdo koalicion tjetër është i pranueshëm për presidentin, përpos kryeministrit në detyrë, i cili edhe përkundër ngutisë së Presidentit nuk duket se e ka marrë me prioritet shqetësimin e tij. Shqetësimi i tij duken të jenë pandemia dhe qytetarët. Pandemia i ka çoroditur rolet. Kryeministri dhe qeveria në detyrë po përpiqen të i mbajnë në distancë nga njëri tjetri dhe të i izolojnë, ndërkaq Presidenti të kundërtën. Protagonizmi presidencial përballë punës së pandalur qeveritare.

Është e qartë për gjithkë se marrëdhënien mes tyre e karakterizon ndonjë simpati të madhe njerëzore apo edhe politike, madje as me ndonjë respekt reciprok, publik, madje as minimal. Në raste të tilla, kur detyroheshin të komunikojnë apo edhe të takohen, ata e kanë shfrytëzuar rastin të shprehin mosdurimin e tyre, dhe kanë shprehur gatishmërinë të takohen dhe komunikojnë vetëm për aq sa i obligon kushtetuta dhe ligji.

Në vitet e fundit, u ka rënë të jenë protagonistë të një lufte për (pu)shtet e cila lë idenë se mund të kryhet vetëm me rënien përfundimtare të njërit prej tyre nga skena politike. Aq i thellë duket mosdurimi edhe pse me shumë gjasë kjo nuk është aspak personale, por ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe fatin e politikave që përfaqësojnë, dhe interesave që qëndrojnë prapa tyre.

Përderisa kryeministri nuk duket i gatshëm të bëjë kompromise me z. Thaçi, dhe grupin e tij, sa u përket çështjeve të brendshme, Presidenti duket se do të bënte kompromis. Ajo ku asnjëri nuk munden gjithsesi të bëjnë kompromise, e sidomos Presidenti, ka të bëjë me udhëheqjen e dialogut me Serbinë, të cilin ai e sheh sikur kurorën e artë mbi kokën e tij, tashmë të thinjur politike.

Kryeministri në detyrë, Kurti e ka deklaruar tashmë vendimin që ai të jetë, si kryeministër, udhëheqësi i dialogut, dhe me këtë renditje, fill pas vetes, si të dytin e ka renditur presidentin Thaçi, në listën të cilën ai e ka dërguar edhe zyrtarisht, të personaliteteve dhe përgjegjësve që do të marrin pjesë në dialogun me fqiun veriorë, i cili edhe 20 vite pas lufte po vazhdon të pretendojë mbi Kosovën.

Në planin e brendshëm, për Kurtin, presidenti Thaçi është simbol dhe drejtuesi i vërtetë i shtetit të kapur dhe të korruptuar të Kosovës, në bashkëpunim me krimin vendorë dhe ndërkombëtar, ndërkaq për presidentin Kurti është një person i etur për pushtet dhe autoritar. Po të mos kishte lëvizur shpejt me veprimet për shkapjen e shtetit, si e quan ai, ndoshta edhe taktika e Presidentit do të ishte më pak agresive, por shkarkimet e bordeve ishin një goditje shumë e fortë, dhe “shkapëse”, sa Kryeministri në detyrë i dha presidentit një rezultat të cilin ai nuk e kishte arritur asnjëherë më parë, të mbledh dy të tretat e deputetëve në anën e vet, dhe të rrëzojë kështu qeverinë e tij reformatore.

Pavarësisht se si erdhi në krye të shtetit, për mënyrën e parregullt, të zgjedhjes, përmes presionit në rrugë, gjithsesi mbetet fakt i pamohueshëm, se që nga atëherë presidenti i ndejti në shalë “kalit” të çmendur të pushtetit, përkundër përpjekjeve të pareshtura, të gjitha kombinimeve opozitare për ta zbritur. Opozita, patriotike dhe qytetare, donin shkarkimin e Presidentit për shkak të bisedimeve të tij të fshehta me presidentin e Serbisë, e me gjasë edhe me shërbimet e mira të kryeministrit Shqiptar, Rama. Ky trekëndësh, (gjeo) politik, gjithsesi i koordinuar edhe me Moskën dhe Ankaranë zyrtare, tashmë ka arritur që përmes lobimit të imponoj idenë e marrëveshjes përfundimtare , përmes shkëmbimeve të domosdoshme territoriale edhe në Washington, edhe pse kjo duket se asnjëherë nuk është shtruar në nivelet më të larta dhe në takime zyrtare, por vetëm përmes aktiviteteve lobiste është bërë e ditur se palët kanë një projekt marrëveshje e cila mund të realizohet me mbështetjen e SHBA.

Kjo projekt marrëveshje, jo-ekzistuese sipas palëve, ndërsa e panjohur për administratën e SHBA, sipas deklaratave të zyrtarëve të lartë, mund të realizohet vetëm në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, kur institucionet demokratike janë të pezulluara përkohësisht dhe pushteti do të u kalonte dy nënshkruesve të ardhshëm , të marrëveshjes dhe atyre që do të kujdeseshin përjetësimin e saj.

Lufta pro dhe kundër gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, e cila siç e dimë, nuk ka ushtri të pranuar ndërkombëtarisht dhe nuk ka autorizime formale të futet në veri për të menaxhuar krizën, në fakt është luftë për udhëheqjen e dialogut, grabitje përmes një rruge kushtetuese i udhëheqjes dhe jetësimi i kësaj marrëveshje (jo)ekzistuese.

Ndërkohë, letrat e presidentit ska kush t’i lexojë. Janë zënë me Pandeminë. Shpejtë priten edhe emisarët evropian, te kryeministri. Merkel dhe Macron po e marrin iniciativën dhe po i japin edhe një shans kryeministrit në detyrë. Por, Presidentit nuk i pritet. Ai po e do një qeveri, e cila e pranon udhëheqjen e dialogut nga Presidenti. Për këtë Kurti është pengesë e (pa)kapërcyeshme. A është? Qytetarët janë në shtëpi. Çka na sjellin emisarët e Evropës?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat