Fisnikëria politike në kohë pandemie

Opinione

Fisnikëria politike në kohë pandemie

Nga: Flamur Radoniqi Më: 18 prill 2020 Në ora: 08:24
Ilustrim

Tash e 21 vjet më parë, shumë prej nesh i kemi përjetuar orët, ditët dhe javët më të vështira të jetës sonë. Kuptohet, kjo nuk i përjashton pleqtë tanë që kanë përjetuar edhe Luftën e Dytë botërore, përkundrazi vitet 1997-1999 ishin edhe një rikujtim për ata se më e keqja ishte e paevitueshme.

Vendi po digjej e po zbrazej në të njëjtin ritëm.

Kaluam nëpër ferr ne shqiptarët e Kosovës dhe ferri si i tillë nuk mund të kishte përfundim tjetër pos atij tragjik. Mbi një milion të shpërngulur dhe të dëbuar jashtë kufinjëve të Kosovës, shumë të vrarë e poashtu shumë të zhdukur.

Kosova që e njihnim dikur u zhduk para syve tanë.

Kur Serbia u dëbua nga Kosova me ndihmën e përbashkët UÇK-NATO, shumë prej nesh menduam që terrorit fizik i erdhi fundi, çka edhe është e vërtetë. Por, pak kush kishte menduar që do të vijë dita kur të gjithë ne, kolektivisht, do të jemi të nënshtruar ndaj një terrori psiqik që do të pasonte në vitet në vijim.

Kësaj rradhe jo nga Serbia, por nga nga vet ne.

20 vjet pas çlirimit, poaq vjet qeverisje të njëpasnjëshme të një aleance LDK-“krahu i luftës”, populli zgjodhi një alternativë tjetër - shpresën.

Shpresën që pas 20 viteve të keqmenaxhimit të shtetit, populli vendosi që LVV dhe LDK do të munden që, më në fund, të nxerrin shtetin nga humnera në të cilën u gjend shteti në të gjitha lamitë: Arsimi, Shëndetësia, Ekonomi dhe, mbi të gjitha, kualiteti i jetës së qytetarit të Kosovës.

Pas skandaleve të njëpasnjëshme të qeverive të kaluara, populli vendosi të dëgjojë zërin e arsyes, zërin i cili më së shumti mëshirohej me vet popullin - zërin e LVV. Sigurisht që jo të gjithë votuesit mendonin njëjtë dhe mirë që ishte ashtu, sepse as LVV nuk do të dëshironte të ishte ashtu.

Politikat e LDK, PDK dhe AAK kanë krijuar edhe bazën e tyre elektorale e cila, edhe pse nuk fitoi zgjedhjet, prap e ka vlerën e vet qoftë edhe në opozitarizëm parlamentar.

Kjo do të thoshte që LVV doemos do të duhej të bënte koalicion me një parti për qeverisje të përbashkët. Dhe kjo ishte gjë e mirë, sidomos pas dy viteve bashkëpunimi platonik me LDK-në e cila dukej se ishte larguar nga aventurat e rrezikshme me PAN-in të cilat përfunduan me goditje të njëpasnjëshme të cilat ata i pësuan mu nga PDK-ja e Hashim Thaçit. LDK e cila nën slloganin BESO. vendosi që është koha t’u besojë të rinjëve një rol më aktiv dhe udhëheqës për partinë, por edhe shtetin. Së paku ashtu dukej.

 

Ajo që ndodhi pas zgjedhjeve, dhe sidomos në kohët e fundit para mocionit të mosbesimit, ishte gjithçka përpos BESO. në të rinjët e LDK-së.

Në sipërfaqe dolën ata të cilët ishin kreatorë të çdo marrëveshje me PAN gjatë qeverisjeve të kaluara, të cilët gradualisht u morrën zërin të rinjëve të tyre. Po atyre të rinjëve të cilët nuk ngurruan ta përfaqësojnë subjektin e tyre politik në çdo tubim e çdo debat. Deri sa nuk u deshtën më nga të fuqishmit e partisë.

Ajo çka kishte filluar me kundërshtim publik të koalicionit me LVV nga njëri prej të fuqishmive të LDK-së, ishte rritur në përmasa ku po ai njeri hapur kundërshtonte, apo rezistonte një progres të koalicionit të shpresës. Ai koalicion ishte formuar nga ambiciet e njëjta, por për njërën palë ato duket se ishin veç se një kamuflazhë politike për të fshehur atë që do të pësonte më vonë - mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së cilës i takonin edhe vet ata.

Pas refuzimit të koalicionit parazgjedhor dhe paszgjedhor, duke u fshehur pas sondazheve që thoshin se ata janë partia më e madhe; duke u fshehur pas nevojës së numërimeve dhe rinumërimeve maratonike të votave dhe në fund pas kërkesës së postit të Presidentit për “barazimin e votës së sovranit”, LDK duke e parë vendosshmërinë e LVV për ndryshim të domosdoshëm, si duket vendosën që të hyjnë në një rrugë të paramenduar dhe planifikuar mirë.

Ata nënshkruan koalicionin me LVV, por kurrë nuk e tejkaluan faktin që ata ishin të dytë në zgjedhje. Inistimet e parreshtura se ata ishin subjekt i njëjtë pas zgjedhjeve, kishin nën sipërfaqe një motiv tjetër. Ky motiv u kuptua në pak ditë para 25 Marsit kur ata inicuan mocionin për mosbesim.

LDK vendosi të injorojë pandeminë dhe vështirësitë e tjera me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe në mendjen e tyre ky ishte momenti i duhur që ata t’i revanshohen LVV për ato që ata i kishin bërë vite me parë gjatë rezistencës së tyre kundër votimit parlamentar për ta ratifikuar marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe.

Këtë e tha vet Isa Mustafa në postimin e tij në Facebook, edhe pse ai e tha atë në një mënyrë që të kuptohej se ato akcione ishin kundër “atij personalisht dhe vlerave të LDK”, por ne e dimë që nuk ishte ashtu.

Ajo hakmarrje, e veshur me petkun e arsyes “për nënçmim të LDK dhe nën-kryetarit të saj”, ishte në sinkronizim të plotë me veprimet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ajo hakmarrje ishte e menduar dhe planifikuar më herët dhe që vërtetohet me deklaratat e hershme të Avdullah Hotit, Skender Hysenit, inçizimet e Agim Veliut, postimeve të vet Isa Mustafës, të cilat ishin çdo gjë tjetër përpos fisnikëri politike që kërkon bashkëpunim të sinqertë dhe të parezervë të koalicionit.

Po, Agim Veliu u shkarkua dhe këtë vendim e morri vet shefi i qeverisë. Si në çdo kompani private apo publike, suksesin dhe dështimet e kompanisë bijnë mbi supet e udhëheqësisë të cilët bëjnë çmos t’i evitojnë dështimet. Qoftë edhe nëse duhen të bëjnë ndërrime të domosdoshme si pasojë e performancave të dobëta. Ky standard ekziston kudo në botë, e pse jo edhe te ne, qoftë ai edhe ndaj një nën-kryetari itë një partie?

Mungesa e fisnikërisë politike dhe pamundësia që të tejkalohet ndjenja e një disfate politike, afiniteti hakmarrës dhe në fund, braktisja e premtimeve elektorale nga ana e LDK-së, bëri që ne t’i nënshtrohemi një terrori psikologjik i cili kam frikë veç sa do ta thellojë humnerën politike në shtet. Ata braktisën më shumë se premtimet elektorale. LDK braktisi shpresën që e promovuan vet, e që u vërtetua të ketë qenë vetëm një maskim sa për të fituar zgjedhjet.

 

Sot, ata janë shfrenuar në sulmet e tyre të njëpasnjëshme jo vetëm ndaj ish partnerit të koalicionit qeverisës, por edhe ndaj pishtarës së tyre e cila e bëri suksesin e LDK-së relevant.

 

Maskat ranë. Tash nuk mund të fshehen prapa ndonjë premtimi elektoral sepse po i refuzojnë zgjedhjet. Tani po mundohen që bashkarisht, si nyja kyçe e PLAN, ta bastardojnë vullnetin e popullit dhe sidomos votuesve të tyre, për të mbijetuar në politikë.

PLAN-i, më në fund, aktivizoi të gjithë arsenalin e instaluar në vende e pozita të ndryshme gjatë 20 viteve të qeverisjes së tyre. Avokatë, gazetarë e analistë, ish partiakët e tyre, biznismenët dhe të përzgjedhurit e tenderëve, radio e televizione, gazeta e mediume sociale; sot janë në “full force” kundër Albin Kurtit dhe premtimit të tij elektoral - luftimin e korrupsionit dhe çkapjen e shtetit.

Nga “anti-amerikanizmi” e deri te rikthimi e kujtesës së tyre se aleanca historike me SHBA-në nuk mund të prishet, ky arsenal nuk po kursen mënyra për të devijuar njeriun i cili e vërtetoi se është i pashantazhueshëm dhe i pakorruptueshëm. Një njeri i tillë nuk sulmohet nga njerëzit me bindje të njëjta si ai, përkundrazi.

Dhe mu ky fakt do të qëndrojë gjatë si vdekje e asaj fisnikërie politike e cila do të duhej të reflektonte ndaj gabimeve të tyre 20 vjeçare dhe të lejojë, nëse jo ta ndihmojë, fituesin legjitim që ta vazhdojë programin elektoral.

Kjo nuk ndodhi.

Nëse pyeteni pse, krejt çka mund të them është se ata që për 20 vite e çmontuan dinjitetin shtetëror e qytetar, sot akuzojnë një spektër tjetër politik se po e rrezikon shtetin, vetëm për 50 ditë sa ishte në qeveri.

Disa gjëra nuk besohen, pohimet e PLAN-it thjeshtë nuk pijnë ujë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat