Edhe këtë tronditje do ta kalojmë

Opinione

Edhe këtë tronditje do ta kalojmë

Nga: Zymer Mehani Më: 18 prill 2020 Në ora: 18:52
Zymer Mehani

Në këtë kohë pandemie jemi duke kaluar një tronditje thuajse globale. Si mund të bëhemi të fortë dhe të krijojmë besim të plotë tek institucionet tona shtetërore apo më mirë të themi te prijësit e tyre, te partitë e majta, të djathta apo të larme, që mu në çastet më të rënda për popullin tonë, gjetën shkas për t'u rebeluar duke e shkarkuar edhe qeverinë e vendit?!...

Çdonjëri që ka pak mend në kokë e di se është më mirë ta kesh një qeveri sado e dobët të jetë ajo sesa, në këtë kohë të rrezikshme të mbetemi pa asfarë qeverie, kur nëpër dyert tona përditë po troket vdekja e zezë si shkak i sëmundjes Covid 19.

Dijetarët kanë thënë se vdekja është hiçgjë ose është gjithçka. Tek e fundit ajo nuk është fundi i të keqes, por e keqja më e madhe është kur mbetemi si popull në kurth të një zënke tekanjoze grupacionesh, partish a individësh të papërgjegjshëm, mu në kohën e rrezikut më të madh.

Çdo orvatje për t'i arsyetuar këto veprime e hapa të pamatur të udhëheqësve tanë është e kotë, ngase kur bota përparimtare e tëra natë e ditë u bën thirrje njerëzve që ta ruajnë distancën sociale dhe t'u shmangen kontakteve me të tjerët duke qëndruar nëpër shtëpitë e veta për ta evituar infektimin me koronavirusin vdekjeprurës, tek ne ndodh paradoksi, sepse pa pikë ndërgjegjeje, mu në mes të Prishtinës dëgjohen zëra udhëheqësish të rangut të lartë, siç është predidenti i shtetit, që në njëfarë mënyre fton për mosdëgjueshmëri qytetare. Kjo do të thotë që ne të dalim dhe të bredhim poshtë e lart gjersa të ndeshemi me virusin jetëmarrës!... Kjo i bie si të vallëzosh në një fushë të minuar, ku nga çasti në çast vetëm një hap i gabueshëm mund të të çojë në ajër.

Populli ka nevojë për mendjendriturit, por jo për tekanjozë e hipokritë. Jemi në situatë të rëndë, prandaj politika është e rendit të fundit.

Njeriu nga vetë natyra e tij është kërkues dhe mohues njëkohësisht. Ai me t'u ndodhur përballë të keqes, së pari do t'i drejtohet qiellit (Zotit) dhe pastaj menjëherë edhe institucioneve shtetërore duke kërkuar kurajë dhe ndihmë morale dhe materiale prej tyre për tejkalim të situatave të rënda të shoqëruara me humbje, dhimbë e vdekje.

Ne shpesh jemi thyer në gjunjë nga vdekja mizore, por prore kemi ngadhnjyer kundrejt saj. Por kurrë nuk duhet të thyhemi në gjunjë nga veprimet e pamatura të udhëheqësve të institucioneve tona. Përkundrazi ato duhet t'i shohim si mbështetëse dhe mburojë gjatë situatave të rënda.

A e ruajtën imazhin e tyre këto institucione dhe këta udhëheqës?

Kësaj here përgjigjja është JO.

Më duhet ta pranoj se nuk është aspak e lehtë të thuash diç të vlefshme e të kthjellët për udhëheqësit tanë shtetërorë në këtë kohë të përmjegullt pandemie.

Dëshiroj t'i shpreh mirënjohje popullit tim i cili si gjithmonë, në situata të jashtëzakonshme, edhe kësaj radhe po tregon se ka shpirt të jashtëzakonshëm.

Ju përshëndes me thirrjen RRINI N'SHPI!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat