Nuk është thjesht delir! Komandanti i ferrit bën llogari elektorale në kohë pandemie!

Opinione

Nuk është thjesht delir! Komandanti i ferrit bën llogari elektorale në kohë pandemie!

Nga: Enver Bytyçi Më: 18 prill 2020 Në ora: 22:31
Enver Bytyçi

“Komandanti i luftës” lajmëroi përmes tellallëve të shumtë mediatikë, se këtë të shtunë pensionistët do dalin për ajrim. Dhe ushtria e pensionistëve u shfaq gjatë kohës së shëtitjes së tyre e kënaqur dhe falënderuese ndaj urdhrit të kryeministrit të shndërruar në një komandant burgu. Ekranet e televizioneve u mbushën me kronika pa fund, ku Edi Rama paraqitet si “bamirësi e famshëm me skena ajrimi”. Ndërsa të dielën do të shfaqet e njëjta skemë me gratë, të cilat komandanti i ferrit i ka ftuar të dalin në bulevard e parqe dhe me fëmijët nën dhjetë vjeç për dore.

Më tej “komandanti i luftës” caktoi vendin se ku duhet të ulet pasagjeri i dytë në një automjet lëvizës me leje një javore. Është ai që cakton orën e daljes dhe orën e kthimit në burgun e madh karantinë. Është kryeministri ai që përcakton individualisht për secilin shqiptar, nëse do të financohet ose jo, kur Fevziut i thotë se “Ky personi që ju shkruan ju më ka shkruar dhe mua dhe e ka marrë përgjigjen”! Eshtë pikërisht ai që urdhëron vendosjen ose heqjen e gjobave dhe dënimeve që vendos policia e shtetit. Me një lëvizje të gishtit ai ta merr patentën dhe të çon së paku 72 orë në çeli. Por pasi mijëra të dënuar të jenë falur me qese në dorë para komandantëve të policisë.

Dhe e gjitha kjo me një strategji, e cila na serviret si “bamirësi”, “kujdes i babait të kombit” për bashkëkombësit e tij, si “sakrificë hyjnore e udhëheqësit shpirtëror të shqiptarëve”. Strategjia është t’i vendosë njerëzit në rresht, si në një repart ushtarak, duke përdorur shtëpinë-burg dhe përmes kësaj metode, kur të lajmërojë masat lehtësuese njerëzia të thërrasin “Rroftë Mbreti”! Të tilla metoda janë të njohura në botë dhe kanë funksionuar shumicën e rasteve. Varet kjo nëse qytetarët të kenë nxjerrë mësime ose jo nga praktikat mashtruese të qeverisjes së tij shtatëvjeçare!

Duke pranuar publikisht protagonizmin në këtë kohë murtaje kryeministri shqiptar e pranon gjithashtu faktin se ai është shteti, se ai mban në dorë gjithçka dhe dikton jetën si dhe liritë qytetare në këtë vend në kundërshtim me parimet themelore të kushtetutës, si ndarja e pushteteve, barazia para ligjit, respektimi i të drejtave themelore të njeriut, respektimi i pronës qytetare etj. Gjithçka është kthyer përmbys me synim ngritjen e kultit të individit në formën staliniste dhe enveriste. Shumë shqiptarë anë të gatshëm të heqin dorë nga liria e tyre, me qëllim që të kënaqin delirin e udhëheqësit suprem!

Po pse i duhet Edi Ramës krijimi i këtij kulti? Për arsye emocionale, politike dhe elektorale. Nga pikëpamja emocionale kryeministri i Shqipërisë plotëson një ëndërr fëminore, ta shohë veten si xhaxhi midis turmave i duartrokitur dhe i lavdëruar. Nga pikëpamja politike të rikuperojë deficitin politik që i kanë shkaktuar skandalet e shumta gjatë qeverisjes së tij në këto 7 vite. Nga pikëpamja elektorale, për të rikthyer në mbështetje të rilindjes sa më shumë injorantë, të cilët mund të besojnë se Rama u bë në këtë pandemi “shpëtimtari i shqiptarëve”!

Në fakt Ramës i duhet që sa më shpejt të kapitalizojë atë që ai e quan “sukses i menaxhimit të situatës së krijuar nga Covid-19”! Që do të thotë se ai po e çon vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ai llogarit se në këtë periudhë do të ketë më shumë shanse për fitoren e një mandati tjetër. Ndërkaq është i vetëdijshëm se nëse zgjedhjet bëhen pas një viti, rrënimi ekonomik i vendit do të mjaftonte që ai të shkulej jo vetëm nga qeverisja, por edhe nga politika.
Edhe formalisht duket se veprimet e tij ngjajnë me sjelljet në një fushatë elektorale. Faraoni, pas 40 ditësh izolim, josh pensionistët, pastaj gratë, nesër studentët dhe rininë, pasnesër gjimnazistët me të “të drejtën” për të marrë frymë, për t’u ajrosur. Nuk do të ndalet me format e tjera të shitblerjes së votës, por po përpiqet që qytetarëve shqiptarë t’u shesë ajrin në këmbim të votës.

Ndaj dhe opozita nuk duhet të gjendet në befasi. Nga fundi i muajit maj komandanti i burgut të madh të shqiptarëve do të shpallë heqjen e gjendjes së emergjencës dhe mund të kërkojë votëbesimin në parlament. Deputetët majmunë me kallash në dorë do ta votojnë me 2/3 rrëzimin e qeverisë e për pasoje në 45 ditë faraoni i dytë do t’i çojë shqiptarët në kutitë e votimit. Nuk mund ta presë 2021-tën, sepse atëherë do ia ketë bërë gropën ekonomia e rrënuar. Prandaj do të shpejtojë, duke kujtuar Korenë e Jugut dhe rezultatin e zgjedhjeve në këtë vend aziatik menjëherë pas kapërcimit të periudhës së karantinës.

Edi Rama jeton në ekstazë, në delir, edhe kur mburret, edhe kur shan, sulmon dhe denigron kundërshtarët e politikave të tij destruktive në këtë vend. Ndaj dhe ka përqendruar gjithçka në duart e tij. Por nuk është vetëm deliri. Ai bën hesap që ta shfrytëzojë këtë situatë me qëllim që të garantojë një mandat të tretë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse zgjedhjet do bëheshin në periudhën e tre muajve të ardhshëm. Mundet që ai të llogarisë edhe shtatorin, por jo qershorin e vitit 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat