Kushtetuta e kënaqësisë

Opinione

Kushtetuta e kënaqësisë

Nga: Kimete Berisha Më: 22 prill 2020 Në ora: 19:04
Kimete Berisha

Nuk është problemi Yt, a e shkel Presidenti Kushtetutën, a jo.

Ti duhet të 'gëzohesh' nëse do ta shkelte Presidenti Kushtetutën, sepse kjo do t'i kushtonte shtrenjtë Presidentit, jo Ty.

Po.
Sot te Presidenti të gjithë kryetarët dhe përfaqësuesit e partive politike, pa përjashtim, u dukën si klasa e Kanunit, të reinkarnuar në odë t'burrave, t'uj i nda mexhat, atmosferë folklorike dhe primitive sa të thuash.

Të udhëhequr nga Parimi i kënaqësisë (as maska, as distancë, burra t'odës, e kishin lënë në shpi instiktin e vdekjes, se marre burrat m'u tutë), përveç njeriu i Presidentit (Urani) që si gilipter pa pushuar i pëshpëriste në vesh Kadri Veselit të mllefosur.

Presidenti i pyeste varg e vijë 'A po keni qejf t'ia bëjmë kështu, a ashtu'.
Kushtetuta e kënaqësisë dhe e dëshirave i bashkoi të gjithë, përveç Albulenës që sot Albin Kurti e la të vetmuar.
Në vend se Albin Kurti të përballej vetë me fatin e tij.

Ama, këta jemi ne.

Kundërshtarët nuk i zgjedh dot.

Albin Kurti tashmë e ka paguar çmimin e tij, sepse me dy duart e veta e ka rrëzuar veten.

Nuk e kuptoj pse 'blen kohë' dhe e shtynë për 'nesër' fundin e një loje të përfunduar.
Sa më shpejt që shpallet e përfunduar loja e kryer, më mirë për të.

S'di pse Albin Kurti insiston ta mbrojë Hashim Thaçin nga Hashim Thaçi.
Lëreni të gabojë, nëse nuk e doni kaq shumë.

Pra, problemi i Albin Kurtit nuk është Presidenti (se Presidenti i paguan vetë gabimet e veta).
Po, problemi i Albin Kurtit është: 'Pse nuk arriti me mbajtë qeverinë e tij'.

'Përgjigju vetes' që thoshte Teki Dërvishi kur na e bënte ndonjë pyetje 'të rëndë'.

Apo mendon se 'E rrëzuan?
Po të rrëzojnë de.
Atë punë kanë kundërshtarët.
Me ta marrë pushtetin.

Qeveria Kurti u rrëzua sepse Kryeministri Albin Kurti e shkeli marrëveshjen e koalicionit me LDK-në dhe e shkarkoi Agim Veliun.

Qe, kaq e thjeshtë e kaq banale është arsyeja e rrëzimit të tij. Mos e mashtroni veten me kriju realizëm magjik me copëzat e thyera të pasqyrës.

Albin Kurti e ka ditur se Isa Mustafa nuk ia falë, dhe i hakmerret. S'ka pasur tjetër rrugëdalje.

E jo Amerika, nuk e rrëzoi Amerika qeverinë Kurti, qysh ia maron qejfin vetes....përveç nëse Amerikë i thonë Podujevës.

P.S. Problemi i Albin Kurtit është se e rrëzoi veten, prandaj nga vetvetja s'del kush që të mbron.

Pranoje gabimin.
Pranoja vetes, pa zë, siç na mësonte Tekiu.
Dhe, nisja prej fillimit.
Duke respektuar marrëveshjet fjalë për fjalë, e jo duke lejuar krenaria me t'marrë n'qafë. Krenaria dhe egoja e Kurtit është lënduar në çastin kur e ka nënshkruar vullnetarisht se s'mund ta shkarkojë asnjë ministër të LDK-së pa lejen e Mustafës, por në sprovën e parë, egoja e ka tradhtuar.

Askush nuk ka fituar në këtë.
Përveç lakmisë. Dikush për të 'qenë', dikush për 'të pasur'.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat