“Në kohë pandemie, nga Moska një virus diversionist antishqiptar”

Opinione

“Në kohë pandemie, nga Moska një virus diversionist antishqiptar”

Nga: Shaban Murati Më: 23 prill 2020 Në ora: 06:41
Shaban Murati

Tingëllon e habitshme që në kohën e pandemisë së koronavirusit, kur doli si instrument i ri i influencës gjeopolitike në Ballkan ajo që po quhet “diplomacia e maskave mbrojtëse”, nga Moska ka vërshuar për Shqipërinë një ofensivë propagandistike e përhapjes së virusit diversionist antishqiptar. Në datën 19 prill gazeta proqeveritare ruse “Izvestia” nën titullin provokativ “Shqipëria dhe Turqia bashkohen kundër Greqisë” shkruante se Shqipëria dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje të fshehtë për vendosjen e 30 mijë refugjatëve sirianë në rajonin e “Vorio Epirit”. Në 15 prill “Gazeta.ru” shkruante se “megjithë që informacioni mbi këtë marrëveshje midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk ka konfirmim zyrtar, në Athinë janë shqetësuar seriozisht”. Ajo shkonte dhe më tej me fantazinë e saj, duke shkruar se Turqia do të vendosë xhihadistë dhe agjentë të saj me refugjatët sirianë në rajonin e “Vorio Epirit”. Më përpara kishin hyrë në këtë fushatë “regnum.ru” dhe shumë media e portale ruse.

Nuk mund të mos lindë vërtet pyetja se me çfarë qëllimi qeveria dhe diplomacia ruse, në vend që të ofrojnë ndihma humanitare për pandeminë e koronavirusit në një shtet ballkanik si Shqipëria, me të cilin kanë edhe marrëdhënie diplomatike dhe të cilit po i bëjnë presion të nënshkruajë me Rusinë një Traktat Miqësie e Bashkëpunimi, zgjedhin të ngrejnë një stuhi virusi të urrejtjes antishqiptare. Është një fushatë e organizuar diplomatiko-propagandistike, jo vetëm se në të janë angazhuar njëkohësisht një numur i madh mediash e portalesh proqeveritare. Është zyrtare, sepse është një aksiomë ruse, që në një shtet autoritar dhe me kontroll të hekurt të rrjeteve mediatike sot njësoj si në kohën e Stalinit, është vështirë të bëhet pa miratimin dhe pa leje një fushatë e organizuar mediatike kundër një shteti me të cilin Rusisë, sipas pohimit të ambasadorit rus në Tiranë, Shkëlqesisë së Tij Mikhail Afanasiev, iu bë e mundur vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë në vitin 1934, pra në kohën e qeverisë së Ahmet Zogut. Nga ana tjetër vetëm shteti rus mund të vinte në dispozicion të kësaj fushate antishqiptare profesorët e Akademisë Ruse të Shkencave, të cilët u përfshinë në fushatë me tezat e deformimeve të historisë së Shqipërisë. Profesori i Institutit të Ekonomisë Botërore dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Akademisë se Shkencave të Rusisë, Viktor Nadeina-Rajevskij, deklaron me këtë rast me seriozitet shkencor se “ mund të besohet se ekzistojnë marrëveshje të tilla midis Ankarasë dhe Tiranës”.

Cilat janë piketat e kësaj fushate diplomatiko-propagandistike kundër Shqipërisë?

Së pari, duhet thënë se fushata ndërtohet mbi një spekullim banal rus që një marrëveshje të nivelit teknik e nënshkruar në 27 shkurt në Tiranë midis një drejtori në ministrinë shqiptare të mbrojtjes dhe atasheut ushtarak në ambasadën e Turqisë në Tiranë lidhur me planin e bashkëpunimit teknik midis dy dikastereve për vititin 2020, i serviret publikut me bujë sikur është nënshkruar midis ministrave të mbrojtjes, siç thotë një organ rus, apo midis presidentit turk Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, siç thotë një organ tjetër rus. Njoftimi për nënshkrimin e planit të vitit 2020 në nivelin më të ulët të mundshëm zyrtar në Tiranë është në faqen e ministrisë shqiptare të mbrojtjes që në 27 shkurt.

Së dyti, provokohet në mënyrë të qëllimëshme integriteti dhe sovraniteti i shtetit shqiptar, kur mediat ruse marrin në mbrojtje të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Mediat ruse thërrasin në ndihmë shpifjet historike të shovinistëve grekë, kur “Izvestia” me gojën e profesorëve të Akademisë së Shkencave të Rusisë fantazon se “rajonin e “Vorio Epirit” Greqia e çliroi në luftën e parë ballkanike në vitin 1912-1913, por fuqitë e mëdha vendosën t’ia japin atë Shqipërisë. E njejta histori u përsërit edhe pas luftës së dytë botërore”. Me një fjalë zëdhënësja proqeveritare ruse merr përsipër të revizionojë historinë e Shqipërisë dhe Jugun e vendit tonë t’ia atashojë oreksit aneksionist të Greqisë. Gazeta ruse i merr pa doganë këto thagma, ndonëse duhet ta dijë se Rusia e ka njohur Shqipërinë si shtet me hartën e dalë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, ku mori pjesë edhe Rusia. Rusia e ka mbrojtur integritetin shtetëror të Shqipërisë përballë pretendimeve absurde për “Vorio Epirin” të qeverisë shoviniste greke në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946. Sipas logjikës së fushatës së tanishme antihistorike ruse i ashtuquajturi çlirim grek në jug të Shqipërisë në luftën e parë ballkanike i bie që Rusia, e cila çliroi Bullgarinë, Hungarinë, Çekosllovakinë dhe Poloninë e pushtuar nga Gjermania në luftën e dytë botërore, ka të drejtë të konsiderojë ato shtete si territore ruse. Bën vërtet përshtypje se si mediat proqeveritare ruse kanë ndërmarrë tani një fushatë në mbrojtje të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, duke u përjekur t’i shpikin një bazë historike ruse pretendimit të dalëboje grek. Me sa duket Rusia, duke mos qenë në gjendje që të kontribuojë me ndihma mjekësore për përballimin e epidemisë së koronavirusit në Ballkan, mendon të fitojë pikë në Athinë duke zhurmuar me fantazmën e “Vorio Epirit”.

Së treti, fushata antishqiptare ruse synon të nxisë një betejë të stisur ndarjesh dhe konfliktesh etnike dhe fetare në Shqipëri. Sipas mendjeve të çakorduara, që drejtojnë propagandën proqeveritare ruse, Shqipëria do të vendosë 30 mijë refugjatë sirianë në jugë për të ndryshuar demografinë fetare të rajonit jugor të vendit, i cili sipas saj qenka ortodoks grek dhe ta kthejë në favor të popullsisë myslimane. Gazetat e mësipërme ruse nuk respektojnë regjistrimin zyrtar të popullsisë në Shqipëri në vitin 2011, sipas të cilit minoriteti grek me zor mbushi shifrën 24 mijë vetë, megjithë kujdesin qeveritar grek për të sjellë në atë kohë me autobuzë nga Greqia homogjenë dhe shqiptarë të greqizuar për të shtuar artificialisht numurin e minoritetit. Mediave ruse u duhet spekullimi dhe në unison të gjitha japin shifrën hiperbolë se në jug të Shqipërisë jetokan gjoja 120 mijë minoritarë grekë. Është një deformim i fakteve, që gjithashu kërkon të fitojë mbështetjen e qarqeve më shoviniste politike dhe fetare greke në funksion të lidhjeve fondamentaliste me Rusinë.

Së katërti, fushata antishqiptare e propagandës ruse synon që të ngrejë në shkallë rajonale një konflikt ndërballkanik, duke yshtur shtetet fqinj të kombit shqiptar kundër shqiptarëve. Për këtë thirren në ndihmë edhe autoritetet shkencore ruse, anëtarët e Akademisë së Shkencave të Rusisë, të cilët shpallin si mëkate të Turqisë se “ka mbështet aktivisht separatistët shqiptarë për shkëputjen e Kosovës, se Turqia ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, etj.

Nuk është e qartë se çfarë llogarish gjeopolitike po bëhen në Moskë në këtë periudhë pandemie, duke shpërthyer një fushatë me virusin anshtishqiptar të urrejtjes. Është e lehtë të merret me mend se me këto metoda vështirë të përfitojë ndonjë shkallë më të madhe influence në Shqipëri jo e jo, por as në Ballkan. Diplomati dhe propagandisti më fillestar e kupton se nuk konsolidohet pozita diplomatike ruse në Shqipëri duke sulmuar historinë e Shqipërisë dhe duke cënuar integritetin dhe sovranitetin e saj shtetëror dhe kombëtar. Nuk e di nëse do të mund të guxojë ende pas kësaj diplomacia ruse që të vazhdojë t’i kërkojë përsëri Shqipërisë nënshkrimin e Traktatit dypalësh të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit, i cili edhe pa këtë fushatë të re antishqiptare meriton të flaket në kosh. Madje mund të thuhet që nuk çon as në fitimin e ndonjë influence të re ruse në minoritetin grek në Shqipëri, perveç llogarisë së kuptueshme diversioniste ruse për të shkaktuar trazira etnike në një shtet ballkanik anëtar i NATO-s. Nuk duket as se Rusia do të fitojë ndonjë shkallë të re influence në Greqi dhe në Serbi me këtë fushatë antishqiptare. Këto dy shtete, si dhe shtetet e tjera të Ballkanit, janë në mes të tallazeve të luftës kundër epidemisë së koronavirusit, dhe kanë nevojë për ndihma mjekësore ruse dhe jo për konflikte të reja me fqinjët. Rusia nuk ka kapacitete të ndihmojë dot sa duhet as Serbinë, aleatin e vetëm strategjik të saj në Ballkan, së cilës ndihmat mjekësore ia dërgoi dy javë më vonë se sa Kina. Vështirë të mendohet se mungesa e ndihmës mjekësore do të kompensohet me fushatat e nxitjes së diversioneve etnike dhe fetare ruse në vendet e Ballkanit.

Është e pakuptueshme se si virusi i urrejtjes antishqiptare ka errësuar në masë aq e madhe logjikën e fushatës diplomatiko-propagandistike ruse kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse janë disa çeshtje të thjeshta, që i kupton edhe një fillorist e jo më diplomatë dhe propagandistë rusë të angazhuar në këtë fushatë. Ata 30 mijë refugjatë sirianë, që do vikan në Shqipëri dhe do t’u vendoskan në jug për të prishur demografinë etnike dhe fetare të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, nuk kanë rrugë tjetër të vijnë përveç se t’u hapë Greqia kufirin me Shqipërinë. Refugjatët sirianë kanë nevojën e lejes nga Greqia që të hyjnë në Shqipëri, kështu që as Athina dhe as Moska nuk kanë arsye reale të jenë të shqetësuar.

Rusia nuk duhet të harrojë se është e drejta sovrane e çdo shteti dhe në bazë të të gjitha ligjeve ndërkombëtare që të gjykojë se ku t’i vendosë refugjatët apo imigrantët e ardhur nga shtete të tjera. Territori i vendit është sovranitet i shtetit të pavarur, që i pret, dhe nuk mund të jetë as Moska dhe as Athina që të caktojnë se ku duhet t’i vendosë Tirana refugjatët, që mund të hyjnë në Shqipëri. Nuk është shqetësuar kurrë diplomacia, historiografia dhe propaganda ruse për dëbimin masiv me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria në periudhën midis dy luftrave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botëore, kur Athina ndryshoi me gjak dhe me hekur demografinë kombëtare dhe fetare të shqiptarëve në Çamëri.

Është rasti për theksuar gabimet e mëdha strategjike kombëtare, që ka bërë Shqipëria edhe në regjimin e Ahmet Zogut, edhe në regjimin e Enver Hoxhës, që nuk vendosën një pjesë të popullsisë së dëbuar çame përgjatë territorit shqiptar në kufirin me Greqinë, pranë tokave nga ku u dëbuan. Nuk është kuptuar dhe as nuk është sqaruar sa duhet nga historiografia jonë e ideologjizuar kjo shmangie strategjike e qeverive shqiptare, megjithëse ka patur propozime zyrtare të diplomatëve të shquar shqiptarë të periudhës midis dy luftrave për vendosjen e shqiptarëve të dëbuar në territorin përgjatë kufirit me Greqinë. Po ashtu nuk janë ndriçuar arsyet e gabimit strategjik të Shqipërisë postkomuniste me miratimin nga dy partitë kryesore politike të ligjit famëkeq antikombëtar 7501, që i bëri minoritarët grekë pronarë tokash shqiptare.

Viruset e urrejtjes diplomatike dhe propagandistike nuk janë instrumente të përshtatëshme as për marrëdhëniet midis shteteve dhe as për marrëdhëniet midis popujve. Nëse diplomacia dhe propaganda ruse vazhdojnë në këtë rrugë të gabuar diplomatike, propagandistike, shkencore dhe etike, është e qartë se imazhi i Rusisë në Shqipëri dhe në kombin shqiptar do të ulet edhe më shumë dhe do të forcohet dhe më shumë bindja historike që Rusia zyrtare në të gjitha kohrat, cariste, komuniste dhe postkomuniste, nuk e ka dashur kurrë kombin shqiptar./Dita/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat