Për përfillje të përkushtuar të Kushtetutës!

Opinione

Për përfillje të përkushtuar të Kushtetutës!

Nga: Prof.  Dr. Riza Smaka Më: 23 prill 2020 Në ora: 12:53
Prof. Dr. Riza Smaka

Pas  votimit   “ për” të mocionit për mosbesimin e Qeverisë së Kosovës  të  adminnistruar nga z. Kurti, sipas nenit 100 par. 6  të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Qeveria në fjalë quhet:

-              në  shqip :“ ...   Qeveri në  dorëheqje..”,

-              në anglisht :”... The Government is considered  dismised...”

-              në sërbisht : “...Vlada u ostavci...”!

Fjala “ ...në  dorëheqje...”, “ ...is dismised..” ,  “..u ostavci..”, në asnjërën gjuhë  të  sipërthënë, nuk përkon   me  institutin  juridik  të  votimit  për të  mocionit të mosbesimit   të  qeverisë  ,nga se, në rast të tillë, ekzekutivi , paraprakisht nuk ofron   dorëheqje , e cila, do të ishte  miratuar nga Kuvendi.

Ndaj,  fjala “ në  dorëheqje “ do të duhej të  riformulohej :“ në  detyrë” përkatësisht “ Qeveri në  detyrë”.

Sipas  dispozitës së nenit 82 të Kushtetutës së Republikës  së Kosovës, Kuvendi  i Republikës së Kosovës, mund të shpërndahet në katër  raste, në  tri  raste   obligativisht e në një fakultativisht:

-              Në rastin e parë ,Kuvendi ,Ius Imperativum , shpërndahet nëse brënda 60 ditësh  nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Kosovës nuk mund të formohej Qeveria,

-              Në  rastin e dytë,  nëse për shpërndarje të Kuvendit do të votonte sëpakut 2- 3 e të  gjithë deputetëve ,

-              Në rastin e tretë, nëse  brënda afatit prej gjashtëdhjetë ditësh, nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes , nuk do të zgjedhej Presidenti i Republikës së Kosovës si dhe,

-              në rastin e katërt, qe i referohet situatës  politike  aktuale, Kuvendi , Ius Dispositivum,  do të          m u n d  të    shpërndahej  nga Presidenti i Kosovës pas votimit  të sukseshëm  të Qeverisë!

Sëandejmi, përderisa në tri rastet e sipërthëna , të  përcaktuara me  dispozitën e nenit 82 par. 1 alinesë 1, 2 dhe 3 të Kushtetutës, Kuvendi  i Republikës së Kosovës  ,do të  shpërndahej Ius Imperativum , në rastin e katërtë të përcaktuar me dispozitën e nenit 82  paragrafin 2 të Kushteutës,  Kuvendi i  Republikës së Kosovës ,Ius  Dispositivum,  Kuvendi    do të mund   të  shpërndahej por edhe do të mund të  mos shpërndahej , varësisht nga vlerësimi diskrecional i Presidentit të Kosovës.

Sikundër të  përcaktohej për shpërbërjen e  Kuvendit , Presidenti Ipso Iure, do t’i shpallte zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

E drejta diskrecionale e tillë ,   implicite , i është dhënë Presidentit për të aplikuar   shpërndarjen e Kuvendit ,varësisht nga

-              rrethanat socio- ekonomike, politike , shëndetësore , klimatike ( vjeshta e vonë, dimri, pranvera e hershme) ,

-              afati  i  shkurtër për mbajtjen e zgjedhjeve  të përgjithshme  të jashtëzakonshme dhe  të rregullta (  bj. fj., brënda gjashtë muajve   nga  kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithsme të parakohshme do të  duhej mbajtur zgjedhjet e përgjithsme të rregullta)   si dhe   nga

-              faktorë të  mbrojtjes dhe  sigurisë  së  vendit përkatësisht të qytetarëve.

Mbase, referuar  gjendjes shëndetërore të jashtëzakonshme të pandemisë globale  , në të cilat ndodhet vendi ynë,  Presidenti  i Kosovës  ka optuar  për të mos e shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Dispozita në fjalë ,nuk e përmend dot statusin   as mandatin e Qeverisë në Dorëheqje,  për ç’shkak, Contradictio In Adiectio,  Qeveria në Dorëheqje, përderisa nuk egziston  dispozitë e Kushteutës as eligjore (  madje, kryesisht nga motive   korruptive  ,nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, nuk  egziston dot   Ligji  për  Qeverinë – sic ) për  kufizimin eventual të  autorizimeve   për shkak të  votimit të mocionit për mosbesimin e saj ,  deri në formimin e Qeverisë sipas  rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme ,  e njëjta  do t’i ushtrojë funksionet të  stipuluara me  dispozitën e nenit 93 dhe 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

Aq më parë kur, përkitazi me statusin  dhe mandatin e Qeverisë  në Dorëheqje për shkak të votimit të sukseshëm  të mocionit për mosbesimin e saj, në Kushteutën aktuale të Republikës së Kosovës ,nuk egziston asnjë paragraf as aline me të cilën do të përcaktohej  kufizimi i autorizimeve  kushtetuese    as kërkesa  për riformimin e Qeverisë në  vijim.

Konkretisht, neni  95 i  Kushtetutës, me asnjë   paragraf as aline nuk e  trajton  statusin as poststatusin  e  Qeverisë në Dorëheqje.

Përkundrazi, dispozita e nenit 95 par. 1,2,3 dhe 4  e Kushtetutës e  rregullon procedurën për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të  përgjithshme të rregullta apo të parakohshme  pra jo edhe pas votimit të  mocionit të mosbesimit të saj!

Ndërkaq, dispozita e nenit 95 par.  5  të Kushtetutës , në  të  cilën  , gabimisht , adresohet Presidenti i Republikës së  Koosvës tok  me   opozitën parlamentare dhe me liderët e  subjekteve politike parlamentare , explicite, i  referohet  procedurës  për formimin e Qeverisë në  vijim nëse,

-              Kryeministri jep dorëheqje, ose kur për arsye të tjera,

-              Posti i Kryeministrit mbetët  i  lirë!

Sikundër  dihet dhe shihet  dhe, me asgjë nuk mund të kontestohet,

-              Kryeministri aktual z. Albin Kurti , nuk ka dhënë ,madje, nuk e ka ndërmend të jep dorëheqje, por, është i   përcaktuar për të vepruar e punuar me përkushtim në  zbatimin e ligjit dhe të shtetit të së drejtës si dhe,

-              Nga asnjë  arsye , posti i Kryeministrit  nuk ka mbetur i lirë , përkundrazi, është i plotësuar   legjitimisht dhe legalisht.

Sëandejmi , në rastin e  Qeverisë në Dorëheqje , sipas Kushtetutës,  në përgjithësi e ,veçanërisht, sipas  dispozitës së nenit 95 të Kushteutës , nuk  do të mund të  procedoheshin  dot  konsultime as nuk  do të mund të ndërmerrëshin   veprime për riformim të Qeverisë, nga se , nuk egziston asnjë bazë   kushtetutare as   ligjore !

Ndryshe, vendin tonë, në bazë të eksperiencave të deritanishme , sipas të cilave , në  vend të  interpretimeve  juridike - logjike, sistematike, gjuhësore e dogmatike , por , jo rrallë herë ,konform me dofarë mendimesh  dhe  opinionesh , të cilat ,askund  dhe asnjëherë nuk konsiderohen burime  juridike, nëse në këtë apo atë  mënyrë do të impozicionohej  aplikimi i  nenit 95 par. 5 të Kushtetutës, sipas tij,  atëherë ,

-              subjekti  politik  fitimtar në zgjedhje të përgjithshme   përkatësisht Lëvizja Vetëvendosja do ta kishte   autorizimin ekskluziv  për të propozuar kandidatin për mandatar për  formimin e Qeverisë, në një anë dhe,

nga shkaku i  egzistimit të vakumit juridik ( Gape in Law) ,    përkitazi me afatin prekluziv  për të propozuar kandidatin për mandatar, nga  dita e  votimit të  sukseshëm të  mocionit për mosbesimin e  Qeverisë , koincidentalisht , sikundër  e drejta diskrecionale e Presidentit   nga  dispozita e nenit 100 par. 2 të Kushtetutës për të shpërberë apo për të mos e shpërbërë Kuvendin, në këtë rast ,rezulton e drejta  diskrecionale e Kryeministrit për  ditën e propozimit të kandidatit për mandatar për formim të Qeverisë!  Aq më parë  kur ,

-              vendi  ynë  ndodhet në rrethana të jashtëzakonshme ...to be or nor to be...të pandemisë globale si dhe ,

-              afati inegzistent  prekluziv  nga nenin 95 par. 5 i Kushtetutës , nuk mund  të  krijohet me konsultime , opinione,  mendime  as me qendrime politike, por ,vetëm  me amendment në atë dispozitë ,të miratuar në procedurë  legjislative  dhe  të  promulguar nga Presidenti i Kosovës.

Aktualisht, jo  pak persona   thirren në Gjykatën Kushtetutëse për të  zgjidhë këtë konfuzitet artificial politik !

Gjykata Kushtetutëse, sikundër dihet ,  nuk  është e autorizuar  për të krijuar normë  juridike  ,por,  për të  interpretuar normën  juridike të kontestuar, ndaj,  për hir  të postulateve   të shtetit të së drejtës dhe të sundimit të ligjit në aplikim  “ Dura Lex Sed Lex” ,me bazë  do të mund  të  pritej qe, sëpakut, këtu e tutje , të  veprojë sipas autorizimeve  , ashtu që, rastet  juridike problematike t’i  interpretojë juridikisht sipas metodës  dogmatike,  gjuhësore,  sistematike, logjike, tërësisht apolitikisht  veçanërisht  jashtë influencimeve të politkave ditore, jo rrallë herë , tejet  banale e vullgare.

Përfundime dhe propozime

-              Qeveria në Dorëheqje , ndodhet  në detyrë dhe është e  autorizuar për t’i  ushtruar  funksionet e veta    përderisa, me asnjë dispozitë  juridike,  nuk i janë  kufizuar autorizimet e përcaktuara me dispozitat e neneve 93 dhe 94 të Kushtetutës, për ç’shkak , mbetët  t’i ushtrojë  funksionet e veta deri në  formimin e Qeverisë nga zgjedhjet  e përgjithshme të parakohshme  apo të rregullta,

-              Qeveria në Dorëheqje mbetët në funksion të ekzekutivit  deri në formimin e Qeverisë nga zgjedhjet  e përgjithshme  të parakoshme,

-              Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të shpallen pas kalimit të pandemisë globale nga vendi ynë dhe,

-              Presidenti  i Republikës së Kosovës ,sipas nenit 84 par. 1 al. 8  të Kushtetutës , apo, Qeveria e Kosovës, sipas nenit 93 par. 1 al.9  të Kushtetutës,  t’i propozojë   apo t’i propozojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës amendment në nenin 82 par. 2 të Kushtetutës përkatësisht  në nënin 95 par. 5  të Kushtetutës  referuar  statusit  e mandatit  të ardhshëm të Qeverisë në Dorëheqje   si dhe afatit për propozimin e  kandidatit për mandatar pas zgjedhjeve të përgjithshme , votimit të sukseshëm të mocionit për  votëbesimin si  dhe për  mosbesimin e Qeverisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat