Asgjëja ose mosguximi për të folur!

Opinione

Asgjëja ose mosguximi për të folur!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 26 prill 2020 Në ora: 11:46
Zejnullah Jakupi

Nëse dikush vret një person është barazi sikur ai të kishte vrarë gjithë njerëzimin! Thenia e I. Kantit, e shtjellon më së miri deklaratën e z. Shkelzen Gashi, këshilltarit të shkarkuar të Kryeministrit Albin Kurti, i cili tha në emisionin informativ Frontal të televizionit T7 të datës 25.04.2020 se pjestarët e UÇK-së, të cilët kanë kryer krime ndaj qytetarëve serbë, boshnjakë, romë etj, duhet të dënohen. Të njëjtën gjë e tha edhe ndaj gjitha krimeve të bëra edhe në shtetet fqinje; si në Serbi, Bosnje dhe Kroaci. Z. Gashti tha se themelimi Gjykatës Speciale në Kosovë ishte pikërisht kjo; të dënohen krimet e luftës, pra, bëhet fjalë për individë nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm, por dhe ndaj kundërshtarëve të tyre politik. Historia e individëve të UÇK-së, të cilët kanë kryer krime, tha z. Gashi, nuk e njollosë luftën dhe UÇK-në. Ai pohoi, gjithashtu, se struktuarat e larta të ish- UÇK-së kishin bërë që kjo temë mbeti tabu dhe si rrjedhojë e tyre na u imponua krijimi i Gjykatës Speciale, mbase nuk kishte prokuror e as gjyq që do mund t´i dënojë akterët e këtyre veprave kriminale.

A duhet të flasim, ose a guxojmë të flasim, ose a guxojmë të japim një mendim të tillë? A jemi të lirë ose a ishte i lirë z. Gashi ta thoshte këtë dhe, çfarë pasoi më pas? Kjo deklaratë prodhoi një linçim të paparë deri më tani në historikun e opinionit publik, ndaj tij.

Ta rikujtojmë Jean-Paul Sartrin i cili thotë se njeriu është i lirë, dhe ai pasi të vije në këtë botë, duhet të vendosë lirshëm, duhet të marrë vazhdimisht vendime, pra, edhe kur të jep komente. Ai bëhet ´fajtor´ nëse vendos, nëse merr vendime, nëse orientohet për një mundësi, për një opinion ose kundër tij.Sipas Sartrit njeriu, nuk është Mbinjeriu, pra, as z. Gashi, pavarësisht se çfarë tha, nuk mund të marrë përgjegjësi totale. Pse? Sipas filozofit francez, ne jemi absolutisht të lirë, të vendosim për diçka. Ne jemi të lirë nga e kaluara, kundër të gjitha kohërave, edhe në të ardhmen, kur dëshirojmë të bëjmë diçka. Pritja mund të ndikojë në të tashmen dhe në të kaluarën, e të cilën mund ta ndryshojmë, mund ta interpretojmë ndryshe. Edhe plagët e lirisë mund të na vrasin! Z. Gashi, u shkarkua, u bë viktimë i inskenimeve politike dhe asgjë më shumë, ashtu siç po bëhet kurban edhe vet qeveria Kurti.

Të gjithë po flasin me një zë „Ik Albin" (... se po vijnë hajnat!). Filozofi Sartri gjithmonë i ka mbrojtur të dobëtit. Ndërsa ne Kosovë, ndodh e kundërta: Tani gjithë janë vënë në krah për ta sulmuar z. Gashi. Deklaratat e tija janë motivuara dhe nxitura nga gazetari në studio dhe kjo mund të shihet vetëm në këtë prizëm. Por, gjithsesi është e turpshme se si kjo redaksi bëri inskenimin, dukej (ishte) si një kurthë, në kohën kur z. Gashi jepte këto deklarata pa e llogaritur kurthën. Me lehtësi mund të kuptohet, në që mënyrë moderatori, nga fillimi, e provokoi bashkëbiseduesin dhe ky i fundit ra në kurthë. Efekti i deklaratës ishte i madh sepse ajo emitohej, siç thuhet LIVE. Prandaj kujdesë, jo çdo paraqitje në media dhe deklaratë inicohet për interes të opinionit dhe të informimit, por për të kundërtën, të inskenohen ngjarjet dhe të tregohen e stigmatizohen ´fajtorët´. Këso mekanizma propagandues nuk i lejohen gazetarisë, sepse redaksitë nuk janë agjentura shantazhi.

E kaluara jonë ka akoma shumë të panjohuara. Kuptimi i lirisë e nënkupton edhe ndryshimin e interpretimeve në tre kohë, në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Gjykimi mbi të kaluarën, qoftë mbi Luftën e fundit çlirimtare apo qoftë për ideologjitë e kaluara, siç ishte ajo e socializmit, në të ardhmen ka një kuptim tjetër. Pra, lufta e UÇK-së, ndryshe ishte në vitin 1998/99 e ndryshe ka mundësi të interpretohet tani ose pas 50 vitesh. Pra, nuk ka kufij që i vendosim vetes në këto interpretime. Prandaj shikuar nga ky kënd, njeriu ynë, si çdo individ tjetër i globit mundohet t´i shpërthejë vargonjët e robërisë përmes shprehjes së mendimit. Ai bën luftë të mos na sundojë robëria, ai vazhdimisht lufton të vendos ndryshe, për tu çliruar nga trysnia, nga kufizimi i lirisë.

Asgjëja ose mosguximi për të folur është e kundërta e lirisë, pra nuk ka asgjë që na kufizon lirinë tonë do thoshte Sartri, nëse nuk e bëjmë ne me vullnetin tonë. Edhe vendimi se ne duhet të flasim ndryshe, është kufizim. Pse duhet dikush t´na thotë sesi duhet ta jetojmë jetën kështu apo ashtu, ose si duhet të flasim kështu apo ashtu? Sartre thoshte se nuk vendos askush mbi ne, sesi duhet të veprojmë, si duhet t´i interpretojmë ngjarjet, jetën, sjelljet tona.

Asgjëja- do të thotë diçka, varësisht si e interpretojmë. Asgjëjën mund ta kuptojmë përmes përvojës, në zërin e frikës mund ta kuptojmë se asgjëja nuk na pengon të frikësohemi. Po pse kemi frikë nga frika fizike (objektive). Ajo është anësore, ajo vije nga jashtë, por më e rrezikshme do jetë frika brenda nesh, frika nga vetvetja, p.sh. kur e humbim besimin, kur duam të themi diçka dhe nuk guxojmë. Kufizimet i bëjmë vetvetiu nga brendia, sepse nga andej na vijnë sinjale të cilat na tregojnë se nuk jemi të sigurtë e të lirë. Kjo ndodhë kur jemi në depresion, kur kemi frikë se nuk kemi liri. Por, për të qenë të lirë ne duhet të flasim të lirë, edhe nëse gabojmë, edhe nese nuk sjellim një vendim të ´mirë´. Çdo vendim është zhgënjim dhe humbje ose disfatë. Kjo është liria, edhe shkarkimi i këshillëtarit nga z. Kurti. Sipas Sartrit, ne jemi të dënuar të jemi të lirë. Nuk duhet t´i marrim parasysh kufizimet, por çdo vendim dhe vendimi për të mos folur, do të ishte një kufizim i lirisë, në këtë rast, nuk do të ishim të lirë.

Pse frikesohemi dhe kompleksohemi kur mendojmë se si do të na vleresojnë të tjerët? Pse mendojmë se ´ata´do të na dënojnë me paragjykime ose do na anatemojnë? A mund të na kufizojnë të qenurit dhe asgjëjën?Deklaratat e z. Gashi janë konsideruar si trup, si vepër dhe njollë e keqe mbi UÇK-në si një turp për një këshillëtar i cili i ka shprehur. Turpi na mbulon edhe kur ne kemi bërë vepra jo të hijeshme, kur dikush më sheh duke vjedhur ose duke marrë një mito, dhe ne e dijmë se dikush na ka parë, pra ne do themi se na vije turp, sepse na ka parë dikush, na ka dëgjuar duke folur dhe tani turpërohemi, pra, turpërohemi, sepse mendojmë se dikush nga jashtë na vlerëson si të tillë. Ata na objektivojnë, dhe ne e kuptojmë se jemi të tillë atëherë kur të na vlerësojnë të tjerët, pra, kur ne ju nënshtrohemi vlerësimit të tjerëve. Por ata përmes kësaj ndërhyrje na vjedhin lirinë, dhe këtij vështrimi nuk mund t´i ikim. Prandaj ne gjithmonë jemi në kërkim të mendimit të tjerëve, por në anën tjetër kjo na pengon shpesh, kur kuptojmë se ana tjetër na kritikon dhe nga këtu na paraqitet frikësimi. Të bëhemi të dashur në sytë e tjerëve, sikur ata të ishin të dashuruar dhe të na shohin ashtu siç e shohim ne vetveten, kjo është dilema. Pra, ne i nënshtrohemi lirisë së tjetrit, dhe natyrisht nuk presim të na vije zhgënjimi nga ata. Dhe kjo tregon pse ne e duam një dikatator, ose një shoqëri prej diktatorësh, sepse kemi frikë nga ai ose ata, ndërsa kur e duam dike atëherë e duam si të lirë, nga respekti dhe adhurimi i cili duhet të jetë i ndërsjellë.

Kosova, vendi ynë i finalizuar shpresoj, të na dëshirojë, e ne ta duam atë, historinë e saj, me gjitha vetitë negative dhe ato positive të saja, dhe as ne as ajo të mos na tradhëtojë. E dijmë gjithashtu se kur ajo na do, ajo dëshiron të na bëjë subjekt, por edhe ne duam që edhe ajo të na njoh si një subjektivitet, të na njoh, dhe të na lërë të lirë të flasim dhe të besojmë në lirinë e saj. Njeriu ynë duhet të jetojë i lirë. Liria mbetet e tillë kur, njeriu mund të flas lirisht dhe kur mund ta bëjë atë që dëshiron.Nuk është koha tani t´i hedhemi në qafë njëri-tjetrit, me gjuhën e urrjetjes dhe liçimit, me një moralizëm të pakohë. Në këtë kontekst, ky do ishte sabotim ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë universale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat