Narrativi anti-UÇK, mund ta lë Kosovën pa tapinë e shteformimit!

Opinione

Narrativi anti-UÇK, mund ta lë Kosovën pa tapinë e shteformimit!

Nga: Nazmi Jakurti Më: 26 prill 2020 Në ora: 13:01
Nazmi Jakurti

Një shoqëri fillon të degradohet në momentin kur gjuha e pakontrolluar në diskursin publik përmbys vlerat mbi të cilat është ndërtuar ajo shoqëri. Nuk është hera e parë që në shoqërinë tonë ka pas individë e grupe të cilët janë munduar të minimizojnë ose relativizojnë rolin dhe kontributin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës. Sa herë që është provuar t’i kundërvihet këtij diskursi publik, ka pasur dhe ka zëra që mbivendosin kontributin e faktorit të jashtëm, konkretisht të NAT0-s, në çlirimin e Kosovës. Në fakt të gjithë e dimë se cili ka qenë ky kontribut dhe të gjithë e dimë se po të mos ishte NATO dhe komanda e saj që kishte bashkëpunim të plotë me administratën amerikane të viteve 1998/99, Kosova nuk do të vinte ku është sot.

Mbi këtë diskurs pastaj u krijua narrativi se UÇK paska kryer krime mbi individë të caktuar, duke vendosur edhe njëfarë lidhshmërie të këtyre krimeve me raportin skandaloz të ish-eurodeputetit nga Zvicra Dik Marty, duke e quajtur madje atë edhe si mik të shqiptarëve.

Personi që i thuri elozhe Dik Martyt, deri dje ishte këshilltar politik i kryeministrit në detyrë dhe fatmirësisht ai nuk është më në këtë pozitë zyrtare. Kryeministri Kurti mirë ka vepruar që e ka larguar nga kabineti i tij këtë person, por është brengosës fakti se si ka mundur i njëjti të gjej vend në kabinetin e tij, kur dihet tash më se ish-këshilltari i tij ka shfaqur edhe më herët prirje mohuese dhe skandaloze ndaj vlerave të UÇK-së, duke u munduar ta njollos atë përmes një narrativi që i shkon shumë për shtati propagandës së Beogradit për barazimin e kriminelit dhe viktimës.

Institucionet e Kosovës tash e në të ardhmen duhet të mbajnë shumë llogari se kujt po i japin hapësirë veprimi, dhe nuk duhet toleruar që me paratë e taksapaguesve të Kosovës të financojmë mohuesit e vlerave të UÇK-së.

Sa i përket krimeve të pretenduara, këtë çështje nuk mund ta zgjidhin individët e caktuar, qofshin ata madje edhe këshilltarë kryeministrash, por për këtë çështje mund ta zbardhin vetëm organet e pavarura të drejtësisë. Përderisa drejtësia nuk e thotë fjalën e saj përfundimtare, të gjitha insinuatat dhe akuzat paushalle në adresë të UÇK-së që vinë nga personi të papërgjegjshëm, mund ta kenë vetëm një funksion: që Kosovës t’i hiqet atributi më sublim i sakrificës për liri dhe mbi këtë mohim pastaj të mbindërtohen idetë që janë ende aktive në elaboratet serbe për defunskionalizimin e Kosovës si shtet.

UÇK ishte dhe do të mbetet tapia më kuptimplote e shtendërtimit të Kosovës, kurse çdo përpjekje për ta zbehë fuqinë e kësaj tapie iu jep shans gjithë atyre forcave destruktive që shtetin e Kosovës ta hedhin edhe një herë në pazarin e kusuritjeve ballkanike.

Opinioni publik i Kosovës, përfshi intelektualët, universitetet, shoqëria civile dhe subjeket politike duhet të jenë më aktiv në refuzimin e këtij diskursi publik që mundohet të relativizojë vlerat e UÇK-së dhe barazimin e krimeve, sipas një teorie se çdo luftë i ka edhe devijimet e veta. Në fakt lufta e Kosovës ishte mbrojtëse dhe aspak nuk ishte e projektuar si program gjenocidal kundër popullit serb, ndërkohë që Serbia pikërisht në Kosovë u mundua të zbatojë idenë e tokës së djegur, e frymëzuar nga arkitektët e gjenocidit serbomadh, që nga Vladan Gjorgjeviqi,Ilija Garashanini, Vaso Çubrilloviqi, e deri te Millosheviqi dhe millosheviqët pas tij, duke përzënë shqiptarët dhe duke ia ndryshuar brenda natës strukturën e saj demografike në favor të serbëve dhe në dëm të shqiptarëve.

Fatbardhësisht ky projekt fashist i Serbisë nuk u bë realitet falë edhe luftës së lavdishme të UÇK-së dhe aleatëve tanë NATO, SHBA e BE, prandaj edhe shoqëria kosovare e ka për obligim të ruaj pastërtinë e kësaj lufte nga të gjitha tentimet relativizuese e njollosëse që vinë nga individë e grupe të caktuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat