Ktheni kokën pas ju lutem...

Opinione

Ktheni kokën pas ju lutem...

Nga: Moza Boletini Më: 26 prill 2020 Në ora: 23:48
Moza Boletini

Në rubrikën opinione të një gazete online, nga një zonjë pa mbiemër lexova të shkruante; guximi dhe trimëria janë shenja të injorancës. 

Për çfarë injorance e keni fjalën zonjë dhe si e justifikoni këtë "fakt" absurd...

Siduket në periudhën komuniste as ju, as familja juaj nuk keni pësuar ndonjë goditje politike. Privilegjet duhet ti keni pasur me okë, këpucët nuk do t'ju kenë vrarë, futur ujë në dimër, nuk keni fjetur ndonjë herë pa bukë, pa shtroje, mbuloje, sytë nuk do t'ju kanë lotuar për njeriun e familjes që torturohej nëpër burgjet politike e pas telave me gjemba, ndryshe nuk do të shpreheshit kështu.

Hidhi një sy motër emrave e listës së gjatë pa fund të mijra klerikëve e intelektualëve shqiptarë e të huaj të pafajshëm që u dënuan me vrasje, pushkatime, burgime e internime nga diktatura "e proletariatit" në Shqipëri. Si mendon ti se, e gjithë ajo plejadë vuajtjesh përbëhej nga njerëz injorantë e të pa shkolluar...

Mos haro se edhe nën thundrën e kamzhikut e terrorit të rëndë nëpër burgjet politike shqiptarët që kishin kryer studimet e larta brenda apo jashtë vendit u mësonin gjuhë të huaja bashkëvuajtësve të tyre, përkthenin literaturë të autorëve të huaj. 

Nuk po shkoj larg, por brenda shtëpisë time; xhaxhai im Rasim Dajçi kishte kryer studimet për arkitekturë në shkollën e mesme amerikane "Harry Fultz" në Tiranë me rezultate të shkëlqyera, më pas akademinë e lartë. Me inteligjencë, argumente, guxim e trimëri kundërshtoi rregjimin komunist, u pushkatua pa gjyq në Prizren në nëndor të vitit 1945 nga forcat sllavo komuniste me në krye Shefqet Peçin, akoma nuk po i gjejmë eshtrat e tij. Im atë po ashtu u arrestua, si kosovar ndiqej nga Koxi Xoxe e sigurimi i shtetit, survejohej pasi kishte patur edhe një vëlla të pushkatuar pa gjyq, guxoi me zgjuarsi e trimëri e kundërshtoi qysh herët rregjimin e kohës. Në burg përveç punës së rëndë ashtu si mijra intelektualë të tjerë të dënuar politik përkthente vepra të huaja që e detyronte drejtoria e burgut. Ishte poliglot e intelektual i mirëfilltë, zotërues i shtatë gjuhëve të huaja, kishte kryer Gjimnazin e famshëm të Shkodrës, ku pedagogët ishin të huaj apo shqiptarë shkolluar në perëndim, më pas ndoqi jashtë akademinë e lartë për marinë ushtarake. Ka qenë student i mirë kudo. Ngritën zërin sëbashku për çështjen shqiptare, për Shqipërinë, Kosovën, që trojet shqiptare të ishin të lira e të pavarura. 

Dyert sot janë të hapura mund ti verifikoni këto që po shkruaj.... 

Po nëse këta "injorantë" që thua zotrote nuk do të ishin ngritur me guxim e trimëri për shkeljen e të drejtave të njeriut, kundër doktrinës e ideologjisë marksiste leniniste, eksodet e njëpasnjëshme që ndodhën në vend, startuar me korrikun e 1990, akoma edhe sot në Shqipëri do të kishim diktaturën më të egër në Europë. 

Ti do të prisje me orë të tëra prapa dyrve të hekurta të burgut sa ti tekej gardianit të hapte portën, për ti dhënë një kokër qepë, një grusht kafe e sheqer për babain, vëllain, bashkëshortin apo motrën e arrestuar. 

Ja pra këta ishin ata "injorantë" që me guximin, trimërinë e intelektin e tyre përmbysën rregjim që përkëdheli flokët e ty e jetën e familjes tënde të privilegjuar. Ktheni kokën pas ju lutem, ndërgjegjësohu e flasim përsëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat