E vërtetë si drita e diellit është se, populli shqiptar është populli më proamerikan në botë…

Opinione

E vërtetë si drita e diellit është se, populli shqiptar është populli më proamerikan në botë…

Nga: Alfons Grishaj Më: 29 prill 2020 Në ora: 15:17
Gani Vila

Për ne shqiptarët, gazetarët amerikanë dhe perëndimorë janë admiruar der në nivelin e adhurimit, sepse kemi menduar se shkruajnë gjithnjë të vërtetën. Por pas njohjes dhe studimit të rasteve të shumta të deformimeve dhe fake news-ve, adhurimi ndaj disa prej tyre është grisur keq.

Duke lexuar artikullin anti-shqiptar dhe anti-shkencor të J. Micheal Walker ndaj popullit tim Dardan (që është i vjetër sa vetë njerëzimi), ndjeva një keqardhje që u shndërrua pastaj në neveri. Si ka mundësi që një analist i tillë të bjerë në batakun e një diletanti e të flasë për historinë e një populli pa e njohur atë? Akuzat ndaj popullit tim shqiptar të Dardanisë, për xhihadizëm e përralla të tjera… janë ushqyer nga tezat e gatuara në kuzhinën e propagandës antishqiptare të Serbo-Rusisë dhe jo në frymën e analizës politikës perëndimore.

Sa për kujtesë të Waller, xhihadistë janë rekrutuar më tepër nga perëndimi (biles dhe në SHBA ka pasur raste) se sa nga Dardania, ku është e vërtetë, se për arsye historike, shumica e popullsisë i përket besimit islam. Por për të gjithë ata që kanë nohuri në islamin shqiptar, akuza që bën Waller është qesharake .

Nëse ai ka ndonjë gjë me bustin e Bill Klinton apo personalisht me të, është puna e tij, por të njollosë një popull të tërë me gënjeshtra të tilla, është e turpshme. Faktet qëndrojnë krejt ndryshe nga sa i paraqet ai. Nuk është vetëm kongresmeni Eliot Engel që e ka përkrahur Dardaninë, por dhe Sen. Bob Dole, Sen. MitchConell, Kongresmeni Gilman, Kongresistja Sue Kelly , Sekretari i Shtetit James Baker, Senatori Domato, Presidenti Bush , i cili e paralajmëroi prerë Sllobodan Milosheviçin, “Larg duart nga Kosova!”, Xhorxh Bush Junior , Senatori Peters etj.

Lëvizja për dizintegrimin e ish Jugosllavisë filloi kohë më parë, pikërisht prej shkeljes së të drejtave të njeriut ndaj popujve të Federatës Jugosllave, veçanërisht ndaj shqitarëve që banonin në trojet e tyre etnike. Serbia ishte promotorja e të gjithë urrejtjes etnike dhe lufta që u zhvillua ndaj republikave dhe popujve që donin të jetonin të pavarur, nuk ishte e paparajmëruar. Josip Broz Tito, në një nga Kongreset e Partisë Komuniste Jugosllave, duke parë ekstremizmin Serb, paralajmëronte: “Nëse doni një Jugosllavi të madhe, duhet një Serbi e vogël. Nëse doni një Serbi të madhe, do të keni një Jugosllavi të vogël”, çfarë nënkuptonte se Jugosllavia do shkatërrohej dhe do mbetej vetëm Serbia.

Mendoj se analisti Waller e di paralajmërimin e Titos, se është analist politik.

Lëvizja për dizintegrimin e Jugosllavisë e ka zanafillën para se Engel e Klinton të përfshiheshin energjikisht për një proces që do të vendoste paqen përfundimtare në rajon. Nisma kundër Serbisë nisi nga kongresmeni William Broomfield (dhe jo nga Klinton) i frymëzuar nga Ekrem Bardha (pas arrestimit të Pjeter Ivezaj) që bëri të mundur goditjen e parë për shkatërrimin e makinës antinjerëzore Jugosllave.

Në këtë kontekst, Klintonit i mbeti vetëm të firmoste ndëshkimin ndaj një krimi në vazhdimësi që kishte thyer çdo ligj ndërkombëtar human, ndaj një çmendurie kolektive të udhëhequr nga një kriminel si Sllobodan Milosheviç.

I gjithë populli shqiptar, pavarësisht përkatësisë individiuale fetare, i ruan dhe i kultivon parimet dhe vlerat e qytetërimit të krishterë. Tek shqiptarët janë të shenjta mikpritja, besa, burrëria, ndjenja e mëshirës, ndershmëria etj.

Përsëri sa për kujtesë të analistit Waller:

Populli shqiptar ka nxjerrë figura të rralla botërore që i shërbyen në kohë të ndryshme njerëzimit. Po i përmend z.Waller, vetëm dy figura: Atletin e Krishtit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbrojtësi i Perëndimit, dhe St. Nënë Tereza, nëna e botës moderne.

Dardaninë nuk e ndihmuan vetëm Amerika, por pothuajse të gjitha shtetet e perëndimit: Anglia, Gjermania, Franca (aleatje shekullore e Serbisë), Italia etj, me udhëheqës të asaj kohe, Blair, Schroeder, Zhak Shirak, Dalema etj, pa të cilët, ndërhyrja në Kosovë do të ishte e pamundur.

E vërtetë si drita e diellit është se, populli Shqiptar është populli më proamerikan në botë… dhe Waller e përmend këtë në mënyrë ironike, pa u thelluar në thelbin e dashurisë ndaj Amerikës. Ai harron se para Klintonit qe Presidenti Willson i cili ndaloi shpërbërjen e mëtejshme të Shqipërisë, pikërisht, prej Turkoshakëve dhe “Kristianëve” të tipit Milosheviç. Dhe një ndër karakteristikat fisnike dalluese të popullit shqiptar është mirënjohja.

I them J. Micheal Waller:

Lufta për çlirimin e Dardanisë (Kosovës) nuk ishte luftë kundër kristianizmit, sepse ata që e çliruan qenë kristianë, duke luftuar kundër anti-Krishtit, që synonte realizimin e një plani historik djallëzor: spastrimin etnik të krahinës me anë të një genocidi masiv. Krishti ka predikuar paqen dhe jo genocid!

Në mendimin nacional shqiptar por edhe në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve, parimi dhe ndjenja e nacionalitetit qendrojnë mbi sentimentet fetare. Shqiptarët e kanë kuptuar më herët se shumë kush tjetër se qarqet e huaja antishqiptare janë përpjekur dhe do të përpiqen edhe në të ardhmen ta paraqesin përbërjen fetare të tyre, si pengesë për unitet nacional, dhe orientimin e tyre euroatlantik si jo të natyrshëm dhe madje edhe të pasens. Shqiptarët e dinë vetë rrugën e tyre e s’kanë nevojë t’ua mësojë kush. Ua kanë mësuar rilindasit këtu e njëqind e pesëdhjet vjet më parë. Ndërsa ata që duan të shkruajnë kundër shqiptarëve duhet ta njohin më parë kulturën e tyre. Duhet të dinë ç’ kanë menduar e ç’ mendojnë shqiptarët për veten dhe historinë e tyre. Sot po u themi vetëm dy vargje që Poeti rilindas Vaso Pashë Shkodrani, shkruante në vjershën e tij programatike “O moj Shqypni”, që i di çdo shqiptar “E mos shikoni Kisha e Xhamia, se feja Shqiptarit asht Shqiptaria!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat