Enigmatike pse që 21 vite Kosova po dështon të veprojë konkretisht ndaj krimeve serbe të luftës?!

Opinione

Enigmatike pse që 21 vite Kosova po dështon të veprojë konkretisht ndaj krimeve serbe të luftës?!

Nga: Reshat Sahitaj Më: 30 prill 2020 Në ora: 08:38
Reshat Sahitaj

Edhe pas 21 viteve mbetet enigmatike pse krejt pushtetet e deritashme të Kosovës dhe krerët e institucioneve folën dhe ende flasin shumë,, por ende  nuk kanë bërë asgjë konkrete për ndëshkimin e Serbisë dhe kriminelëve të saj për krimet e luftës dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të vendit tonë gjatë luftës për liri dhe pavarësi 1998-1999.  E për çudi madje ata kanë bërë krejt të kundërtën në gushtin e vitit 2015, kur e miratuan ligjin e çuditshëm për gjykatën speciale me të cilin “harrohen” krimet e Serbisë dhe ende heshtin për kërkesat e shoqatave vendore për plotësimin e tij për ndëshkimin e kriminelëve serbë tash e 21 vite të lirë nëpër Serbi e të mbrojtur nga pushteti serb.

Pasojat e luftës së fundit janë të njohura për secilin prej nesh: ende afro 1700 të zhdukur; afro 13,000 të vrarë; mijëra invalidë që disa prej tyre lanë gjymtyrët fushëbetejave të ndryshme; mbi 700 fshatra që forcat serbe i dogjën gjer në themele; afro 1 milion të deportuar me dhunë; mbi 850 mijë shqiptarë të ftuar në të ashtuquajtura biseda informative; izolimi i mbi 100 intelektualëve krejt lakuriq, mbi 20 mijë femra e meshkuj të dhunuar nga forcat serbe; afro 500 masakra masive që u bënë në shumë vende të territorit të Kosovës ..... Pse, asnjë serb nuk doli para drejtësisë apo edhe nëse dalin, pse ata nga gjykatat e Kosovës lirohen si të pafajshëm pas pak muajve ?! Pse vrasësit serbë nuk po ndëshkohen për krimet e tyre ndaj shqiptarëve të vendit tone tash e 21 vite e politikanët e Kosovës nuk po bëjnë asgjë konkrete ?!

Dështimi i ndëshkimit të Serbisë dhe kriminelëve të saj

Pas më shumë se një shekull robërie nën pushtimet sllave, ditët e qershorit të vitit 1999 ishin ditët më të lumtura për tërë popullin shqiptar pavarësisht viktimave të shumta, sepse pa luftë nuk vjen çlirimi e liria ka edhe sakrifica. 

Por, që nga viti 1999 e gjer më sot, askush kurrë nuk ka besuar se serbët që bënë krime nuk do ndëshkohen. Personalitetet politike dhe institucionet e vendit, që nga koha e qeverisë së parë të pasluftës e deri më sot nuk kanë ndërtuar e as bërë aktakuzë ndaj shtetit të Serbisë, edhe pse premtuan gjatë fushatave elektorale njëri pas tjetrit.

Jo vetëm që nuk kanë bërë aktakuzë kundër shtetit të Serbisë në gjykatat ndërkombëtare për krime lufte e gjenocid, por ata së bashku që të gjithë, kanë dështuar edhe në gjykimin e udhëheqësve dhe pjesëtarëve të tjerë të strukturave më të larta të shtetit serb, ushtrisë, policisë e paramilitarët e kohës së luftës, të cilët edhe 21 vite me radhë ndodhen të lirë në Serbi.

Deklarata stereotipe e mashtruese vetëm për opinionin tonë

Eshtë për t’u habitur se në çdo përvjetor apo akademi përkujtimore të dëshmorëve tanë, të gjitha personalitetët shtetërore të Kosovës, pa asnjë dallim,  deklarojnë se kriminelet serbë mbetën pa u denuar.  Si mundët të denohët dikush pa ngritur aktakuzë?!

Më kujtohet kur një deklartë të ngjashme e kishte dhënë edhe ish-kryeministri, tanimë i ndjerë, Bajram Rexhepi, më të cilin u takova disa herë pikërisht për të shkoqitur të njejtën temë. I ndjeri Bajram Rexhepi e pranonte hapur se deklaronte për ta kënaqur opinionin kosovar dhe në të njejtën kohë t’i dërgonin mesazh Serbisë së Kosova ka mundësi të bëjë padi për krimet serbe dhe të kërkojë dëmshpërblim. Nuk duhet të habitët masa jonë kur të mësojnë se këto deklarata se gjoja do përgatisin aktakuza kundër kriminelëve serbë, sepse në fakt këto deklarata janë mesazhe “kërcënuese “ që ia dërgojnë politikës së Beogradit  që ata të mos ndërmarrin hapa tjerë e sidomos në ngritjen e padive kundër këtyre personaliteteve tona.

Dyshimet për frikë nga Serbia !?

Serbia ka përgatitur dosje të forta kundër shumicës së liderëve tanë, ndaj disa komandantëve të UÇK-së të cilët deshën apo nuk deshën duhet të përballën më Gjykatën Speciale në Hagë, e krijuar me ligjin selektiv të miratuar nga deputetët shqiptarë dhe serbë të Kosovës në vitin 2015, ligj ky i cili në formën e tashme i amnistoi kriminelët e Serbisë.  

Mirëpo, është për të dyshuar (por jo e dokumentuar, sepse bisedat sekrete nuk lënë gjurmë për publikun e gjerë), se Serbia në takime të ndryshme që ka zhvilluar më disa liderë tanë, u ka  dhënë premtime se do t’i tërheqin paditë nëse këta bëhen të dëgjueshëm.

Është për të dyshuar se gjatë këtyre bisedave u kanë premtuar se edhe dëshmitarët të cilët janë të gatshëm të dëshmojnë kundër tyre, Serbia do t’i këshillojë mos dëshmojnë ose të dëshmojnë se nuk po u kujtohet më saktësi ngjarja.

Të bindur apo me shpresën e premtimeve që Serbia do t’i ndihmojë më tërheqje të padive dhe të dëshmitarëve, një pjesë e liderëve tanë  kanë mbetur të kushtëzuar dhe janë të detyruar të veprojnë sipas diktatit të padronit që i mbajnë dosjet kundër tyre.

Po të bazohemi në biografinë publike të liderëve tanë, do të bindemi se kanë luftuar heroikisht dhe pa luftën e UÇK-së NATO-ja nuk do ishte intervenuar. 

Por, ndërkohë, shtrohet pyetja: Si është i mundur ky transformim radikal i këtyre patriotëve të djeshëm e servilë të sotëm?!

Luftëtarë të djeshëm e milionerë të  sotëm

Për ta kuptuar më mirë këtë transformim për 360 shkallë , duhet të kthehemi prapa në kohë shumë vite më parë. Shumica,  për të mos thënë të gjithë liderët tanë,  në qershorin e vitit 1999 banonin më qera në apartamente në Prishtinë , ndërsa sot secili prej tyre dhe shokët e tyre u shndërruan në milionerë. Secili prej tyre , qe njëzetë vite bëjnë jetë luksoze , jetë përrallore që edhe sheiket e Arabisë ua kanë lakmi.

Shkuarja në Hagë do t’i privonte nga jeta përrallore që janë duke e bërë.

Duke u nisur nga kjo, në parlamentin e Kosovës në vitin 2015 u aprovua formimi i Gjykatës Speciale ku duhet të përballën vetëm shqiptarët që dyshohen për krime të luftës, por asnjë deputet, e asnjë ministër nuk propozoi që kësaj gjykate t’i përgjigjen edhe kriminelet serbë.

Lidhur më këtë asokohe  kam shkruar në shtypin e përditshëm,  se pse askush nga deputetët nuk kërkoi edhe dënimin e kriminelëve serbë. Ende sot mbetët e paqartë dhe enigmatike , pse askush nga këta që sot flasin se kriminelet serbë duhet të dënohen, në fakt nuk bëjnë hiç asgjë.

Në anën tjetër dhe më tragjikja e këtij pasiviteti është se këto personalitete pengojnë shoqatat të cilat vullnetarisht  dhe pa asnjë ndihmë nga qeveria kanë përgatitur dosje speciale kundër të gjithë serbëve që kanë kryer krime mbi popullin shqiptar.

Kërkesat e shoqatave të familjarëve viktima të luftës injorohen turpshëm

Në mesin e shoqatave që veprojnë vullnetarisht për dënimin e kriminelëve serbë janë: “Ngritja e zërit” në krye më Jahir Bejtën , dhe “Familja dhe Shpresa” nën udhëheqjen e Zana Bytyqi-Geci.

Zana Bytyqi –Geci, e më parë edhe nëna e saj Atifetja, tash e ndjerë, që nga themelimi i shoqatës e gjer më sot nuk pushon duke ua përkujtuar si ndërkombëtarëve dhe liderëve shqiptarë së Ligji pêr krijimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale i vitit 2015 duhet plotësuar dhe shtuar pjesa ku duhet të kërkohet edhe dënimi i kriminelëve serbë.

Kryetarja e kësaj shoqate ka bërë thirrje madje edhe Prokurorit të kësaj Gjykate Z. Jack Smith dhe shumë personaliteteve ndërkombëtare.

Përgjigjes në këtë  thirrje të kryetares së shoqatës “Familja dhe Shpresa” i ka bërë vetëm  AAK dhe Ramush Haradinaj, i cili përmes deputetit të tij Pal Lekaj në legjislaturën e vitit 2017 (në Mars) e ka propozuar ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji,  por asnjëri nga deputetët dhe ministrat e partive të tjera nuk e kanë përkrahur.

Pse nuk u aprovua kërkesa për plotësimin e këtij ligji ?!  Përgjigja ime do të tingëllojë ashpër për disa liderë të cilët ende shpresojnë që Serbia do të bëjë tërheqjen e padive të tyre.

“Ngritja e zërit” rregullisht dërgon dosje në Gjykatën e Kushtetutës së Kosovës dhe gjykata tjera, por Enver Hasani e shumë si Enveri jo vetëm që nuk ia protokollojnë dosjen  e padisë  kundër kriminelëve serbë , por Jahir Bejten e largojnë më dhunë nga zyret e tyre.

Mbetët misterioze, se pse asnjë liderë shqiptar nuk ka guxim të propozojë plotësimin e ligjit të Gjykatës Speciale të aprovuar më 2015 nga deputetët tanë kundër vetvetes e jo kundër Serbisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat