Kujt po i konvenon kriza politike?

Opinione

Kujt po i konvenon kriza politike?

Nga: Skender Musliu Më: 30 prill 2020 Në ora: 19:13
Skender Musliu

Moraliteti, intrigat politike dhe tradhtia e LDK-ës, respektivisht e Isa Mustafës dhe klikës së tij, ndaj elektoratit të ndershëm, ishte fakti se kjo parti gjatë fushatës parazgjedhore premtoi se nëse vijnë në pushtet, do t’a shkarrkojnë presidentin Thaçi dhe do t’a luftojnë korupsionin dhe krimin e organizuar. Mirëpo kur erdhën në pushtet, jo vetëm që nuk iniciuan procedurën për shkarrkimin e Thaçit, por ata iu bashkuan veprimeve antikushtetuese të tij, madje duke marrë përgjegjësi për formimin e Qeverisë së re me AAK, Nismën dhe PSD, që gjatë fushatës pikërisht këta i quante hajna, kriminel dhe e keqja e Kosovës.

Parashtrohet pyetja, ku janë parimet, programi dhe morali politik, çka ndodhi që LDK-ja ndryshoi mendimin ndaj këtyre partive për të bërë koalicion për një Qeveri të re ?!

Me vendimin që ka marrë Isa Mustafa me klikën dhe sahanlëpirsat e tij për t’a formuar Qeverinë tjetër, nuk është asgjë tjetër, përveç marrjes peng të votave bashkë me votuesit, tradhti dhe dhunim i elektoratit i cili votoi për ndryshime e jo për kthimin e politikave të dështuara, që tregon se arena politike e Kosovës është shëndrruar në çarshi politike ku bëhen pazare antikombëtare.

Nominimin e Avdullah Hotit për kandidat të kryeministrit, pa ia ofruar këtë post së pari Zonjës Vjosa Osmani, është gabim monumental, sepse gjatë fushatës parazgjedhore ajo kishte garuar si kandidate për postin e kryeministrit. Nisur nga fakti se Zonja Osmani në dy zgjedhjet e fundit ishte parsoni më i votuar në LDK, flet mjaft për autoritetin dhe imazhin që ka para elektoratit e që konfirmohet me numrin e votave që ajo morri në zgjedhjet e findit, mbi 170 mije vota.

Nga kjo domosdoshmërisht shtrohet pyetja, a u instrumentalizua apo keqpërdor Zonja Osmani nga kasta e Isa Mustafës duke ia grabitur votat e saja për të bërë pazare të pista politike me Thaçin. Keqpërdorimi i autoritet dhe dinjitetit intelektual të Zonjës Osmani për realizimin e prapaskenave të errëta Mustafa-Thaçi është e papranueshme dhe e amoralshme. Me këto veprime Isa Mustafa vërtetoin se LDK-ja dhe PDK-ja kanë lidhshmërie dhe varshmëri të ngushtë me njera tjetrën, sepse këto dy parti janë arkitektët e ndërtimit të korupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe derisa këto dy parti nuk lirohen nga njerëzit e korruptuar dhe inkriminuar, skena politike kosovare vazhdimisht do të dominohet nga krimi dhe e keqja e Kosovës.

Është shumë sinjifikative se si, pothuajse pa përjashim, Shtabi i Përgjithëm i UÇK-ës, mbrenda natës, dhe paraprakisht pa asnjë ditë punë, e bënë një pasuri marramendëse dhe u bënë multimilionera. Me ardhjen në pushtet ata shitën tokat që u mbrojtën me gjak, privatizuan gjithçka që mundën, gjunjëzuan Kompanitë më profitabile të Kosovës, instaluan korrupsionin, nepotizmin masiv, u bënë pjesë e krimit të organizuar dhe për dy dekada rresht zhvatën shtetin që u krijua me shumë sakrifica. Këta persona kishin Fondin Vendlindja thërret, kurse Isa Mustafa dhe kllapa e tij kishin Fondin e 3%, dhe në vend që këto para të shfrytozoheshin për konsolidimin e institucioneve dhe shtetit të brisht, ata abuzuan në mënyrë të paturpshme dhe të pamëshirshme, sepse bëhet fjalë për shume të mëdha parash, që ndoshta kalojnë dy miliard dollarë.

Këto keqpërdorime janë bërë në korriz të dëshmorëve që luftuan për një shtet të lirë dhe demokratik, invalidëve të luftës të cilët jetojnë me ndihma sociale dhe kushte ç’njerëzore, luftëtarët e vërtetë që një pjesë e tyre iku nga Kosova për të cilën luftuan sepse nuk gjetën punësime dhe nuk u ndihmuan nga ata që kishin obligim, kurse këta që shkatërruan shtetin nuk lanë asnjë anëtarë të familjes pa punë duke i punësuar nëpër institucione, Ambasada, Konzulate, nëpër Borde të Kompanive, dmth gjithandej ku pagat janë të majme. Ishte e dhimbshme, para disa dite në një televizion treguan një qytetar i cili duke u dridhur thoshte : mbani në mend, nuk do të vdes nga koronavirusi, por nga varfëria, që fatkeqësisht raste të tilla në Kosovë ka me dhjetra mijëra, ndërsa pushtetarët tanë jetojnë në luks. Po të njejtit këta, premtojshin se do të krijojnë mbi 200 mijë vende pune, por jo vetëm që nuk mbajtën premtimin, fatkeqësisht ata shpërngulën afro 250 mijë qytetarë.

Ardhja në pushtet e një garniture të re politike, siç është Qeveria në detyrë, çliroi popullin nga heshtja, sepse gjer më tani politikanët ishin të paprekshëm, në opinion ishte krijuar frika nga këta që keqpërdorën dhe plaçkitën shtetin. Mirëpo me këtë qeverisje popullit iu kthye guximi për t’a thënë të vërtetën duke denoncuar keqpërdorimet e politikanëve të papërgjegjshëm.

Edhe nëpër disa televizione të pavarura dhe gazetar neutral çdo ditë e më tepër po dalin në shesh abuzimet masive të politikanëve komandanta. Qeveria në detyrë po ashtu tregoi shembullin e vet duke shkarrkuar Bordet politike dhe nepotike duke ua nxjerrë në shesh abuzimet masive.

Në një klime të tillë, keqbërësit të friksuar nga pamundësia e justifikimit të pasurisë ata vendosën të shkaktojnë një krizë politike dhe instuticionale që u përshtatet vetëm atyre.

Në këtë lojë politike janë bërë bashkë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në shkelje flagrante të Kushtetutës duke dashur të formojnë një Qeveri që i përshtatet Hashim Thaçit për realizimin e politikave të tij të dyshimta.

Është shumë vështirë të gjesh një shembull që një Qeveri legjitime është rrëxuar nga bashk-koalicionuesi vetëm pas 51 ditë qeverisje, kjo mund të ndodh, ashtu siç ka ndodh, kur përmbyset një Qeveri përmes grushtshtetit apo juntës ushtarake, kurse në Kosovë me këtë rast kemi një atentat ndaj Kushtetutës dhe veprime kundër vullnetit të sovranit.

Insistimi i Hashim Thaçit të formojë një Qeveri duke përjashtuar fituesin e zgjedhjeve prish Rendin Kushtetues dhe krijon një presedan të rrezikshëm.

Se deri ku mund të shkojë papërgjegjshmëria e Hashim Thaçit si president, tregon udhëtimi dhe kthimi i tij mistik në Shqipëri brenda një ore duke shkelur rregullat e protokollit shtetëror. Kjo vizitë kaq e shkurtër, me të drejtë, hapi shpekullimet se ai me vete kishte marrë deputetin Behxhet Pacollit, vota e të cilit mund të luajë rol vendimtar për grushtshtetin në Kosovë. Nëse kjo del e vërtetë, atëherë nuk ka dyshim se kastat politike në krye me Hashim Thaçin janë duke luajtur një lojë shumë të rrezikshme, fundi i së cilës mund të jet tragjike. Janë krejtëisht iracionale dhe të papërgjegjshme sjelljet dhe veprimet e kreut të shtetit të kontrabandojë deputet për qëllime politike, në shkelje të ligjit.

Mënyra se si po procedon presidenti Thaçi për formimin e Qeverisë Hoti, do të prodhojë dy Qeveri, njena legale dhe legjitime, e Kurtit, kurse tjetra antikushtetuese, e Hotit. Edhe nëse rastësisht, që nuk besoj,do të votohet një Qeveri, ajo nuk do të jet as legale e as legjitime, sepse do të bëhet në shkelje të Kushtetutës.

Si rrjedhojë e kësaj del se Qeveria Kurti është ajo që duhet të vazhdojë të qeverisë vendin deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme, pas pandemisë.

Do të ishte interesant për juristët t’a dinë se në cilin nen dhe paragraf është thirrur Thaçi kur i është drejtuar LDK-ës për propozimin e mandatarit, sepse në Kushtetutën ekzistuese të Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë nen dhe paragraf që lejon një veprim të tillë. Prandaj kur Kushtetuta dhunohet me paramendim, e sidomos nga personi i cili është i thirrur sipas Kushtetutës t’a mbrojë ate,sepse nuk besoj që ka këshilltarë juridik në presidencë që e ka Këshilmluar kështu, paraqet vepër penale që mund të implikojë edhe shkarrkimin e tij.

Autori-jurist i diplomuar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat