Sa herë Shqiptarët, në Kosovë e Shqipëri, qeverisen nga e Majta, udhëheqësi glorifikohet dhe është më i fuqishëm se Forca Popullore

Opinione

Sa herë Shqiptarët, në Kosovë e Shqipëri, qeverisen nga e Majta, udhëheqësi glorifikohet dhe është më i fuqishëm se Forca Popullore

Nga: Vendim DEMAJ* Më: 30 prill 2020 Në ora: 21:25
Arkiv

Shumë fatkeqësi i kanë rënë mbi kokë shqiptarit gjatë shekujve, mbase gjatë mijëvjeçarëve. Kjo tokë e lashtë ilire ka hequr dhe heq akoma, lëngon nga padrejtësitë dhe fatkeqësitë, për shkak të të huajve në variantin më të mirë dhe për shkak të “vetes” në variantin më të keq e më të shëmtuar të mundshëm.

Një nga këto kobe, dhe ndëshkime, mbase nga Perëndia, është edhe e majta, e cila po bën gati një shekull që ka pllakosur mbi shqiptarët e trojeve ballkanike.

Të gjithë e dimë se çfarë hoqi e shkreta Shqipëri për 50 vjet nga diktatori më i tmerrshëm, Hitleri i Ballkanit, Enver Hoxha, ky satrap, i cili e “zëvendësoi” edhe Zotin për Shqiptarët. Por nuk mbeten pas edhe shqiptarët që mbetën matanë kufirit shqiptaro-shqiptar, në Kosovën dardane, dhe këtu është edhe pika e lidhjes ndërmjet “internacionalistëve” komunistë, marksistë, shovinistë, këtej e andej kufirit.

Të gjithë e kemi mësuar se si u krijua Partia Komuniste në Shqipëri, se cilët ishin emisarët e komisarët jugosllavë që na u bënë vëllezër-probatim dhe se si vëllezërit tanë të një gjaku u lanë matanë kufirit shqiptaro-shqiptar, pikërisht nën sundimin e gjakpirësve serbë.

Por çfarë lidhjeje ka kjo me aktualitetin?

Bash në këto kohë shqiptarët duhet të jenë më vigjilent se kurrë, ta njohin mirë situatën dhe aktorët e saj, kjo, për arsye se pasardhësit, nxënesit, shërbetoret e Rrahman Morinës (Isa Putini &Co) në Kosovë dhe të Enver Hoxhës në Shqipëri duan të bëjnë një tjetër “besëlidhje” vllaznim-bashkim me Vucičin, pasardhësin e Millosheviçit në Serbi.

Po ç’është kjo e keqe e madhe që i bashkon Hashimin, Edvinin dhe Vučičin?

Një nga të përbashkëtat e tyre është pikërisht ideologjia e tyre marksiste.

Të gjithë shqiptarët e kanë përjetuar dhe e dinë mirë se çfarë ndodh kur në pushtet vjen kjo e majta fashiste dhe e dinë fare mirë (edhe pse ndokush e ka të vështirë ta pranojë) se çfarë arritjesh e suksesesh ka kur në të dyja anët e kufirit qeverisin forcat e djathta, konservatore.

Shqiptarët e Kosovës e njohin mjaft mirë Rrahman Morinën, i cili ishte vetë zot dhe vetë shkop, por gjithsesi në dorën e Serbisë. po ashtu dihet se cili ka qenë aktiviteti i tij në dëm të patriotëve të vet, që kurse ishte një polic në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë dhe deri kur ishte ministër i Brendshëm apo kryetar i Partisë Komuniste të Kosovës, dhe në atë kohë për Millosheviçin zgjidhja më e mirë ishte që Kosova t'i besohej një kryepolici, Morinës, i cili rriti dhe përgaditi këlyshët e tij që sot kanë marr vendin peng duke u bërë vegla që përdoren nga shqipfolësi argat i Serbisë.

Edhe në Kosovën e pasluftës, situata vazhdon të jetë e njëjta me Hashim Thaçin, ky personazh, që tash e 20 vite dominon politikën dhe pushtetin në Kosovë, duke përdorur metodën putiniane që ndërro qeveritë sipas interesave të tij personale.

Ky president halabak, trafikant, që as në këtë kohë pandemie botërore nuk kursen shtetin dhe popullin e tij nga këto dallavere dhe pazare politike, sepse me ndihmën e këlyshëve të Rrahman Morinës e ka bërë hasha dhe e trajto si bahçen e tij në Broje. Ky hajn tinëzar, ky çifligar matrapaz, duhet të shkarkohet dhe të hetohet për njëmijë e një arsye dhe të dërgohet atje ku e pret karriga në bankën e të akuzuarve, si një urdhërues i disa krimeve ndaj kundërshtarëve të ideve të tij dhe si tregtar i hapësirës territoriale të Kosovës, e cila është njohur dhe pranuar nga Gjykata Ndërkombëtare.

Këtu duhet ta kujtojmë të gjithë fushatën e Hashimovičit dhe të argatëve të tij për ndarjen e Kosovës; fushatën e pistë, tradhtare, antishqiptare që po bën edhe tani mercenari i tij dhe i Vuçiçit, shqipfolësi Baton Stanishiqi nëpër studio televizive që i vihen në dispozicion nga mafia mediatike që zotërojnë pushtetet në Prishtinë, Beograd e Tiranë. Dhe pikërisht në Tiranë është këndi i tretë i trekëndëshit famëkeq Beograd-Prishtinë-Tiranë. Edvin Ajatollahu, i cili po ecën në rrugën e Erdoganizimit të pushtetit, ç'ka do t’ia kishte zili edhe ati i tij shpirtëror, Enveri.
Për atë çfarë ka bërë tash e shtatë vite në qeveri e shumë të tjera më përpara në Ministri e Bashki, po e kurorëzon më së miri në këtë situatë pandemie, si asnjë kryeministër në glob, Edveri ka burgosur shqiptarët e shekullit XXI më keq se sulltanët dhe diktatorët më të egër të Mesjetës.
I bekuar me mbështetjen sorosiane, Edvini ia ka dalë ta frikësojë një popull të tërë, me frikën e jetës, por duke synuar heqjen e lirisë e më keq akoma heqjen e të menduarit për liri. Zaten, kjo është edhe një nga fatkeqësitë që u rri gjithnjë mbi kokë shqiptarëve.

Kurse Opozita Shqiptare nuk përfillet nga kjo bandë sunduese as në situata të fatkeqësive natyrore, siç ishte Tërmeti i 26 nëntorit dhe situata e pandemisë e shkaktuar nga Coronavirusi, pra propozimet dhe gatishmëria e saj për bashkëpunim nuk merren për bazë fare. Përkundrazi, Qeveria me anë të propagandës dhe mediave të vëna nën sundim nga vetë Ai, sulltan-satrapi Edvin, denigrohet e fyhet në çdo moment opozita dhe propozimet e saj.

Por, pyetja që lind është; A duhet që Opozita të pajtohet me nënshtrimin ndaj këtij sundimi që populli ka pranuar de fakto,  ku Qeveria shqiptare është e vetmja në botë që ka bunkerizuar një popull të tërë dhe eksperimenton me të, kurse opozitarizmi në Amerikë apo Evropë është në shpërthim ndaj kufizimit të Lirisë, saqë lideri i Opozitës Italiane Salvini ka deklaruar se; s’ka gjendje të jashtëzakonshme që na ndalon për të rrëzuar këtë qeveri të dështuar?!

Natyrisht që JO s'duhet pajtuar, por duhet të prishim këtë status-quo të imponuar nga dy fatkeqësitë e ndodhura dhe të ngrohim shpresat e shqiptarëve që të ngrihemi dhe të shporrim këta tradhtarë, këta “Esat Toptanë” modernë, të cilëve historia do t’u rezervojë vendin që meritojnë, vendin e turpit dhe të tradhëtisë kombëtare atë të llumit të shoqërisë shqiptare, e cila prevalon me aspiratë evropiano-atlantike-perëndimore.

Ditë Më Të Mira Do Të Vijnë, Por JO duke Pritur Nga Ballkonet.

*Ish Nënkryetar i Bashkisë së Kamzës, ish kandidat për deputet i PD-së në Qarkun e Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat