Kryqëzohet Shkëlzeni, por heshtet Batoni!

Opinione

Kryqëzohet Shkëlzeni, por heshtet Batoni!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 1 maj 2020 Në ora: 11:58
Shkëlzen Gashi dhe Baton Haxhiu

Veprimtari i të Drejtave të Njeriut, njëherësh, edhe publicist i mirënjohur, Shkëlzen Gashi, në një medie televizive, foli për krimet monstrume, gjatë dhe pas luftës, të bëra nga individë të UÇK-së, të veshur jo vetëm me uniformë, por edhe me tituj ushtarakë.

Në mbrëmjen e asaj dite, në TV7, Baton Haxhiu shpalosi një projekt-plan, të marrëveshjes Kosovë-Serbi, që, për nga dëmi, tejkalon të gjitha deklarimet goditëse, të deri tanishme, për Kosovën: 

"Kemi tri elemente që duhet të këtë marrëveshja: 

E para, është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj;

E dyta, ka të bëjë me amnistinë në të dy vendet, pas 20 vitesh, s´kanë çfarë dënohen më njerëzit; dhe 

E treta, është definimi i Veriut".

Vitin e shkuar, Baton Haxhiu, ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë në shërbim të Serbisë:"Veriun (e Mitrovicës) duhet të lamë të ikë!"

Vërshoi vala e akuzave, madje, edhe e kërcënimeve kriminale e rrugaçërore, kundër Shkëlzen Gashit, që po të funksiononte drejtësia, disa syrësh, do t`i zinxhironte si qentë.

Editori i Kombëtares "Bota Sot", Xhevdet Mazrekaj, duke qenë medie e pavarur, e hapur për shprehjen e mendimit të lirë, u dha hapësirë të gjithëve, madje edhe sharjeve e fyerjeve, pa asfarë etike familjare e njerëzore.

Për habi, deklarimet e Baton Haxhiut u kaluan në heshtje, sikur s`ka thënë asgjë, s`ka ndodhur asgjë!

 Ishte i pari botuesi i "Bota Sot", Xhevdet Mazrekaj, që shtroi pyetjen logjike:

 "Kujt duhet t`i reagohet, Shkëlzen Gashit apo Baton Haxhiut?" 

Dhe, kjo nuk është rastësi. Sepse janë Vëllezërit Mazrekaj, që, për një çerek-shekulli, janë vënë në mbrojtje të fjalës së lirë; të demokracisë; të kundërshtisë të falsifikimit të historisë më të re të Kosovës. Dhe, historia e Kosovës, e kësaj periudhe, nuk mund të shkruhet, pa faktografinë e bollshme, të pasqyruar në faqet e gazetës "Bota Sot" dhe portalin e saj të begatë.

Kjo medie e shkruar, do të mbahet mend për qëndresën dhe sakrificën sublime të gazetarëve të përgjakur; të drejtorëve, kryeredaktorëve, redaktorëve të përzgjedhur për trimëri, mençuri e profesionalizëm, të cilët përjetuan kalvarin e fyerjeve, provokimeve, kërcënimeve individuale dhe familjare.

Meritojnë vlerësim e lavdërim shumë qindra gazetarë, analistë dhe opinionistë, të cilët, përkushtueshëm, kontribuuan në "Bota Sot", për një informim real e dinjitar.

Ndërhyrja e zotëri Mazrekaj, stopoi maskaradën e kampanjës, të lukunisë së organizuar, akuzuese, sulmuese e linçuese, pafreshëm, për publicistin dhe veprimtarin e të Drejtave të Njeriut, Shkëlzen Gashi, ndonëse "i preku në kallo", "komandantët", të cilët, përgjakën Kosovën, duke u thirrur, falsifikueshëm, në emër të UÇK-së!

Ajo që mund të shmangte veprimtari Shkëlzen Gashi, ishte mos adresimi i përkatësisë etnike të viktimave, ngaqë ky fakt u shfrytëzua dhe u trumbetua, krejt artificialisht, për qëllime që dihen, nga mediet serbe, por, duke qenë këshilltar politik i Kryeministrit, edhe nga mediet vendore. 

Ata që anatemuan, kryqëzuan Gashin, më parë, duhej ta demantonin Serbinë zyrtare, duke ia kujtuar 13 mijë viktimat e saj shqiptarë, në raport me 1 mijë viktimat të supozuara serbe dhe krimet tjera përndjekëse e rrënuese në Kosovë. (Kujtoni dosjen voluminoze të avokatit Bajram Kelmendi, për krimet e bandës shtetërore të Millosheviçit, i cili u bë "kurban" i Kosovës, së bashku me dy djemtë). Megjithatë, zhurmaxhinjtë e dirigjuar nga shefat e tyre, në sulmin frontal, kundër këshilltarit politik, Shkëlqen Gashit, përkatësisht, Kurtit dhe Vetëvendosjes së tij, heshtën, sepse Serbia shantazhuese, "ua ka zënë bishtin me derë", me dosjet e arkivuara.

Dhe, krijesa e "komandantëve", OVL të UÇK-së, mbrojtëse e dhunshme e themeluesëve të saj, kinëse, në mbrojtje të vlerave të luftës të UÇK-së, duhej t`i reagonte Baton Haxhiut, për shpalosjen e tri pikave të marrëveshjes konspirative, tashmë, të bërë publike, nga ndërmjetësuesi dhe mentori i trinomit : Aleksander Vuçiq,  Hashim Thaçi dhe Edvin Rama, pikërisht, Baton Haxhiu! Megjithatë, krerët e OVL të UÇK-së, heshtën, turpshëm, ndaj deklarimeve ogur-zeza të Batonit dhe sulmuan, mujshëm e rrugaçërisht, duke reaguar ndaj një deklarimi të Shkëlzenit, që, fundja, është - e FSHEHTË PUBLIKE -! 

Autorësinë fillestare të kësaj marrëveshje, super të rrezikshme për Kosovën, e kanë Vuçiq dhe Thaçi. Për logjistikë lehtësuese e kanë aktivizuar kryeministrin Rama. Koordinator i përhershëm ka qenë Batoni, si shumë i besueshëm i palës serbe, bazuar në flirtet e hershme të tij me Sigurimin Sekret serb. 

Pajtimi i shefit të TV7, Berat Buzhala, me Baton Haxhiu, është ogur i keq për Beratin dhe Kosovën. Një medium, me një shikueshmëri masive, me qasjen opinioniste të Batoni Haxhiut, i njohur "si parja e kuqe", si argat i Serbisë, e dëmton atë. Batoni, me porosi të Hashim Thaçit dhe të PAN-it të tij, filloi sulmin kundër Vjosë Osmanit, me qëllim të trimërimit të klanit brenda Kryesisë të LDK-së, për ta goditur Vjosën, përkatësisht, LDK-në.

Shpalosja e marrëveshjes konspirative, të treshes së zezë, nga këshilltari i tyre, Baton Haxhiu, ishte porosi e drejtpërdrejtë e "trojkës" në fjalë, për ta matur pulsin e shqiptarëve dhe përgatitur terrenin e implementimit të saj, të cilët, me heshtjen skllavëruese të tyre, kanë vënë në peshojë, nëse e kanë merituar lirinë e falur nga NATO-pakti, përkatësisht, Qendrat e Vendosjes Botërore.

Në portalin e "Bota Sot", së fundi, janë botuar dy shkrime të studiuesit Prof. Dr. Enver Bytyçit, lidhur me deklarimet e Shkëlzen Gashit dhe të Baton Haxhiut. Është një analizë e thuktë dhe racionale. Andaj, po sjellim titujt e dy shkrimeve në fjalë: 1) "Çfarë po fshihet prapa deklaratës së Shkëlzen Gashit, zbulohet se çka po përgatitet për Kosovën" dhe 2) "Baton Haxhiu - Kasandra që paralajmëron projektet serbe kundër Kosovës".

Dalja publike e presidentit, dy ditë më vonë, se "nuk do të këtë kurrë amnisti për Serbinë", ishte një kamuflazhë e zakonshme, siç jemi mësuar ta dëgjojmë atë ndër vite, pra, - fjalë e rrenë! Hashimin e njohin shqiptarët. I dinë edhe gjynahet e tij. Ai është gadi ta bëjë - rrafsh Kosovën -, në këmbim të lirisë së tij personale, natyrisht, hiç meritore. Atë dhe komandantët tjerë, të sojit të tij, -  i ka në grusht - Serbia, thjeshtë, janë të shantazhuar. 

Ata duhej të largoheshin nga politika, të mos e ngulfatin edhe më tej Kosovën. Përkundrazi, presidenti u kërkoi mejdan ministrit Sveçla dhe kryeministrit Kurti. Sot e përsëritën kanunizimin provincial të Hashimit edhe kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe kuadri i tij Ramiz  Lladrovci, "ne jemi këtu", ejani po jau mbajti! Folën në emër të UÇK-së, pa qenë kurrë pjesë e saj asnjëri prej tyre. Shfrytëzuan homazhet, duke përdhosur dëshmorët dhe viktimat.

Asnjë shtet në botë nuk i veshë me pushtet njerëzit e shantazhuar, sepse janë rrezik, madje, i parathënë, për vendin. Kosova është unike, për këtë maskaradë vetëvrasëse!

"Nxirr 1 kashtë, e dalin 6"

Më hamendësimin e stërzgjatur të LDK-së, për koalicionin me VV-në; futjen si pykë të postit të presidentit; emërimin e një ministri në qeveri, që kishte afinitet me PDK-në, PAN-in, edhe pse ka plagë në trup nga ata, nga njëra anë dhe, vendimet mujëshore përjashtuese të VV-së, pavarësisht sjelljeve të ministrit dhe zëvendës-kryeministrit të LDK-së; kërkesa shantazhuese e idioteske, për zgjedhje të reja, ndërkohë që sapo  të dalë nga një palë zgjedhje e, deri ke sjellja qumështore, foshnjore me administratën amerikane, nga ana tjetër, vërteton deklaratën e kuadrit të lartë SHIK-ut, Xhavit Haliti, se "SHIK-u i ka njerëzit e vet në të gjitha partitë". Dhe, këta, duke qenë në strukturat eprore vendimmarrëse, pengojnë çfarëdo nismash e reformash, brenda partisë, që i rrezikojnë ata, me humbjen e pushtetit.

Aktivizimi enorme i presidentit dhe i eksponentëve të njohur për konspirativitet, njëherësh, ka shqetësuar veprimtarin kombëtar, Shkëlzen Gashin, për rrezikun që po i kanoset Kosovës. Andaj, edhe ka rihapur plagën që kullon gjak, që nga lufta, duke na kujtuar thirrjen e heroit çek, Julius Fuçik-ut, para skuadrës të ekzekutimit: "Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë!" Gashi, si njeri i angazhuar, veprimtar i të Drejtave të Njeriut, ka informacion më shumë se të tjerët.

Vërtet, shqiptarët kanë rezerva dyshuese për akuzat e Dick Martit, lidhur me transplacione organesh, nga Hashimi me shokë. Jo pse besojnë në ndjesinë e tyre humane, sepse bandat e tyre kanë eliminuar, deri në varje e karbonizim, kundërshtarët politikë dhe dëshmitarët potencialë. Por, pse kanë zhvatur aq shumë Fondet milionshe të - 3 %-shit - dhe të - "Vendlindja thërret" -, sa "nuk ia ka vlejtë barra qiranë", me u marrë me therje e bisturira!

Por, ata që akuzuan, deri në linçim Shkëlzen Gashin, përfshi edhe kuadro bashkë partiakë të tij, ishin profanë në "argumentet" e tyre. Prokurorët Dick Marti dhe Carla del Ponte, kanë sjellë akuza të tjera të faktuara, madje, të bollshme, për krimet monsrtume në Kosovë, që janë të pademantueshme, në veçanti, kundër shqiptarëve të pambrojtur.

Propaganda PAN-iste, e stazhionuar në pushtet, me SHIK-un e saj, ka instaluar një propagandë neveritëse. Shembull: Një "komandant", i akuzuar për vrasjen e shqiptarëve, ftohet për intervistim në Hagë. Televizioni "publik", RTK-ja jep lajmin sensacional se filan "komandanti" po shkon në Hagë, për ta mbrojtur UÇK-në!" 

Cinike deri në skajmëri! UÇK-ja nuk ka nevojë për mbrojtje nga kriminelët. Ndërkombëtarët dhe përgjegjësit e Gjykatës Speciale, e kanë thënë dhe përsëritur, se "akuzohen individët, të dyshuar për krime dhe jo UÇK-ja". Ndërkohë, eksponentët e krimeve numerike, i ngatërrojnë, qëllimshëm, vrasësit me UÇK-në luftarake, në krye të detyrës, të misionit të saj çlirimtar. 

Batoni dhe VV-ja pajtohen në zhbërjen e Gjykatës Speciale, sjelljen e saj në Kosovë. Kjo nënkupton eliminimin edhe të atyre dëshmitarëve, që ende frymojnë kësaj bote. Ideologjia majtiste, komuniste, që nga Revolucioni i përgjakshëm i Tetorit 1917, në Rusi, e deri në vitin 1990, në vendet ish-komuniste, të cilat, cinikisht e verbërisht, janë quajtur demokratike, kanë mohuar drejtësinë individuale dhe kolektive. Përndryshe, VV-ja proklamon barazi, por, sa do të prodhojë drejtësi, mbetet të shihet, kur të jetë "kismet", për ta rimarrë pushtetin, të cilin e humbi për ahmakinë paradoksale, në kohë dhe hapësirë!

Përndryshe, kushdo që mohon Gjykatën Speciale, si shpresën e fundit të shqiptarëve të kudondodhur, për çkapje nga krimi, për zbulimin dhe ndëshkimin e krimeve serike, të të gjitha llojeve, të këtyre tej dy dekadave të fundit, bëhet pjesë e krimit. Përrallat e Baton dallaveres dhe të Albin Kurtit me shokë, se "kriminelët i dënojmë në Kosovë", tashmë, nuk i beson askush, që ka "dy fije mend në kokë!"

Deklarata e intelektualit të dinjitetshëm dhe me guximin e duhur qytetar, Shkëlzen Gashi, denoncoi, zëshëm, dyshimet e mbajtura në heshtje, më saktë fare, të vërtetën e heshtur, se përveç adresës së njohur, Serbinë, për një pjesë të personave të zhdukur, përgjatë luftës dhe pas saj, Gashi e adreson, mjerisht, tek "komandantët" shqipfolës. 

Në ditën e përkujtimit të të zhdukurve, më 27 prill, e cila u shënua me fikjen e dritave, në ora 20.oo, u shtua numri i zërave të familjarëve, se "djalin ma morën komandantët, me uniformën e UÇK-së dhe nuk ma kthyen kurrë në shtëpi!" Dhe, kjo është, pambarimisht, e trishtime, sepse viktimat e tyre, pra, të komandantëve dhe djemtë e baballarëve, do të mbesin, përjetësisht, vulë-humbur, pa varr. Kësaj i thonë "nxirr 1 kashtë, e dalin 6!" "Zallamahia" e akuzave, kundër Gashit, dhanë  efektin e kundërt!

Poterë dhe anatemë e madhe u bë, kur "i çmenduri" Nazim Bllaca, në sheshin qendror të Prishtinës, denoncoi vetën dhe SHIK-un e tij, për krimet e bëra. Dhe, të gjitha denoncimet vetë-akuzuese dhe akuzuese, për bashkëpunëtorët e tij, i konfirmoi, verifikoi drejtësia. 

Edhe denoncimet, për të bëmat e disa komandantëve të UÇK-së, të dëshmitarëve, pjesëmarrës në krime, si Agim Zogaj, tashmë, i varur; Agim Hoti nga burgu i Dubravës; Bashkim Mehmeti nga burgu i Dyzit; Shefqet Kabashi, në dëshminë e Hagës, me pyetjen-bombë, drejtuar trupit gjykues: "Kush më mbron mua? Cilin dëshmitar e mbrojtët ju? Ata, pas dëshmive, janë ekzekutuar nga bandat vrastare, që bredhin të lirë në Kosovë dhe jashtë saj. Prandaj, nuk dua të dëshmoj!" Rrëfimet, e herëpashershme, faktike, denoncuese të eprorit të lartë të SHIK-ut, Naim Miftari, i granatuar në shtëpinë e tij, pikërisht, për deklarimet denoncuese të krimeve të kolegëve të tij komandantë.

Këto dhe të dhëna të tjera, madje, të bollshme, duhet të shërbejnë për maturinë e njerëzve, për vetë-përmbajtjen e tyre, të mos i lëshojnë fjalët sharëse dhe akuzat paushallë, "si lopa bajgën", siç po veprohet shpesh, si në në rastin e sulmeve korale dhe të marrëzishme, kundër aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlzen Gashit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat