Përmbysja e demokracisë në Republikën e Kosovës

Opinione

Përmbysja e demokracisë në Republikën e Kosovës

Nga: Nehat Hyseni Më: 2 maj 2020 Në ora: 17:00
Nehat Hyseni

Është befasi e papresedan në performansën dhe praktikën e deritanishme të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që në ditë pushimi, ose më saktë feste ndërkombëtare të punës, një majit, të mblidhet dhe të merr vendim për vendosjen e ‘Masave të Përkohëshme’ dhe ta pamundësoj formimin e Qeverisë Hoti, të LDK-së, duke e hequr definitivisht nga zyrat Qeverinë Kurti në detyrë, që është rrëzuar me mocionin e LDK-së të votuar me mbi 2/3 e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, më 25 mars të këtij viti.

Në fakt, Qeveria Hoti në ardhje e LDK-së, që i ka 64 vota nga 61 të domosdoshme për formimin e shumicës së re qeverisëse, nuk u pengua nga ndonjë parim kushtetues të mirëqenë, që ta mbaj mbledhjen e caktuar për të shtunën, më 2 maj, në orën 13, e as nga influenca dhe kërcënimet evidente të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit personalisht, si dhe të militantëve të tërbuar të saj, se do i përsërisnin skenaret e dikurëshme të kësaj partie, duke ia vënë flakën institucioneve e pasurisë publike e private dhe duke rrezikuar skajshmërisht jetët e njerëzve dhe sigurinë e shtetit dhe të institucioneve.

Realisht, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti me kohë kishte marrë masa që aksionet shkatërrimtare të Vetëvendosjes, kësaj radhe të ishin edhe më të rrezikëshme dhe vdekjeprurëse për Republikën e Kosovës, me heqjen e rethojave mbrojtëse në oborrin e Kuvendit të Kosovës, me arsyetinmin se kjo ndërtesë ‘nuk ka nevojë të mbrohet nga populli’!

Kurse, dihet se populli është Vetëvendosja, kurse VV është Albin Kurti.

Pra, skenarët ishin përgatitur për të

’ndodhur populli’, siç na kujtohet historia jo shumë e largët e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në trevat e ish Jugosllavisë.

Mbase, kjo frikë ishte reale dhe sqaron ‘efikasitetin’ e pazakontë dhe të papresedan të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që ishte befasi e madhe për të gjithë.

Por, edhepse ishte efikase që në mënyrë të rrufeshme t’i përgjigjej kërkesës së Vetëvendosjes për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Qeverisë Hoti në ardhje, me 64 deputetë, kjo Gjykatë ia zgjati jetën Qeverisë Kurti në detyrë edhe për 29 ditë, edhepse kjo i ka vetëm 3O vota nga 12O deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani doli para mediave me një ton triumfalist dhe me deklarata mburrëse dërgoi mesazhin se edhe ajo ndihet krenare dhe pjesë meritore për këtë Fitore të Madhe kundër LDK-së dhe Qeverisë Hoti në ardhje, paçka se Qeveria në detyrë Kurti është Qeveri e pakicës dhe i duhen edhe 31 vota minimalisht në Kuvendin e Kosovës për të funksionuar.

Pra, Gjykata Kushtetuese për arsye të paqarta, e trembur nga kërcnimet ‘popullore’ të Vetëvendosjes se do të bëhet nami, apo ‘për arsye kushtetuese’, realisht veproi në favor të një partie politike, duke e vazhduar amullinë politike të një qeverisje mje me duar të lidhura, të paaftë për vendimmarrje dhe proçedim të ligjeve për miratim në Kuvendin e Kosovës, për shkak të mungesës së numrave në Parlament.

Tragjedi kjo në këtë kohë të pandemisë, që e largon Republikën e Kosovës së paku për katër javë nga zgjidhja e këtij problemi akut të funksionimit të demokracisë, që realisht ka sfiduar, ka përdhosur e përçudnuar edhe vet esencën dhe kuptimin e mirëfilltë të nocionit të demokracisë, si pushtet i shumicës, duke e degraduar atë në qeverisje të pakicës.

Kjo që po ndodhë aktualisht është e kundërta e demokracisë, meqë pushteti dhe qeverisja e pakicës, ka tjetër emër: ajo është autokraci apo diktaturë e pakicës kosovare ndaj shumicës së deputetëve në tempullin e demokracisë përfaqësuese m, dmth në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Për këtë katrahurë kushtetuese që po e ndihmon diktaturën e pakicës ndaj shumicës së përfaqësuesve legjitim të këtij populli, më së miri, me gjuhën e tij të njohur lakonike e të rimuar në mënyrë poetike e ka shprehur Albin Kurti në vitin 2O14, si nisiator dhe pjesëtar i koalicionit VLAN.

Do të ishte ideale poqese Albin Kurti tani në vitin 2O2O të kishte kurajo, besim dhe vullnet që ta dëgjoj e respekttoj Albinin e vitit 2O14.

Asgjë më shumë se ç’thoshte ai vet asokohe për nocionin e shumicës dhe të pakicës në Kuvendin e Kosovës dhe për të drejtë e qeverisjes së shtetit!!!

Kjo më së miri flet për paqëndrueshmërinë dhe jokonzistencën e deklarimeve dhe për paqëdrueshmërinë morale e jodinjitoze të Albin Kurtit, këtij njeriu me ambicje të mbinatyrëshme për pushtet të pakufishëm e absolutizëm diktatorial në këtë kohë pandemie të shekullit XXI.

Por, do të ishim të padrejtë dhe jokorrekt deri në fund, poqese e fajësojmë vetëm Albin Kurtin dhe makinerinë e tij trishtuese që ia ka futur deri në palcë frikën të gjitha institucioneve në shtetin e Kosovës me ‘ndodhjen e popullit’ dhe dhunën dhe kapacitetet shkatërruese të dirigjuara nga VV dhe lideri i saj.

Jo, jo, nuk është fajtor vetëm Albin Kurti për këtë. Por gjithësesi Albin Kurti po e keqpërdorë e stërkeqpërdor atë që e përgatiti dhe na servoi PDK dhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli në vitin 2O14, me militantët e vet besnikë, të veshur me uniformë të gjykatësit brenda Gjykatës Kushtetuese, duke e shndërruar këtë Tempull më të lartë të drejtësisë në Republikën e Kosovës, në makineri të realizimit dhe shndërrimit të interesave politike të PDK-së, në vendime të kësaj Gjykate.

Prej asaj kohe, nocioni i demokracisë në këtë vend mori kuptimin e kundërt të saj, në vend të kuptimit të mirëfilltë si qeverisje e shumicës, me automatizëm na u shndërrua në qeverisje dhe pushtet të pakicës, si dhe na u promovua në mënyrë diletanteske e për faqe të zezë nocioni i ‘fituesit të zgjedhjeve’ për partinë që fiton shumicën relative të votave në zgjedhje, realisht si fitues të shumicës absolute të zgjedhjeve.

Nga ky shkak, pasuan të gjitha të këqiat dhe ngërçet e mëvonëshme dhe kriza gjashtëmujore e vitit 2O14, që tani ka marrë përmasa dramatike të çoroditjes autokratike të Albin Kurtit dhe partisë populiste të tij, në marshimin e tyre historik të ‘ndodhjes së popullit’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat