Si veproi Gjykata Kushtetuese?

Opinione

Si veproi Gjykata Kushtetuese?

Nga: Skender Musliu Më: 2 maj 2020 Në ora: 17:24
Skender Musliu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditën e enjte, me 30 Prill bëri publike Dekretin e tij për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Mirëpo, ajo çka është interesant të theksohet në këtë kontekst është dita të cilën ai përzgjodhi për t’a nxjerrë dhe publikojë Dekretin si dhe baza juridike në të cilën ai thirret.

Së pari, për t’a dërguar dhe bërë publik Dekretin, jo rastësisht Thaçi zgjodhi ditën e enjte, respektivisht 30 prillin, pas orës 16, kur edhe kryhet orari i punës, sepse të nesërmen d.m.th. ditën e premte ishte 1 Maji, festë zyrtare, që nuk punohet dhe pastaj fundjava, e shtunë dhe e diel. Kështu ai ka menduar se do t’a sillte para aktit të kryer Lëvizjen Vetvendosje, duke ia pamundësuar të ushtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës gjatë këtyre tre ditëve, e që ndërkohë, ditën e shtunë me 2 Maj, ishte konvokuar seanca e Kuvendit për investimin e Avdullah Hotin për kryeministër, rrjedhimisht për t’a formuar Qeverinë Hoti.

Mirëpo siç e ka treguar praktika e gjertanishme, kur interesi publik e kërkon, Gjykata Kushtetuese punon edhe ditëve dhe festave kur nuk punohet. Kështu veproi edhe kësaj rradhe duke shqyrtuar kërkesën të nënshkruar nga 30 deputet të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosje, me të cilën kërkohej që Dekreti i Thaçit të shpallet si akt antikushtetues si dhe vendosjen e masës së përkohshme mbi pezullimin e zbatimit të Dekretit deri me 29 Maj, deri në marrjen e vendimit definitiv. Duhet theksuar se pezullimi i përkohshëm i Dekretit nuk ka kurfar ndikimi dhe nuk prejudikon marrjen e vendimit definitiv lidhur me kushtetushmërinë e Dekretit, dmth kjo vetëm ndalon përkohësisht veprimet juridike dhe ekzekutimin e Dekretit.

Edhe përkundër tentativës që Hashim Thaçi me dinakëri t’a trafikonte dekretimin e Avdullah Hotit për kandidat për kryeministër, fatmirsisht Gjykata Kushtetuese ishte funksionale, që tregon seriozitetin dhe përgjegjësinë e këtij institucioni më të lartë juridik, karshi lojrave të pista politike të njerëzve që kanë humbur kredibilitetin.

Për fat të mirë Gjykata Kushtetuese aprovoi kërkesën e Lëvizjes Vetvendosje për masën e përkohshme dhe pezulloi Dekretin deri me 29 Maj, dhe përkohësisht i dha fund lojrave dhe kalkulimeve të rrezikshme politike të binomit Thaçi-Mustafa. Them për fat të mirë sepse gjendja politike ishte rënduar dhe tensionuar aq shumë saqë situata mundej të eskalonte dhe nuk dihej fundi se si do të mbaronte.

Pezullimi i përkohshëm i Dekretit nga Gjykata Kushtetuese është një vendim juridikisht shumë i drejtë sepse bazohet në norma konkrete të Kushteutës, por edhe shumë i qëndrueshë dhe i pranueshëm politikisht, sepse është shmangur një përplasje mes partive politike në një situatë shumë të elektrizuar.

Dhe së dyti, baza juridike në të cilën thrritet Thaçi për nxjerrjen e Dekretit ,nuk është konform Kushtetutës aktuale të Kosovës, sepse ajo nuk e trajton në këtë mënyrë nxjerrjen e Dekretit, dhe pikërisht kjo do të ndikojë edhe në marrjen e vendimit definitiv të vendimit mbi Dekretin, dmth se ky dekret nuk ka bazën juridike dhe si e tillë është nul.

Nenet në të cilat bazohet Thaçi, fare nuk kanë të bëjnë me situatën aktuale, por ato rregullojnë situatën kur Qeveria formohet menjëherë pas zgjedhjeve, me ç’rast jepen disa mundësi për formimin e saj.

Kurse momenti aktual është krejtësisht ndryshe, sepse Qeveria e Kosovës ka pësuar një Mocion të sukseshëm të mosbesimit, rrjedhimisht ajo është shkarkuar,dhe në këtë rast duhet të aplikohet neni 82 paragrafi 2, ku thuhet se, pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo Thaçi këtë nen as që e përmendë sepse nuk i konvenon për realizimin e politikave dhe arsyeve të tija personale.

Në këtë rast vetëm një gjë është e sakte, e ajo është se Kushtetuta e Serbisë në nenin 130 e ka trajtuar këtë situatë politike, prandaj baza juridike e nxjerrjes së Dekretit të Hashim Thaçit është vetëm në përputhje me nenin 130 të Kushtetutës së Serbisë që e parasheh këtë veprim, ndoshta ai ka harruar se Kosova nuk është më Krahinë Autonome e Serbisë.

Presidenti i Kosovës nuk ka drejtë t’a komentojë Kushtetutën, por ai duhet vetëm t’a zbatojë ate, sepse në gjithë këtë histori ai ka vetëm një rol ceremonial duke respektuar vullnetin e fituesit, e jo të kërkojë dhe bëjë kombinime ashtu siç ai dëshiron. Kjo është vetëm shuplaka e parë, në vazhdën edhe të shumë tjerave që do të pasojnë.

Është për t’u habitur se edhe pas pezullimit të Dekretit, në një konferencë për shtyp të Isa Mustafës në emër të koalicionistëve dhe kolaboracionstëve të tij, deklaroi se do t’a respektojnë Vendimin e Gjykatës, por ende mendojnë që veprimet e Thaçit lidhur me Dekretin janë në pajtim me Kushtetutën, kjo n’a kujton rastin kur ujkut ia kishin ngrënë gjysmën kukit dhe ai thoshte ishalla është ëndërr.
Ende pa u bërë kryeministër, Avdullah Hoti propozoi shtimin e Ministrive prej 12 në 16, e gjithë kjo në funksion për kënaqjen e apetiteve të partive politike të koalicionit,duke bërë tregti me votat e sevronait e në funksion të klaneve politike duke rritur harxhimet e Qeverisë në korriz të qytetarëve. Deri sa Zvicra ka gjashtë ministra dhe një kryeministër me një buxhet kolosal, pse Kosova të keqpërdorë me paratë publike.

Rrethanë rënduese e gjithë kësaj katrahure politike është edhe kriza sanitare në të cilën gjindet Kosova dhe thirrjet e vazhdueshme të shumë eurodeputetëve, deputetëve gjermandhe zvicëran duke kërkuar nga politikanët kosovar që mos të keqpërdorin pandeminë për qëllime dhe kalkulime politike. Mirëpo politikanë tanë kanë zgjedhur destabilizimin e vendit dhe rrezikimin e shëndetit publik për lojra dhe kalkulime personale dhe private.

Është shumë e papërgjegjshme dhe e turpshme sjellja e politikanëve që në kohë pandemie po humbin kohë dhe energji për largimin e Qeverisë aktuale dhe formimin e një Qeverie tjetërt në kundërshtim me Kushtetutën, në vend që të gjithë të bashkohen për përballjen me krizën e covid-19 dhe të përgatiten për ballafaqimin me krizën ekonomike e cila do të jet shumë e vështirë.

Mendoj se nuk duhet penguar punën e Qeverisë aktuale, por duhet lënë që ajo të sprovohet në qeverisjen e saj, dhe nëse tregohet e sukseshme, atëherë duhet vazhduar përkrahjen, por nëse ajo vepron si qeveritë e mëparshme, atëherë vet populli do t’a ndëshkojë ashtu siç i ndëshkoi të tjerët, dmth se koha do t’a tregojë realitetin.

Këte po e them sepse kanë filluar kritika dhe linçime kundër kësaj qeverisje pa argumente të nevojshme, duke tentuar t’a përçajnë dhe dobësojnë ate. Kjo nuk është e pranueshme sepse në një krizë sanitare të bëhen provokime dhe obstrukcione të tilla, është e papërgjegjshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat