Fundi brutal i kapitalizmit kakofonik

Opinione

Fundi brutal i kapitalizmit kakofonik

Nga: Remzi Salihu Më: 3 maj 2020 Në ora: 11:41
Remzi Salihu

Sot problem nuk është pse shkruajmë, por poenta kryesore dhe vendimtare e kësaj ndërmarrje kreative individuale, është të kuptojmë kthjellët se çka sjellë ajo që shkruajmë ne. Secili merr përgjegjësinë e tij për atë çka bënë gjatë rrugëtimit jetësor. Fjalët dhe motivet janë diku të dukshme apo të fshehura, por ato duhet kërkuar, për të sjellë një prurje të shëndoshë gjatë mandatit jetësorë. Të gjithë pretendojnë dhe mundohen ta thonë më të vlefshmen nga këndi i perceptimit të tyre. Në këtë drejtim edhe mundësitë dhe kufizimet e marrëdhënieve janë të shumta. Jeta virtuale na ka mundësuar të gjithëve të jemi të lirë në kërkimin e më të mirës për veten dhe të tjerët. Teknologjia e sofistikuar ia ka dhënë edhe zhdërvjelltësinë gjithsecilit të shprehet si të dojë. Botën sot e kemi më afër se dikur. Krejt kjo e arritur na orienton nëpër mundësi të jashtëzakonshme për t’u civilizuar. Puna dhe komunikimi me njerëz mundësohet në shpejtësi marramendëse, dhe tërë ky angazhim mund të bëhet edhe nga largësia e shtëpia.

Kjo ka sjellë edhe efektin e vet të mrekullueshëm në shfrytëzimin e kohës dhe hapësirës. Veprimi dhe kostoja e asaj se çka veprojmë ne gjatë ditës, bëhet më i lirë dhe më e shpejtë se më parë. Kemi liri të plotë të qasjes. Ngandonjëherë nga kjo liri e tepruar kemi edhe moskuptime dhe nuk dimë se si të veprojmë dhe anojmë në momente të caktuara të gjendjes sonë. Megjithatë të gjithë jemi aktiv në këtë botë virtuale, e cila na atakon përherë me konkurrencë e atraktivitet të madh.

Hap pas hapi po ndryshohen gjërat, por në këtë grumbull morali apo amorali të manifestuar shoqëror edhe kultura e qasjes personale ndryshon, dhe krejt kjo dëshmi e shpaluar varet prej përvojës jetësore dhe informacioneve të shumta që akumulojmë për çdo ditë ne nga bota. Pasuria më e madhe e individit është ajo çka mund të jep nga vetja dhe padyshim ajo dhuratë të jetë e pranueshme nga të tjerët si vlerë konsiderueshme. Kur të arrihet kjo vetëdije e lartë dhe transformuese në vete, atëherë padyshim shihen qartë edhe sinjale energjike për të bërë mirë në shoqëri. Pastaj më vonë del në skenë se çfarë kulture shfaqim dhe çfarë orientimi polikë kemi trasuar. Ndalesat janë të dëmshme për secilin njeri, kurse integrimet njerëzore sjellin zhvillim dhe prosperitet.

Çdo ndalesë sjell varfëri. Shikoni njëherë çfarë pengesash e trishtimesh të mëdha solli në botë armiku, diktatori i pa dukshëm me emrin Covid 19. Ai i dënoi të gjithë, të varfër, të pasur, të bardhë të zinj. Nuk bëri dallim në vënien e kufizimeve. Pa pardon mori edhe shumë jetesa njerëzore. Madje ‘’diktatura‘’ e tij nuk na lejoi t’i varrosim sipas traditave edhe të afërmit tanë. Me një fjalë tërë botën e futi njëherë në karantinë të tmerrshme. Mos lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave i ka sjellë krizë të madhe njerëzimit. Tani kur i kemi këto masa të pa dëshiruara, shumë thellë mund ta kuptojmë çka do të thotë liria dhe tregu i lirë.  

Tani është e kuptueshme se edhe shoqëria jonë zhvillohet nëpër kapitalizmin e tregut të lirë, prandaj duhet ta ndryshojmë mënyrën e qasjes sonë dhe jo të merremi me dyshimet dhe pasojat e njerëzve nga ky treg i pranuar. Pengesat e komunizmit dhe socializmit ende zhvillohen te disa shoqëri e njerëz nëpër botë. Por dogmatizmi i vrazhdë ende më shumë mbanë peng dhe në izolim njerëz që janë të orientuar kah kjo formë jetese e rendit shoqëror të kontrolluar.

Në këtë drejtim kemi edhe shembuj mjaft absurd. Shikoni çka ndodh me Korenë e Veriut dhe udhëheqësin e saj diktatorial Kim Jong Un. Aty nuk dihet fare se çka bëhet me ata njerëz, çdo gjë është e kontrolluar dhe e diktuar deri në ekstrem të pa parë. Mbyllja e shtetit dhe kufizimi i njerëzve nuk janë vlerë e mirë e këtij shekulli dinamik, por megjithatë në botë kufizimet e tilla ekzistojnë dhe praktikohen si sisteme aprovuara edhe sot. Këto mund të shihen edhe në Kontinentin tonë. Bile keqkuptime dhe keqtrajtime ka shumë dhe i ngadalësojnë proceset.  

Gjenocidet dhe vrasjet kanë ndodhur në këtë pjesë të Evropës, e që nuk duhet harruar kurrë. Por të ngritët sot nëpër këto gërmadhat trashëguese të qeverisjes së keqe edhe një Millosheviq tjetër, në këto anë do të ishte një katastrofë apo tragjedi edhe më e madhe për popullin e vetë dhe për popujt tjerë për rreth. Serbia e ka shansin e madh që më 28 Qershor të demokratizohet si duhet dhe të orientohet kah e mbara dhe perëndimi. Të lejojë që qytetarët e saj, jo serb, t’i gëzojnë të drejtat e veta etnike dhe qytetare.

Me fqinjët t’i ndryshojë raportet e kufizuara ndër shtetërore. Kufizimi i lirisë së tjetrit të humb çaste të panevojshme, koha dhe pasojat e dhunës na kanë mësuar çka do të thotë ekstremizmi dhe hegjemonizmi brutal ndaj fqinjit. Madje çfarë ndalesash e dhimbjesh ka sjellë një ideologji e këtillë idiotësie e lëçitjes së tjetrit. Po qe se vet serbët nuk largohen nga ky kutërbim i frymës së trashëguar milosheviçjane, gjërat nuk do të shkojnë për së mbari. Akoma ka njerëz që përdorin këtë parfum politik të trashëguar dhe të pranuar keq, kryesisht për të mbisunduar dhe ngushtuar të tjerët, sidomos ata të cilët assesi nuk e duan fare këtë ideologji keqbërëse dhe frenuese.

Koha ka ardhur që njerëzit të diferencohen nga performancat dhe e shtirjet e këtilla në skenën kulturore dhe politike Ballkanike. Në fokus të vetëdijes duhet të sqarohet dëshmia dhe verifikimi i vlerave dhe jo të bëhet manipulimi dhe falsifikimi i tyre nëpër institucione. Duhet të marrë frymë lirisht demokracia. Vetëm ajo pasuri që arrihet me mund e dije ka perspektivë të gjatë. Të gjitha të tjerat janë pengesa njerëzore të lodhshme dhe të dhimbshme. Dashuria dhe komunikimi i ndërsjellë thyejnë barriera ndasish të panevojshme. Vetëm gjërat e mira dhe të drejta të çojnë drejt integrimeve reale.

Mjaftë më me ‘’Spin doktorët’’ që e çorientojnë shoqërinë dhe qytetarinë nëpër këto hapësira. Një shërbim i keq politik sjell kriza denigruese te qytetarët. Gjithsesi se këto kriza shoqërore polarizojnë mendimin mediatik përçarës, kështu që efekti i padëshiruar vjen në shprehje dhe atëherë e keqja duket e pa përballueshme, kurse demokracia pëson plasaritje shoqërore. Në këtë lojë të krizës demokratike në mënyrë eksplicite duhet të vijnë në shprehje mendimet e Juristëve, ata të cilët pa anime dhe në mënyrën më efikase duhet të merren me gjëra të komplikuara të drejtësisë, për të shkuar punët mbarë.

Sot shoqëria shqiptare është e përqendruar shumë te politika dhe te vendimmarrjet e rëndësishme në vend. Brenga e saj e madhe është se si duhet të zgjidhen të gjitha lëshimet në mënyrë pragmatike dhe të drejtë. Ajo kërkon të mos anashkalohet demokracia. Të mbretërojë rendi dhe toleranca midis njerëzve. Shoqëria nuk do filozofime utopike dhe të pa kapshme, sepse gjendja jetësore e keqësimit të shpejtë individin e futë në kërkesa ekzistencialiste të nevojshme, që gjërat për rreth tij donë t’i ndryshoj në të mirë të vetes.

Fleksibiliteti i saj sot është përqendruar kryesisht te mbijetesa. Ajo e detyron dhe kërkon t’i prek ato të mira të mundshme. Nuk mund të pajtohet me fjalë boshe nga udhëheqësit partiak të tyre. Prandaj në këtë segment jete vjen në shprehje ‘’Real politika‘’, por çka nënkuptojmë tani me këtë term që na imponohet detyrueshëm në shoqërinë tonë. Kjo nuk është kurrgjë tjetër pos shpalimi i së vërtetës së bindshme dhe realizimi i saj në praktikë, gjithsesi, këtu është e spikatur mjaft mirë diferencimi i individit normal nga ajo çka është oportune në politikë. Në Kosovë, por edhe në viset tjera të Evropës Juglindore mundohet të fshihet apo kamuflohet “Realpolitika”. Kjo fshehje e ambalazhuar me strategji e patriotizëm të rrejshëm, manifestohet në të gjitha mënyrat, por edhe nëpër të gjitha partitë ekzistuese, qoftë ato të jenë të drejtimit majtistë apo djathtist, i kufizon proceset e mirëfillta shoqërore.

Të gjitha këtyre partive apo orientimeve partiake u duhet zhvillime ekonomike dhe jo mashtrim me vrap të gjymtë për karrierë personale apo orientimi i keq, i njerëzve lakmitarë të vardisur pas tyre, ashtu si delet e hutuara dhe të pa orientuara drejtë dhe si duhet, e mësojnë ujqërit se si t’i hajë. Prandaj “Real politika” nuk duron filozofime dhe elozhe të panevojshme, por kërkon shërbime dhe zbatime të gjërave të mundshme, që do të jenë në të mirë e shërbim të drejtë të qytetarit. Jo rastësisht këtë shpesh e thekson edhe Albin Kurti kur thotë se ne jemi “shërbëtoret dhe zbatuesit” e kërkesave të qytetarit. Kjo nuk ka të bëjë fare me “populizmin”, por me zbatimin e të gjitha atyre nevojave akute dhe ligjeve të respektuara në mënyrë pragmatike, ato ligje kushtetuese që donë t’i përjetoj sot dhe jo nesër qytetari.

Vetëm me ndryshimin e vetëdijes së ngarkuar nga oportunizmi dhe zhvatja shoqërore, mund të ketë kthesa dhe të ndërtohen këto reforma radikale pragmatike. Këto ndryshime do të vijnë shërbim praktik, atëherë kur në qendër të vëmendjes së politikanit do të jetë social reforma tërësore e shoqërisë. Ka mbaruar koha e brutal kapitalizmit. Ajo nuk durohet nga njerëzit me vetëdije të lartë kulture se sjell kakofoni të vrazhdë shoqërore në harmoninë e funksionit praktikë në vend. Qytetarit i duhen reforma ekonomike të mëdha për punësim. Ta kthej trurin e mençur ka janë e ka s’janë të derdhur nëpër botë. Të funksionojë ligji për të gjithë njësoj. Shkollimi profesional mund të bëhet kurora e suksesit dhe zhvillimit. Njerëzit nuk duhet të traumatizohen nga varfëria e skajshme, kur mundësitë dhe të mirat ekzistuese janë të pranishme në vend.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat