Kush e kërkon dorëheqjen për fajet e gjeneratave

Opinione

Kush e kërkon dorëheqjen për fajet e gjeneratave

Gëzim Muçolli Nga Gëzim Muçolli Më 4 maj 2020 Në ora: 21:37
Foto ilustrim

Na dhemb shumë fakti që Kosova po përfshihet në aspektet e panjohura deri tash të pandemisë nga efektet e Covidit-19.

Rasti i djalit të ri 26 vjeçar që përfundoi jetën tragjikisht duke u hudhur nga lartësia në qendrën e karantinimit në Prishtinë, shkaktoi dhembje dhe zemërim te qytetarët e Kosovës. Nuk duhej të ndodhte por pandemia e ka përfshirë botën dhe gjithkund ka pasur pasoja shkatërruese përfshirë edhe problemet njerëzore që kanë përfunduar me vetëvrasje.

Gjetë paqe shpirti i Agonit, rasti tragjik i të cilit pikëlloi familjen dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Thashë të gjithë por ndoshta gabova në vlerësimin e sinqeritetit të njerëzve. Sepse ka njerëz e ka edhe politikanë. Ka edhe gjuetarë që mezi presin të ndodhin raste si ky i djaloshit 26 vjeçar per ta zhvilluar projektin e tyre kundër qeverisë që e kanë sakatuar si dhe kundër masave mbrojtëse të shpallura nga Ministria e shëndetësisë per ta mbrojtur shëndetin e popullit nga Pandemia e coronavirusit.

Kur e kam parë për herë të parë fotografinë e këtij grafiti, fillimisht  mendja më ka shkuar te gabimet gramatikore e jo aq te mesazhi që ai përcjell.

Sot gabimet as që më pengojnë kur leximi i thjeshtë të bënë të kuptosh se nuk jemi aspak normalë!

Pas 21 vite që vetë u çliruam pasi na ndihmoi aleanca më e fuqishme në botë, po robërohemi përditë e më shumë nga e keqja që na rrezikon më shumë se virusi Corona.

çohen peshë e flasin e mohojnë dhe pengojnë punën e ministrisë i madh e i vogël përnga rangu në disa parti politike dhe gazeta , televizione e shoqëri (jo)civile.

Duket sikur i pengon fakti që në Kosovë me mjaft sukses po përballohet Covid-19. Ndoshta kanë pasur dëshirë të kemi vdekje treshifrore pacientësh dhe ta kemi përpara imazhin që e shihnim përditë në spitalet e Italisë apo ndoshta edhe kamionët e ushtrisë që po i dërgonin per ti djegur në qytete të ndryshme italiane të vdekurit nga Lombardia dhe qytete tjera veriore.

Problemi më i madh është se shumë veta(gazetarë, ish-intelektualë,ish-pushtetarë,badihavxhi,etj) i kanë kaluar edhe kufijtë e arsyes dhe nga niveli i mëparshëm i google-intelektualit bënë "salto di qualità" duke e shëndërruar vetveten në ekspert të mirënjohur me gradën "Gjitholog"!

Nuk ka qare pa u çmend njeriu në një vend ku njerëzit me pagesë ose falas e dhunojnë dhe shkërdhejnë psikologjikisht edhe mendjen më stabile e të konsoliduar të qytetarit kosovar që me dinjitet i ka rezistuar edhe kohës së Titos, Sllobodanit, Luftës dhe Pasluftës, por pa e kaluar asnjëhere me notë kaluese tranzicionin e stërgjatur me nota epike shqiptare.

Prandaj edhe histeria e bazuar mbi tragjedinë e një djaloshi të ri po shfrytëzohet dhe manipulohet per qëllime politike për ta përmbysyr përpjekjen e madhe të ministrit të shëndetësisë      Dr. Arbren Vitia dhe rezultatet e punës së mjekëve, infermierëve, policëve dhe gjithë faktorëve tjerë që janë në ballë të luftës me pandeminë.

Mjekësia nuk është politikë. Shëndeti është mbi çdo politikë.

Gjithologët nuk do ta qajnë kurrë faktin se Kosova nuk është e përsosutr por duket sikur po ankohen pse askush nuk po e do inatin e vjehrrës me nusen e vet.

Natyrisht se per rastin e vdekjes do të ketë përgjegjësi por e njëjta duhet kërkuar edhe ata që përditë po i çmendin njerëzit me keqdashje nga istikamet e urrejtjes. Sepse unë i pari do të bashkangjitesha korit të atyre që duan të heqin ministrin, sikur mos ti kishim të freskëta thirrjet pothuajse raciste kundër bashkatdhetarëve tanë që kishin ardhur apo po ktheheshin nga Italia duke qortuar qeverinë dhe duke thirrur ti përzinin ose t'iu ndalonin hyrjen dhe ti mbyllnin menjëhere kufinjtë.

Sot fëmijët e mërgimtarëve po pyesin se a do ti lënë të shkojnë në Kosovë per pushime verore te gjyshërit. Prap ndoshta do ta keni rastin të vendosni ju gjithologët si ekspertë që s' ditët kurrë ta krijoni modelin e të mirës për vendin tuaj (tonin).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat