Pensionistët e Kosovës të margjinalizuar dhe të përbuzur!

Opinione

Pensionistët e Kosovës të margjinalizuar dhe të përbuzur!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 6 maj 2020 Në ora: 19:19
Ismail Muqiqi

Ata të cilët i dhanë energji dhe shpirt zhvillimit të Kosovës, ata që ndërtuan me qindra mijëra ndërtesa dhe pallate në Kosovë, ata të cilët ndërtuan shkolla, fabrika, rrugë, kombinate industriale, ata që punuan me djersën e tyre dhe të cilët nxorën me miliona tonelata xehe duke depërtuar deri në horizontet më të thella të tokës së Kosovës.

Ata u përbuzen!

Kjo plejada e gjeneratës së shekullit të kaluar e pensionistëve të Kosovës, u sfidua gjatë jetës me punën dhe idealin e tyre, arriti ti shkolloj shumë gjenerata të rinjsh dhe të reja të cilët më vonë u bënë bazament i zhvillimit i ardhmërisë së Kosovës.

Por ç ‘bëri shoqëria dhe shteti për ta?;

Që nga paslufta vdiqën 25.000 mijë pensionistë pa e shfrytëzuar të drejtën e tyre elementare dhe djersën për punën e bërë. Tani kur kanë mbetur në jetë edhe 44.000 mijë pensionistë në Kosovë, mosha mesatare e të cilëve sillet rreth 71 vjet, të organizuar në 400 shoqata të cilat përbëjnë 30 organizata komunale të pensionistëve.

Kjo kategori e popullit, u anashkalua dhe u goditë që nga viti 1990, kur regjimi serb i largojë nga puna.

Këta mbetën pas dore edhe nga Administrata e UNMIK-ut në Kosovë, dhe kështu vazhduan edhe Qeveritë e një pas njëshme të Republikës së Kosovës, të cilat ende nuk e kanë hartuar apo nxjerr ligjin e mirëfilltë të sistemit pensional.

Skemat pensionale e obligojnë Qeverinë, që të bëjë harmonizimin e pensioneve për koston e jetës dhe të inflacionit.

Që nga Janari i viti 2016, nuk ka pasur valorizim me përjashtim të një rritje minimale në 15%, ndërsa kostoja e jetës dhe e inflacionit është rritur për 10 herë më shumë.

Kjo kategori e popullit të Kosovës, e cila i dha shumë shtetit tani është e goditur nga të gjitha anët.

Mosha e pleqërisë, shëndeti i rrënuar, sëmundjet e ndryshme kronike, mungesa e përkujdesjes dhe vdekja e partnerit, janë vetëm disa pasoja të cilat po e godasin këtë kategori të pensionistëve të cilët e kanë fazën e fundit të jetës.

Duhet theksuar se kjo kategori e cila ishte shtylla kryesore e zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosovës, është e lenë dorësh edhe nga rrethi familjar ku jetojnë.

Gjeneratat e reja të cilat po jetojnë me botëkuptime tjera, dhe me "mendësi" të modernizuar dhe të teknologjisë së re informative, me gjasë në shumë familje kanë harruar se paraardhësit e tyre ishin mu këto gjenerata të pensionistëve për të cilët po flasim.

Andaj një shtet apo shoqëri e cila i shkel apo e përbuzë mundin, djersën, kontributin apo vlerat e gjeneratave të kaluara vështirë se do të ec përpara.

Dashtë Zoti që institucioneve të shtetit të Kosovës më në fund tu bie ndërmend se edhe ata pas disa vitesh do të kthehen në pozitat dhe vuajtjet e paraardhësve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat