Letër z. Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i BE-së - Bota Sot
Letër z. Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i BE-së

Opinione

Letër z. Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i BE-së

Shukri Ymeri Nga Shukri Ymeri Më 7 maj 2020 Në ora: 17:41
Josep Borrell

I nderuar z. Borelli,

Po ju drejtohem me ketë letër në emër të Lobit Euroatlantik Shqiptar me seli në Gjermani. Ne jemi një organizatë joqeveritare në përbërjen e të cilës janë intelektualë dhe përfaqësues të mërgatës shqiptare në Evropë dhe më gjerë.

 

Ne e kemi parë me shumë shqetësim deklaratën tuaj, lidhur më idetë qëllimkëqija që po qarkullojnë që një kohë, për mundësinë ndryshimit të kufijve, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Që në fillim duam të ua bëjmë me dije se, si të tilla, këto ide nuk janë të zbatueshme, por edhe si deklarata mund të jenë shumë të dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Andaj me mirëkuptim, kërkojmë që ju të tërhiqeni nga to dhe të fokusoheni në një dialog të mirëfilltë, sipas parimeve Evropiane për fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme.

I nderuar z. Borelli,

Vetë pavarësia e Kosovës, në kuadër të kufijve aktual është kompromis i yni, ngase trojet e Kosovës kanë qenë deri në qytetin e Nishit (sot qytet i pabanuar nga shqiptarët në Serbi, si pasojë e dëbimit gjenocidial). Shteti serb, përmes projekteve të Akademisë së Shkencave të Serbisë, (të gjitha projektet janë tashmë publike), efektivisht ka punuar për dëbimin e gjithë shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Ata arritën që përmes dhunës dhe represionit të vrasin e dëbojnë miliona shqiptarë, si rrjedhojë, sot ka më shumë shqiptarë që jetojnë në mërgatë sesa në trojet etnike. Shtypja dhe represioni kanë qenë sistematik, ai rikulmoi përsëri në vitet e 90-ta, të shekullit të kaluar dhe ju personalisht e keni parë se çka ishte në gjendje të bëjë regjimi brutal i Sllobodan Millosheviqit, bashkëpunëtorët e të cilit, fatkeqësisht, janë edhe sot në krye të shtetit serb.

Kufijtë aktual të Kosovës, janë të shënuar me gjakun e qindra-mijërave shqiptarëve të vrarë padrejtësisht nga Serbia në këto 150 vitet e fundit. Vetëm në vitet në vitin 1998 dhe 1999 u vranë rreth 14.000 persona, midis tyre, 1230 fëmijë, përfshirë edhe foshnje të porsalindura dhe gra shtatzëna. Rreth 20.000 gra u dhunuan dhe fshatra dhe qytete të tërë u dogjën dhe u rrafshuan, përfshirë trashëgiminë e rëndësishme kulturore dhe shpirtërore të popullit tonë. Në përfundim të luftës, fati i më shumë se 6.000 mbeti i pazgjidhur. Edhe sot, më shumë se dy dekada më pas, 1.600 persona vazhdojnë të jetë të zhdukur. Dhe familje të tëra presin në ankth ndonjë lajm për ta.

I nderuar z. Borelli,

Dialogu që ju si BE e ndërmjetësoni, duhet ta detyrojë Serbinë ti hapë arkivat dhe ti ndriçoj fatet e njerëzve tanë, që ende janë të pagjetur. Duhet ta detyroj Serbinë që të kërkoj falje për krimet e bëra, të bëjë kompensimin për dëmet e luftës. Ta kthej fondin e vjedhur të pensioneve dhe depozitave dhe trashëgimisë kulturore që padrejtësisht i mban në Beograd.

Ti dënoj vrasësit e dhunuesit, e jo ti shpërblej ata me pozita të larta në qeverinë, ushtrinë dhe policinë e Serbisë. Dhe në fund ta njoh Kosovën në kufijtë aktual, sepse ky është kompromisi ynë i dhimbshëm. Çdo përpjekje për ti tkurrur më tej tokat e Kosovës, do të marrin përgjigje të ashpër dhe mund ta destabilizojnë rënd gjendjen në rajonin tonë.

Me respekt,

Shukri Ymeri

Kryetar i Lobit Euroatlantik

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat