Serbia me “hapjen ballkanike të kufijve” po shfaq gjeostrategjinë e projektit të “Jugosllavisë së Re”

Opinione

Serbia me “hapjen ballkanike të kufijve” po shfaq gjeostrategjinë e projektit të “Jugosllavisë së Re”

Nga: Ramiz Lushaj Më: 12 maj 2020 Në ora: 22:45
Ramiz Lushaj

I klonuari Covid 19 na i rivendosi klonet e kufinit në këtë dy muajt e fundit. Sikur shekullin e kaluar nga Perdja e Hekurt. Ata shqiptarë që nuk ditën me iu gëzue hapjes së kufijve ndërballkanikë e paneuropian e provuan në këtë Dekadën ’20 se cka domethanë mbyllje e tyne. Ma së forti e ndjejnë ata që kanë derdh gjak për kufijtë dhe ata që janë në brezat kufitarë shtetëror.

Tashti trojënikët shqiptarë në Ballkan dhe mërgatat shqiptare në botë po presin të hapen kufijtë e mbyllun, por ka dhe shtete, organizata e organizma ndërkombëtare e rajonale që po e keqpërdorin “hapjen e kufinjve” si “Kalë Troje”.

Një prej tyne asht dhe Serbia e sotme, sikurse e djeshmja, e cila e paska lëshue nji lajm se do t’i hapin kufijtë me 1 qershor 2020 me katër shtete ballkanike: Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Më vjen keq që këtij lajmi ma tepër se politik (gjithsesi gjeostrategjik) po i bahet shumë jehonë, ndërkohë që asht nji “lajm lehonë” që pjellë edhe kopili sllave shoviniste…

E para, ky “lajm hapjeje e kufijve” nga Serbia tregon dhe njëherë tjetër se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet Sovran e të Pavarun, po sikur të ishte ende pjesë territoriale gjeopolitike e saj (!) Ndaj e kapërcen Kosovën e i “hapka kufijtë me Shqipërinë”(!) Në rast se dikush i gëzohet këtij lajmi të Serbisë sikur majmuni në pemë para frutave e luleve, përndryshe, po i bie me thanë, si “kohë majmunësh”. Një metaforë kineze budiste flet për “majmun të mendjes” duke iu referuar të pavendosurës, shtetit të shqetësuar të mendjes së njeriut.

Cështja shtrohet thjeshtë e qartë: Prishtina zyrtare, Presidenti Thaci e Kryeministri Kurti dhe të gjithë ish-presidentë e ish-kryeministra, kryetarë partish politike e të tjerë, pse nuk dalin me një kundër lajm ndaj/kundër këtij lajmi, qoftë dhe “me diplomaci...” duke mbrojtur shtetin e ri të Kosovën.

Si asht e mundun që ta pranojnë Tirana zyrtare e lidershipi i saj politik, bota akademike e nacionaliste, që ta cilësojnë “hapje e kufijve” ballkanikë edhe me Shqipërinë, duke e harrue, menjanue apo cilësue si të aneksueme Kosovën dardane(!)

Ende nuk arrihet të kuptohet që të mos reagojnë ndaj kësaj “hapje kufitare ballkanike” (të njëanshme e të qëllimshme) edhe ato shtete kufitare me Serbinë që e kanë njohur ndërkombëtarisht Kosovën shtet të pavarur e sovran, si Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Bullgaria, ndërkohë që ky reagim nuk pritet nga vet Serbia, Bosnje-Hercegovina e Rumania.

E dyta: kjo “hapje ballkanike e kufijve” nga Serbia ka të bajnë dhe me gjeostrategjinë e saj ma të re të projektit të vjetër të krijimit të “Komonuelthit Serb”, të “Jugosllavisë së Katërt”...(!)

Cështja shtohet kështu: Pse Serbia po don me i hap “kufijtë ballkanikë” vetëm me këto katër shtete: Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilat prej kohësh po ju endet rrjeta e merimangës serbe apo, ma keq, t’i “gllabrojnë politikisht” në këtë projekt “Oktapodi Serb”.

Përndryshe, cështja shtrohet dhe kështu: Pse nuk po i hap Serbia “kufijtë ballkanikë” dhe me fqinjtë e saj të tjerë ballkanikë, si me Kroacinë, Bullgarinë, Hungarinë e Rumaninë. Shtojmë dhe faktin tjetër: edhe këto shtete ballkanike, vecanarisht Kroacia, etj., i kanë treguesit e mirë të mosprekjes e të shërimit të popullsisë së tyre. Ndërkohë që Kroacia i ka hap kufijtë e saj prej të hanes së mesme të majit 2020, pse nuk i hapën dhe Serbia me Kroacinë  kufitare si me Shqipërinë, etj.

Ndaj, kjo “hapje e kufijve ballkanikë” vetëm me 4 shtetet: Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Bosnje-Hercegovinë e Shqipëri, ka të bajnë me gjeostrategjinë serbe e sllave të aneksimit territorial të shtetit të ri të Kosovës dhe atë të projektit të krijimit të “Jugosllavisë së Re”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat