Nën shkëlqimin e bardhësisë së plisit

Opinione

Nën shkëlqimin e bardhësisë së plisit

Nga: Dibran Demaku Më: 14 maj 2020 Në ora: 10:17
Dibran Demaku

Isha vetëm trembëdhjetë vjeçar kur fillova punën e biletashitësit në stacionin e trenit që atëherë ishte më i afërt me fshatin tim.Stacioni në fjalë kishte mbetur bosh pothuajse një vit më parë sepse ata që na e kishin zënë frymën,po iknin.Dikush në komunën nën administrimin e së cilës ndodhej fshati im si dhe fshati i stacionit të trenit kishte propozuar që vendin e mbetur bosh të biletashitësit ta plotësonin dhe kishin propozuar që atë punë ta bënte im vëlla.Vëllai im e kishte pranuar atë vend pune,dhe unë herë pas here e zëvendësoja kur ai duhej të kryente ndonjë punë tjetër.Kështu,si trembëdhjetëvjeçar e fillove punën.

Orari i atëherëshëm i trenave ishte i përcaktuar në atë mënyrë dhe mua me duhej të ngritesha në orët e herëshme të mëngjesit,të shisja biletat për trenat e herëshëm,pastaj të kthehesha në fshatin tim dhe të shkoja në shkollë(isha në klasën e shtatë të tetëvjeçares,dhe fill pasi që mbaronte mësimi me vrap sërish për në vendin ku ndodhej stacioni i trenit.Dhe stacioni i trenit nga fshati im ndodhej hiç më pak se shtatë kilometra.

Atëherë i vetmi mjet i udhëtimit ishte treni sepse nuk kishte as rrugë automobilistike dhe as automobila e autobusa.Në stacionin ku bëja punën e biletashitësit vinin shumë udhëtarë,që mbase mund të ishin me qindra e ndonjëherë mund të kalonin edhe njëmijëshin.Shumë prej tyre nuk kishin para për të blerë biletën dhe hipnin në tren pa bileta.Ata që hipnin në tren pa bileta pësonin një ndjekje nëpër korridoret e trenit si në filma horror nga dybiletëkontrollët Sava e Branko,që i takonin kombit të atyre që po iknin.Sava ishte një thataq i gjatë i cili sapo vërente ndonjërin nga udhëtarët(sidomos të rinjtë)që po lëviznin në drejtimin e kundërt me të,lente përgjysëm punën dhe vihej në ndjekje të atij që lëvizte.Në fund të trenit e zinte krejt hapësirën e korridorit të trenit Brankoja që ishte një bullafiq i trashë tej mase dhe ti që ikje nuk kishe asnjë mundësi ta kaloje.

Pastaj Sava dhe Branko i ftonin policët që gjithmonë ishin në tren(edhe ata,pra policët me shumicë i takonin kombit që po ikte).Dhe ti që kishe hipur në tren pa biletë bije në duartë e policëve sadista që nuk e kishin hiç për keq nëse të dërmonin me kërbaq...Dikush nga udhëtarët ishte kujtuar që Savës dhe Brankos të ua luante një lojë:Ai që e kishte biletën ikte nëpër korridor të trenit,ndërkaq Sava e ndiqte deri në fund ku ai,pra udhëtari ndeshej në trupin e pakalueshëm të Brankos.Sava dhe Branko gëzoheshin që e kishin zënë edhe një viktimë,por dëshpëroheshin kur“viktima“ u tregonte biletën!Kështu i shpëtonin ndjekjes së Savës ata që nuk kishin blerë biletën,sepse ishin të varfër,tepër të varfër...

Në ato dy-tre vite sa bëra punën e biletashitësit në atë stacion treni më kishte rënë në sy një i moshuar i cili pothuajse çdo ditë të zotit udhëtonte me tren sa në një drejtim në drejtimin tjetër.Nga garderoba që bartte të krijonte përshtypjen se ishte i kamur.Sidomos i kishte hije plisi i bardhë që bartte në kokë.Sapo i afrohej sportelit,shumë nga udhëtarët i lëshonin radhën.Ndonjëri nga udhëtarët e përshëndeste,ndërkaq shumë nga ata i lëshonin rrugë nën një mërmëritje që nuk merrej vesh.I moshuari prente biletën dhe ikte në drejtimin e vetë...
...shumë vonë e kam kuptuar se nën shkëlqimin vezullues të plisit fshihej fytyra e vërtetë e pisit!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat