Kryetarë të asfaltit

Opinione

Kryetarë të asfaltit

Nga: Irfan Maliqi Më: 21 maj 2020 Në ora: 10:42
Irfan Maliqi

Shumë kryetarë të komunave janë ardhë në pushtet pa pasur një vizion se si do të duket  komuna e tyre, në katër vjetët e ardhshme të qeverisjes.

Atyre thuajse n'krejt vendin, s’ua rrok mendja gjë tjetër veç asfaltit.

 Nuk janë të pakta rastet kur kemi parë asfalt mbi asfalt, e në disa fshatra e nëpër rrugica mëhallësh, ka mbir bari nëpër rrugët e asfaltuara si mos më keq.

Qeverisjet lokale vazhdojnë të jenë të koncentruara vetëm në asfaltim të rrugëve, ani pse ka fshatra pa ujë të pijes, pa ujësjellës e pinë ujin nga bunari. Investimet në infrastrukturën rrugore deri tash kanë qenë prioritet si i Qeverisë së Kosovës ashtu edhe i komunave.

Këto të fundit, pak e hiq merren me politika zhvillimore ekonomike, edhe pse me ligjin për vetëqeverisje lokale komunat kanë kompetencë edhe për këtë sferë.

Sipas nenit 17 të Ligjit për Vetëqeverisje lokale komunat kanë kompetenca të plota dhe eksluzive në fushat, si zhvillimin lokal ekonomik; planifikimin urban dhe rural; shfrytëzimin e tokës dhe zhvillimin;  mbrojtjen e mjedisit lokal; turizmin, arsimin e shumë çështje tjera. Por, në vend të kësaj, thuajse gjysma e investimeve kapitale gjatë këtyre mandateve qeverisëse kanë shkuar në asfaltim rrugësh dhe ndërtim të autostradave. Pushteti lokal ende radhit asfaltin si ndër projektet kryesore të qeverisjes e politikanët lokal kështu fituan vota që i sollën në pushtet. Kësisoj, e mbajnë karrigen e shefit të komunës për vite, nga prizmi i asfaltit e kanalizimit. Është e njëjta mendësi që i ka përcjellë deri më sot duke çuar buxhetin në rrugë.

Zotërinjtë e plakur me pushtet, s’kanë vizion tjetër, pasi janë të dhënë pas interesave personale, partiake e klienteliste nga ku përfitojnë përditë e s'ua prish kush politikën.

 Disa janë bërë të pasur shpejt sa hap e mbyll sytë. Por, këtu banorët janë ata që ankohen për cilësi të dobët e bëhen lajm në media kur dalin e kërkojnë llogari e përgjegjësi nga ata që janë fajtor e që keqpërdorin pozitat në institucione. Janë qytetarët taksapagues, ata që i kanë vuajtur pasojat e investimeve pa standarde, pa mbikëqyrje, pa cilësi.

E kur flitet për kualitetin e dobët të punimeve në infrastrukturën rrugore, institucionet heshtin e fajin ua lënë kompanive të ndryshme që vetë i kanë kontraktuar.

Pse gjithë ky zell për asfalt dhe atë pa cilësi? A ende nuk u asfaltuan rrugët e Kosovës, thuajse kurrkund asfalt të mos jetë shtruar  vitet e mëhershme, apo mbase ka filluar “epoka e riasfaltimeve” pasi hera e parë nuk zgjati, ishte shtresë asfalti si petë piteje.

Ata erdhën në krye të komunave, me premtime politike e me vota të banorëve që ju besuan ndryshimin që kurrë s’e sollën. Qeverisjet e asfaltit e kanë pasur më së lehti që të vjedhin paratë e buxhetit të vendit përmes tenderëve qindra-milionësh të rrugëve. U pasuruan për vete në kurriz të popullit. Ndërgjegja do t’i vret një ditë nëse drejtësia që e kanë kapur vonohet t’i gjykojë e ndëshkojë. Logjika e asfaltit e kanalizimit ka pamundësuar komunat të zhvillimin e projekteve që qytetarët të kenë një jetë më të mirë si ai në qytet, si ata atje në fshatin malor, ku thuajse janë harruar nga shteti. Qytetarët pritje pa fund!

Projektet infrastrukturore nuk po themë që nuk kanë rëndësi, siç dihet infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në BE. Por, qeveritë komunale duhet parë përtej programeve që ofrojnë.

Eshtë koha e fundit, kur komunat të ndryshojnë politikat e investimeve, dhe një pjesë e mirë e buxhetit të dedikohet në investime tek sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, bujqësi, po ashtu në ngritjen e cilësisë në arsim, në shëndetësi, tek kjo e fundit tani më shumë se kurrë, meqë pandemia e coronavirusit duket se do të jetë në mesin tonë tani e tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat