Nuk mjaftojnë vetëm Vjosa dhe Albini për të dalë nga labirinti i djallit - Bota Sot
Nuk mjaftojnë vetëm Vjosa dhe Albini për të dalë nga labirinti i djallit

Opinione

Nuk mjaftojnë vetëm Vjosa dhe Albini për të dalë nga labirinti i djallit

Nga: Lirim Gashi Më: 21 maj 2020 Në ora: 15:21
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Shqiptarët s’kanë asnjë arsye që të përçahen dhe armiqesohen me njëri tjetrin për shkak të disa politikanëve dhe klerikëve korrupt, primitiv, nepotist, lakmiqar, perfid, hipokrit, demagog, narcis, diletant, ekstremist dhe anti kombëtar, ngaqë ata mezi presin që kjo të ndodhë.

Përkundrazi, shqiptarët kanë më shumë arsye se kurrë në historinë e këtij shteti të ri dhe kombi të vjetër e autokton, që të bashkohen me njëri tjetrin kundër zgjedhës se kleptokracisë politike .

Dhe kjo vlen jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por të të gjitha trevave etnike.

Zaten kleptokratet vetëm në këtë mënyrë kanë arritur ta sigurojnë pushtetin që dy dekada.

Sepse ajo thënia e moçme “përçaj e sundo” ka konjunkturë, gjegjësisht efekt vetëm kur shumica nuk arrijnë ta bëjnë dallimin ndërmjet shapit dhe sheqerit.

Shtrohet pyetja, si është e mundur që shqiptarët që kanë aq shumë përvojë me politikanët dhe klerikët e kalibrit të lartpërshkruar të mos mësojnë asgjë nga e kaluara dhe sotmja, por përkundrazi t’i përsërisin gjithmonë gabimet e njëjta?

Shqiptarët duhet ta dinë që asnjë politikan nuk është më i vlefshëm se atdheu, e sidomos më i vlefshëm se shteti.

Sepse atdheu pa shtet është po aq i vlefshëm sa uji në moçal, apo kënetë.

Shqiptarët duhet ta dinë se nëse vrahet nga pushka e shqiptarit vetëm një shqiptar i vetëm, për shkak të disa politikanëve që nuk ua dinë skajin privilegjeve dhe pasurisë, i bëhet shërbimi më i madh kleptokracisë, anarkisë dhe Serbisë.

Prandaj vetëm rezistenca e vendosur, edukuar, mençur, kulturuar, inteligjente dhe kreative është produktive.

E sidomos vota e mençur.

Dhe më besoni, kurrë në historinë e këtij shteti të ri dhe këtij kombi të vjetër e autokton, nuk ka qenë më i lehtë vendimi se kush e meriton besimin e kush jo.

Kaq e thjeshtë është kjo mesele me opinga dhe qystele.

Prandaj nuk mjafton vetëm bashkimi rreth vlerave, pa krijim të vlerave të reja.

Prandaj nuk mjaftojnë vetëm Vjosa dhe Albini për të dalë nga labirinti i djallit.

Sepse nëse ne si popull nuk ndryshojmë për të mirë, respektivisht nëse ne si popull i përsërisim gabimet e njëjta, atëherë nuk na shpëton nga humnera asnjë Magjistar.

Sepse nëse nuk bëhemi njerëz të mençur, human dhe atdhetar, çka na kryen punë fakti që jemi shqiptarë?

Sepse nëse shqiptari sillet si gomar dhe e bartë mbi shpinë për hirë të pronarit çdo peshë, atëherë origjina e tij është e vlefshme sa një shllungë lesh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat