Babgjyshi Ken, Lady Magbeth dhe Kipc Hoti

Opinione

Babgjyshi Ken, Lady Magbeth dhe Kipc Hoti

Nga: Kimete Berisha Më: 21 maj 2020 Në ora: 20:28
Kimete Berisha

1. Do të ishte magjike dhe mbinatyrore, nëse në një shtet të korruptuar si Kosova, ku qe 20-të vjet, çdo gjë është rrënuar nga politika e vjetër...'të dalin' shqiptarët e Gjykatës Kushteteuese të pakorruptuar?!

Ata që u emëruan nga të korruptuart, të dalin të pakorruptuar?!
Gjithçka bën vaki!

Në shtetin tonë të sunduar nga familjet e mëdha dhe nga farefisi i tyre, nga milionerë të frikshëm dhe nga grupet mafioze të krimit;
në shtetin më të varfër dhe më të pabarabartë në Evropë, Avokati i Popullit është korrekt, veç derisa ia përmend interesat e Presidentit, kur bëhet fjalë për 'shefin' e tij, është i programuar të bëhet 'Avokat i Djallit'.

Pra, është luks sot të shpresosh se mund të bëhet 'mirë' në Kosovë, është luks i madh, më shumë luks sesa luksi i të burgosurit politik në qeli, që shpreson të kthehet i lirë në shtëpi, sepse i burgosuri bile e ka datën e caktuar kur del nga burgu, ndërsa ne e kemi burg në tana anët.

Në momentin që del nga shtëpia, hyn në burgun 'e tyre', në burgun e politikës së vjetër që qe 20-të vjet e mbajnë peng Kosovën.

Qeveria Kurti Jo se Jo, po as Amerika nuk dontë mund ta çlirojte për dy muaj sistemin e drejtësisë së Kosovës nga korrupcioni dhe nga çizmja e politikës së vjetër.

Çfarë budallai i madh duhet të jesh që të shpresosh se do të mund të bëhet mirë në këtë shtet eksperimental, kur të del përpara fytyra e Avdullah Hotit.

Pa qenë fare kandidat i partisë së tij për kryeministër, vullnetarisht do ta vjedh pushtetin për t'u bërë Kipc i Isa Mustafës, me
me idenë e sëmurë të tij se 'qytetari nuk e voton qeverinë, qytetari nuk e voton kandidatin për kryeministër'.

Çka bën njeriu me Avdullah Hotin!

S'vjen n'shprehje që ajo 'Meke' e vogël (qysh më quante babgjyshi) kur shkonte në shkollë rrugëve të ngushta dhe të përlloqura të Tavnikut, paska lindur në këtë jetënqë një ditë të shpresoj në njëfarë Avdullah Hotin që do t'ia kthej shpresën për Kosovën.

Zot, mos na lë.

S'mund të jetë shpresa kaq banale dhe
kaq e thjesht.
Shpresa që të vret një herë, për të të ringjall pastaj.

Kur është i zoti ta vjedh pushtetin, a lë gjë pa
vjedh Isa Mustafa!

Se partinë e tij Hashim Thaçi po e ruan nga krimi i vjedhjes së pushtetit, prandaj PDK-ja ka ardhmëri.

Hashim Thaçi po e përdorë Isa Mustafën si 'stupc' për një përdorim për ta hequr qafe përkohësisht Albin Kurtin.

Kaq ultë sa Isa Mustafa kanë luajtur veç pushtuesit.

U bë si Grandpa Ken-i, veç Barbin në krah t'djathë dhe kompletohet.

2. Në Shqipëri atmosfera më interesante.
Pas shëmbjes së Teatrit, Edi Rama shpalosi talentin e tij për aktrim.
Shihej se u inspirua nga recitimi 'brilant' i Bekim Fehmiun 'Ja sam gazio u krvi do koljena i nemam više snova'.

Gjatë performacës së bukur teatrale në Kuvend, Edi Rama i ndau rolet dhe Monika Kryemadhit ia dha rolin 'Lady Magbeth'.

Monika e pranoi menjëherë rolin, hyri në rol dhe ia shau djalin. Tamam si shtriga Magbeth. Dhe Monika u përgjigj 'Më mirë shekspiriane se e dhunshme'.

Pra, zoja as nuk e di që të jesh 'Lady Magbeth' do të thotë të jesh 'nana' e dhunës, të jesh shtrigë e përgjakur, kriminele dhe frymëzuese e vrasjeve dhe në fund do të thotë ta vrasësh veten'.

Nuk arrita ta kuptoj kush është Dankani shqiptar viktima e Magbethit, se nuk linte një deputet musteqok ulur në fund të sallës në Kuvend me ndërhyrjet e tij papushim.

Edi Rama, edhe vet bartës i mustaqeve, tregoi se Erdogani (me mustaqe) e ka telefonuar mbrëmë për ta lavdëruar se sa mirë e ka menaxhuar pandeminë, ndërsa e shante papushim këtë deputetin me muataqe, duke e quajtur 'mustaqe'.

Nuk e kuptoja metaforën, do ta kuptoja sikur Erdogani të ishte pa mustaqe.
Po në Shqipēri kund vend nuk kish për bartësit e mustaqeve, po përjetojshin zullum ata tipa derisa po i detyronte politika dhe media t'i rruajnë, si Bujar Nishani, të cilit gazetarët ia rruan mustaqet.

Pra, Teatrin e mbrojnë ata si Monika që nuk kanë haber për të. Që nga padija pranon të bëhet shtrigë dhe të vetëvritet si 'Lady Magbeth'.

Prandaj, ka kaq pak protestues kundër shembjes së teatrir, sepse askujt nuk i mungon teatri.
Teatrot e shqiptarëve i mban në këmbë politika dhe buxheti shtetëror, përndryshe, shqiptarët s'kanë nevojë për teatër.
Prej urrejtjes, as kolegu kolegut (aktori-aktorit) nuk ia shikon shfaqjet.

Prandaj, para se të myket libri-e humb lexuesin. Para se të shëmbet teatri-i mbyllen dyert me therrë.

3. Nësoj atmosferë e zymtë edhe në USA.
Presidenti Donald Trump e quan me nofkën poshtëruese Joe Biden-in 'Sleepy Joe', kurse Joe Biden tash së voni ka vendosur t'ia gjej një nofkë të 'fortë' Trumpit duke e quajtur 'President Tweety'.

Shumë e 'tmerrshme' kjo gjetje e Bidenit.

Kurrë s'ka marrë mot më i lig sesa tash për qytetarët e kulturuar.
Prandaj, kur flet dikush me edukatë e me maturi nuk është interesant.

Joe Biden duhet ta thirr 'Orange' Trumpin, se orange s'e ka asnjë të keqe, përveç që është e portokalltë; kurrë s'ja kisha shkoq kësaj 'nofke' dhe humorin me domestos që Presidenti e rekomandoi për shërim nga koronavirusi.

Por, jo, Joe nuk e shfrytëzon 'çmendurinë' e Presidentit, dhe prandaj duket bash ashtu siç e quan Trump 'shpirt i fjetur', kurse Trump duket 'i gjallë' në kohët më të errëta dhe se kjo prirje e tij mund t'ia zgjat 'jetën' presidenciale.
Sepse, Trumpi në asnjë moment nuk duket 'plak'

Joe Biden s'është atraktiv sa duhet sepse është i kulturuar më shumë seç duhet.

Ju kujtohet sa na pëlqente Steve McQueen
apo Lee Marvin kur me alltia n'shok', në kërkim të armikut dhe belave, hynin në pijetore prej druri, i përplasnin dyert me shqelma, i rrehnin rend kushdo që ish brenda (përfshi Klaudia Kardinalen, që në filma më shumë ka hëngër shpulla sesa bukë), dhe dilnin, duke i fryrë tymit të revolverit.

Ata tipa i pëlqenin shikuesit. Dhe sot ata tipa janë atraktiv edhe në politikë, tipat që t'i thejnë hundtë me nënçmim, e ti, duke dashur të shpëtosh nga fyerjet e tyre, bëhesh petull.

Nxija buzën kundërshtarit: të fyen një herë, fyeje tri herë. Të fyen tri herë, fyeje nëntë herë.
Se, kultura nuk kryen punë sot.
Punë kryen vetëm arroganca dhe mungesa e ndjenjave.
Ama, mos u bëj serioz, ofendimi dhez veç kur e realizon duke qeshur dhe patjetër zërin duhet ta mbash të ulët, demek edhe me fol për ty po pritoj.

Gratë ndryshe. Hykmetja provoi një ditë ta bëj nervoz Albinin, po nuk arriti, përkundrazi Albini u zbut e i kërkoi falje.

Kur dikush 'i madh' të kërkon falje ta bën me dije se nuk të konsideron të barabartë, prandaj me aq lehtësi ta plotëson dëshirën-' të kërkon falje'.

Hykmetja ma kujtoi Luljeta Pulën dhe Editën, të cilat kur u larguan nga Rugova e akuzuan si diktator, por kurrë askush nuk u besoi.

P.S. Që ka thënë Jusuf Gërvalla 'Shpeshherë të pikëlluar m'ka gjetë muaji Maj', anipse jam e lindur në Maj.

Në Maj çel Lule Shën Gjergji, që lulet i ka si kambana të bardha, prandaj i thonë simbol i shpresës.
Në Maj çel edhe murrizi, që është simbol i kthimit të lumturisë dhe ëmbëlsisë.
Ky simboli i dytë është shumë i mirëseardhur, sepse është lumturi e 'njofshme'.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat