Ali Sinani aktivist i palodhshëm për çështjen kombëtare

Opinione

Ali Sinani aktivist i palodhshëm për çështjen kombëtare

Nga: Nehat Hyseni Më: 27 maj 2020 Në ora: 11:44
Nehat Hyseni

Më 26 maj 2O2O, në moshën 58 vjeçare, papritmas u nda nga jeta aktivisti i palodhshëm për çështjen kombëtare të Shqiptarve në Luginën e Preshevës dhe mbarë Shqiptarisë, Ali Sinani, nga fshati Raincë i komunës së Preshevës!

Pikëllimi për humbjen e befasishme I dhe të parakohëshme të jetës së Kryetarit të Bashkësisë Lokale të fshatit Raincë të komunës së Preshevës, është i pafund!

I ndjeri Ali Sinani ishte një aktivist i palodhshëm për sjelljen e përvojave dhe praktikave europiane, ose më saktë zvicerane të qeverisjes lokale dhe të organizimit dhe mobilizimit të mirëfilltë të komunitetit, në zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve jetike të tyre në demokraci.

Duke i falemnderuar të nderuarit Ali Sinani, Rainca merr frymë lirisht, në ambient të pastër, me shtratin e pastruar për lakmi të lumit, si dhe të mjedisit jetësor, që duhet të shërbej si model për të gjitha BL-të dhe vendanimet në komunën e Preshevës, në Luginë dhe në mbarë shqiptarinë.

Urbanizimi i përshpejtuar i fshatit Raincë nën udhëheqjen e Ali Sinanit, ishte realitet me të cilin mund të krenohen qytetarët, jo vetëm të kësaj BL, siç ishte edhe fillimi i mbledhjes së bërdhogut nga Ndërmarrja komunale ‘Moravica’, për herë të parë në historinë e këtij vendi.

Ali Sinani ishte i palodhshëm në realizimin e vizionit idealist të tij për ta europianizuar këtë pjesë të gjeografisë kombëtare të shqiptarve në Ballkanin Perëndimor.

Me punën, kontributin dhe angazhimin e devotshëm të Ali Sinanit për të mirën e përgjithëshme, ai ia ndërtoi vetes përmendoren e përjetëshme me kontributin e madh që e dha pa u kursyer në asnjë moment.

Familjes së nderuar të Ali Sinanit i shprehë ngushëllimet më të sinqerta, si dhe mbarë farefisit dhe miqëve, shokëve e dashamirëve të shumtë të tij dhe të gjithë Shqiptarve të komunës dhe Luginës e më gjerë.

Kujtimet dhe veprat e mira që la pas veti Ali Sinani me kontributin kolosal të tij, do t’i kujtojmë përherë dhe mburrja e krenari për te, duhet të na shërbej të gjithëve si ngushëllim dhe si lehtësim, që do e zbusë sadopak dhimbjen e madhe dhe të pafund për humbjen e tij.

I lehtë i qoftë dheu i vendlindjes së tij të dashur, Raincës, për të cilën kontribuoi aq shumë dhe nuk kurseu mundin dhe angazhimin e pafund!

Zoti i Madhëruar e shpërbleftë shpirtin bujar të Ali Sinanit me të gjitha të mirat në botën e amshueshme me xhenet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat