Cili është produkti dhe pasoja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë?

Opinione

Cili është produkti dhe pasoja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 30 maj 2020 Në ora: 10:47
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbrëmjen e kaluar ka komunikuar vendimin e saj për të legjitimuar dekretin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe për të rrëzuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosja për të shkuar në zgjedhje të reja pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. Ky vendim i Kushtetuese së shtetit më të ri në Europë mund të duket legjitim në kuptimin se juridikisht është parlamenti ai që dikton formimin e qeverisë, por njëkohësisht është i gabuar në pikëpamje të ndikimit për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë.

Pritej që Gjykata Kushtetuese të ishte instrument i zgjidhjes së kësaj krize, por në fakt ajo thjesht dha shanse të mëtejshme që konflikti politik në vend të thellohet më shumë. Çfarë do të ndodhë pas këtij vendimi, është pyetja më shqetësuese e opinionit publik? Përpara kësaj dileme nuk ka vlerë se kush pati të drejtë e kush jo në konfliktin që shkoi në gjykatë. Gjithashtu përpara tifozllëkut, nëse humbi zoti Kurti apo fitoi zoti Thaçi, çështja mbetet se çfarë fiton ose humb Kosova me vendimin e Kushtetueses!

Vendimi i mbrëmjes së vonë më së paku mund të konsiderohet si vendim që e dobëson pozitën e Kosovës në raportet e brendshme e të jashtme të saj. Efekti i saj negativ lidhet me shumë aspekte dhe faktorë:

Së pari, lidhet me faktin se për rrëzimin e qeverisë së koalicionit midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike u bënë bashkë të gjitha forcat e errësirës dhe nëntokës së Kosovës së 12 viteve të fundit. Këto grupime të dirigjuara nga presidenti Thaçi dhe me mbështetjen e lobit serb në SHBA e Europë realizuan një puç shteti me mjete legjitime, sepse si askund në botë e rrëzuan një qeveri të paprovuar në qeverisje, vetëm pas 52 ditësh të ardhjes së saj në pushtet. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një konflikt midis të shkuarës dhe të ardhmes së Kosovës.

Së dyti, partia në koalicionin e qeverisjes ishte inicuese e rrëzimit të qeverisë së saj, thjesht për të mbrojtur nderin e një politikani të implikuar në rrjetin e Hashim Thaçit, përkatësisht të Agim Veliut, ndërkohë që faktet dëshmuan se ky lloj politikani nuk dëshmoi asnjë aftësi tjetër në drejtimin e ministrisë se tij, përveç aftësisë për intriga dhe kurthe.

Si e tillë kjo parti mori detyrën e krijimit të qeverisë të kryesuar nga një politikan në dukje i pastër në pikëpamje të korrupsionit, por të paaftë dhe të pa fuqishëm për të ushtruar pushtetin e tij ekzekutiv në mënyrë të pavarur nga presidenti i Kosovës, presidenti i Serbisë dhe aq më pak nga kryetari i Lidhjes Demokratike, i lidhur ngushtë me dy të parët. Se ai është mirëpritur në Beograd, këtë fakt nuk po e fshehin as mediet serbe. Ky është dhe mbetet një sinjal i trishtueshëm për pasojat që do të vijnë nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Së treti, vendimet e gjykatave kushtetuese kudo në botë merren duke shqyrtuar edhe ndikimet që do të ketë ai vendim. Gjykata Kushtetuese e Kosovës as që ka marrë mundimin të pasqyrojë rrethanat dhe pasojat që do të sjellë mos-çuarja e vendit në zgjedhje të reja. Kjo është një temë më vete, por shkurtazi do të theksoj dy prej këtyre pasojave.

Njëra ka të bëjë me implementimin e projektit Rama-Thaçi-Vuçiq për shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës. Abdullah Hoti dhe Isa Mustafa, me ndihmën e Hashim Thaçit, u lidhën me lobin serb në SHBA dhe miratuan projektin e lartpërmendur. Pra, LDK dha garanci se me ardhjen e saj në qeveri do ta realizojë projektin serbo-rus të tre protagonistëve të lartpërmendur. Ndaj ajo mori fuqinë për krijimin e një qeverie të re. Nuk ka asnjë dyshim se qeveria e Abdullah Hotit do t’i bëjë dua marrëveshjes së parapërgatitur në bisedime të fshehta midis Thaçit dhe Vuçiq për ndarjen e territorit të vendit. Madje qëllimi kryesor i krizës është dhe mbetet realizimi i këtij projekti.

Nga ana tjetër rrëzimi i qeverisë Kurti dhe ardhja e qeverisë Hoti ka për qëllim t’i zgjasë jetën korrupsionit në Kosovë. Edhe pse kryeministri në ardhje nuk njihet si politikan i korruptuar, është fakt se indiferenca dhe heshtja e tij e garanton vazhdimësinë e grabitjes së pasurisë së Kosovës nga ata që u bënë garant të ngritjes së tij në krye të ekzekutivit. Duke qenë produkt i bashkimit të votave të një klase politike të korruptuar dhe deri diku të inkriminuar, Abdullah Hoti nuk jep asnjë garanci se do ta ndryshojë orientimin e Kosovës kah një ardhmëri më të sigurt në mirëqenie dhe prosperitet.

Bazuar në faktin se këto janë dy arsyet pse po rikthehet një qeverisje e LDK-së, madje pa politikanen më të popullarizuar të saj, Vjosa Osmanin, atëherë duhet të shkojmë te përfundimi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos e zgjidhur krizën përmes votës së sovranit, do të rezultojë kundra-produktiv. Këtë gjë e dinë dhe ata anëtarë të kësaj gjykate që votuan në shprehje të vullnetit antikombëtar të Hashim Thaçit dhe për këtë shkak nesër, kur të shohim përplasjen e madhe në Kosovë nga përpjekjet për ndarjen e vendit, historia do t’i fajësojë ata si bashkëpunëtorë në realizimin e projektit serb të shkatërrimit të shtetit të Kosovës.

Ndaj është e domosdoshme që për ta mbrojtur Kosovën nga kjo qeveri e promovuar me pompozitet në Beograd të shfrytëzohen të gjitha mjetet legjitime. Protesta dhe aksionet politike për këtë qëllim janë mjete demokratike, të cilat e ndihmojnë vendin të ruhet nga katastrofa historike, të cilën Kosovës ia kanë përgatit tre protagonistët pro-serbë e pro-rusë, përkatësisht Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçi dhe Edi Rama!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat