O, populli im "hajvanat"!

Opinione

O, populli im "hajvanat"!

Nga: Maxhun Smajli Më: 30 maj 2020 Në ora: 13:20
Maxhun Smajli

O, populli im, të kam dashur dhe të dua, edhe kështu si je, “hajvanat”. Po, si nuk t'u lodh kurrizi e nuk të erdhi mendja o, i mjerë!? Pse pranon të trajtohesh si kafshë nga këta  “tuxharë” politik!? Pse hesht o, i mjerë!? 

Edhe gjatë luftës, kështu, si kafshë, të trajtuan. A të kujtohet kur Forcat serbe të vranë, të masakruan, të dhunuan dhe të dëbuan nga vatra e jote e, nuk të mbrojti askush!? A të kujtohet kur Forcat serbe shkuan ku deshtën dhe bënë atë që deshtën e, nuk u ndaluan nga askush. Apo, i ke harruar edhe eshtrat e të zhdukurve!? 

Kosova u çlirua e, ty o, popull “hajvanat” nuk të thirrën për liri. Rrëmbyesit ta rrëmbyen atë; të vranë e të plaqkitën. Mbi kurrizin tënd u luajtën dhe po luhen drama tragjike e, ti nuk bëza. Vetëm përtypesh. Mbi tragjedinë tënde, komandantët u bënë zotër të Kosovës dhe pronar i yti o, popull “hajvanat”. 

U pasuruan me pare e prona, doktorratura e pushtet. E, ty për kafshë ngarkese të trajtojnë. Por, mos thuaj se je pa hak. Po, si pranove o, popull “hajvanat”, të hysh në kthetrat e egërsirave. Pse pranove të bëhesh veteran i rrejshëm? Pse pranove të krahasohesh me ushtarët e vërtetë të UÇK-s. Pra, ti o, popull “hajvanat” ke hak edhe për dhënien e tokave të Kosovës armiqve t'u; Maqedonisë, Malit të Zi, e tani edhe Serbisë.

Për nënshkrimin e Demarkacionit me Malin e Zi, nga Kollmari i Francës sollën Ramushin në krye të Qeverisë. Me ta nënshkruar Demarkacionin e prishën Qeverinë Haradinaj. Duke mos arritur ta bindin Albin Kurtin për nënshkrim të marrëveshjës tragjike me Serbinë, Dr. Hashim Thaqi dhe Isa Mustafa, me “sejment” e tij, e rrëzuan Qeverinë Kurti. Me nxitim emruan Avdullah Hotin si ushtar shahu në lojën e Dr. Hashim Thaqit dhe Isa Mustafës. 

Dhe, ta mbash mend, ti o, popull “hajvanat”, me ta realizuar nënshkrimin e marrëveshjës tragjike me Serbinë, do prishet edhe Qeverinë Hoti. Në të njëjtën kohë, Dr.Hashimit, do i ndahet Çmimi “Nobel” për paqe. Ai, do largohet nga politika pasi të këtë arritur majën e Zenitit. Pasi ta ketë arrituar atë që “nuk e ka arritur asnjë kryetar tjetër në shtetët ballkanike”. Kështu, Dr. Hashim Thaqi do shpallet “kryetari më i mirë i të gjitha kohërave për shtetët e Ballkanit”. Dhe, këtë, falë popullit të tij dhe timit “hajvanat”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat