Unë, votuesi - Bota Sot
Unë, votuesi

Opinione

Unë, votuesi

 Flamur Radoniqi Nga Flamur Radoniqi Më 31 maj 2020 Në ora: 08:20
Ilustrim

Me 6 Tetor, 2019 qytetarët e Kosovës votuan për të formuar institucionet e shtetit të Kosovës, me ç’rast 841,275 vota u certifikuan si të rregullta.

Nga këto vota, sipas përqindjes, kjo ishte rradhitja e partive që fituan mbi 1% të votave:

26.27% - LVV 

24.54% - LDK

21.23% - PDK

11.51% - AAK/PSD

  6.40% - Lista Serbe

  5.002% - Nisma/AKR

Të gjitha partitë tjera individualisht fituan më pak se 1% të votave, por së bashku i fituan 5.02% të votave.

Nuk dua të kthehem te qeveria e krijuar me 3 Shkurt 2020, me plot 4 muaj vonesë, e cila u rrëzua me votën e mos-besimit vetëm 50 ditë më vonë; por dua ta ndërthurrë tabelën e mësipërme me atë që na pret në ditët, javët apo edhe muajt në vijim.

Gjykata Kushtetuese gjeti mënyrë që të aryetojë dekretin e Presidentit Thaçi duke interpretuar Kushtetutën e Kosovës dhe njëkohësisht edhe duke shkruar amandamente të reja, për ta plotësuar vendimin e tyre. A është kjo shkelje flagrante e demokracisë? Përgjigjen do ta gjeni në fund, por tani do të mundohem t’i zbërthej arsyet se pse UNË, VOTUESI ndihem i zhvlerësuar dhe i mashtruar nga e gjithë kjo që ndodhi në 2 muajt e kaluar. 

Tani për tani, nuk po e ceki se cili votues jam unë.

Kur partitë politike garuan me programet e tyre, ata 841,275 votues zgjodhën programet më të mira ose më të besueshme dhe u japën votën e tyre.

Si qytetarë të Kosovës, të gjithë ne pa përjashtim e duam një jetë më të mirë, më dinjitoze dhe me një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë. 

Unë, votuesi besova në një program dhe partia që unë zgjodha më bindi për të ardhmen që unë e dua për shtetin tim duke thënë se me votën time ata Do të luftonin ata që instaluan korrupsionin, krimin institucional dhe nepotizmin. 

Unë, votuesi…besova.

Deri në këtë pikë, unë jam i pastër, nuk kam pendesë dhe nuk ndihem keq për zgjedhjen time, gjithsesi personale.

Por tani gjërat ndryshuan. Partia që unë votova rrezikon që të mos i mbjell frutat e programit të saj sepse pas zgjedhjeve ka ndryshim në rrugëtimin e saj. Fryti i zgjedhjeve u shpartallua dhe tani jemi në një udhëkryq të panjohur dhe gjithsesi shumë të rrezikshëm, ku varësisht prej kahjes që do të shtyhet përpara, ne ose mund të shkojmë me një “fryt” tjetër të krijuar jashtë rezultatit të zgjedhjeve, ose duhet të votojmë përsëri.

Unë, votuesi kërkoj patjetër që vota ime të çmohet dhe mos të zhvlerësohet assesi dhe kundër programit që unë e kamë votuar. Nëse partia ime ka ndërruar qëndrim, vota ime poashtu ka ndërruar. Ajo e kaluara nuk vlenë më.

Realiteti i krijuar tani kërcënon që 47.5% e votave shqiptare të mbeten jashtë qeverisë të cilën Presidenti Thaçi po e kontrabandon. Kjo qeveri e cila do të ketë vetëm 41% të votës shqiptare dhe gjithsesi e pamundur pa Listen Serbe, nuk është ajo qeveri që Unë, votuesi e kisha paramenduar atë ditë Tetori. Kjo qeveri do të ketë Zv. Kryeministrin nga Lista Serbe nga e cila edhe do të varet për aq sa do të zgjasë.

Unë, votuesi tani ndihem fajtor.

Unë, votuesi tani pendohem.

Unë, votuesi nuk e pranoj ndërrimin drastik të partisë sime, e cila sot po tenton ta krijojë dhe ta udhëheqë qeverinë e kontrabanduar me po ata të cilët partia ime më premtoi se do t’i luftonin. 

Unë, votuesi sot nuk dua të ndihem fajtor dhe i ndyer përballë bashkëqytetarëve të mi sepse jam i obliguar të respektoj edhe votën e tyre. Nëse vota ime u përdhos dhe keqpërdor, moralisht duhet ta mbroj atë të bashkëqytetarit tim, vota e të cilit ende ka vlerë në partinë që ai e zgjodhi.

Prandaj, unë votuesi… dua zgjedhje sepse vota ime e Tetorit u mbishkrua nga Gjykata Kushtetuese.

Unë, votuesi i LVV shpresoi që bashkëqytetari im i cili votoi partinë tjetër sot mendon kështu. Unë, votuesi i LVV po kërkoj vetëm drejtësi dhe barazi. Nuk kërkoj të pajtohesh me mua, por mos ma vjedhni votën time. .

Nuk dua të më falni asgjë, veç kërkoj që ne qytetarët të jemi të barabartë kur të vendosim për të ardhmen tonë, e jo kalkulimet e një grupi njerëzish. 

Mos lejoni që kjo të ndodhë.

Ky grup për 20 vitet e kaluara më detyruan që të shoh se si shteti im po varfërohej dhe po izolohej gjithnjë e më shumë për mua, por jo edhe për ata.

Jo më. Jo kështu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat