Dashuria për Amerikën

Opinione

Dashuria për Amerikën

Nga: Nasho Bakalli Më: 31 maj 2020 Në ora: 16:13
Nasho Bakalli

Evokimi i dashurisë për Amerikën bën pjesë në imagjinarin e demokracisë shqiptare në të cilën pluralizmi partiak shprehet, sot, me praninë e rreth 120 partive politike në fushën e lojës, dhe stolin e rezervave! Shumica dërmuese e këtyre detashmenteve u mbushën me individë që rrodhën nga shpërbërja e PPSH, dhe levave të saj. Kjo shpërbërje fillimisht fizike u shoqërua edhe me shpërbërjen, e kujt? E frymës të armiqësisë të shqiptarëve për Amerikën, e imponuar ajo nga regjimi politik qeverisës i diktaturës të proletariatit. Armiqësia për Amerikën, simbol i parë i të cilës ishte figura heroike e Enver Hoxhës, u zëvendësua në popull, pa ndonjë qëndresë të përfillshme, nga dashuria për Amerikën. Ndjenjë që gjendet e sendërtuar ëmbëlsisht, edhe në programet e partive që shtriqen, ose jo, nën hijet e PS dhe PD. Si dhe nën hijet e interesave – në demokracinë e sotmen korrupsioni në financimin e partive politike është një nga çështjet më kritike – të fuqive botërore nga Lindja në Perëndim; nga bota Arabe deri te vendet fqinje.

Duke kaluar nga e përgjithshmja te e veçanta, pra te dashuria e Partisë Demokratike për Amerikën, vërej se PD-së i është bërë ves, çfarë? Shpërfillja e sajdisë të Amerikës për Shqipërinë. Kujtoni vitet 1991-1992 kur Sali Berisha nuk guxonte të pipëtinte në popull pa pasur në krahun e djathtë Uilliam Rajerson, ambasador i SHBA në Tiranë. Pastaj vitet 1996-1997, kur marrëdhëniet e Sali Berishës, kryetar i PD dhe President i Republikës, arritën kulmin e acarimin me Uashingtonin për shkak të privimit të lirisë të masmedia, dënimeve të kundërshtarëve politikë, manipulimit të zgjedhjeve të vitit 1996, dhe mospranimit të sugjerimit amerikan për përsëritje të zgjedhjeve në 40 zona elektorale. Plani amerikan “Çarls Ëalsh” përfundoi me dorëheqjen e Sali Berishës si president i Republikës, po jo nga PD.

Partitë ekstremiste, siç dëfton historia, kur ia dalin t’i mbarojnë punët e brendshme kthehen nga çështjet e jashtme. PD gjatë mandatit qeverisës 2005-2009 ia doli ti nënshtrojë pritshmëritë e shqiptarëve për demokraci të vërtetë. Dashuria për Amerikën i vyejti asaj si vello për të mbuluar ndarjen fizike të Shqipërisë në tre pjesë, dhe për të hedhur farën e përçarjes kombëtare në Veri; në Tiranë, dhe në Jug! Me çfarë qëllimi? Për të legjitimuar sundimin e përjetshëm të pushtetit të PD-së mbi territorin e shtetit të përbashkët, duke përdorur deri edhe forcën e armëve. Trazirat ushtarake në vitin 1997, dhe 1998, si dhe 21 janari i famshëm i vitit 2011. Në mandatin e dytë qeverisës PD iu kthye çështjeve të jashtme, dhe i bëri lëmsh ato me SHBA, deri në qershor 2013, kur Sali Berisha u rrëzua nga froni për herë të dytë. Jo rastësisht, në maj të vitit 2013, ambasada amerikane në Tiranë deklaroi se po monitoron rrethanat e brendshme dhe të jashtme që ushqenin ftohjen politike të Sali Berishës ndaj qeverisë amerikane. Njëkohësisht, ambasadori Aleksandër Arvizu i përcaktoi “të shkëlqyera” ndjenjat e miqësisë të ndërsjelltë amerikano-shqiptare. Gjithsesi. PD nuk heq dorë nga loja e saj me SHBA.

Si vepron? Taktika e njohur është ajo e përbuzjes të “axhendave personale” të ambasadorëve Marisa Lino, Xhon Ëithers, Aleksandër Arvizu, Donald Lu dhe Yuri Kim - respektivisht - lidhur me zgjedhjet e viteve 1996; 2009; majit 2011; dhe reformën në drejtësi! Taktika e përbuzjes shfaqet e shaluar mbi një regjistër, shitje-blerje, imazhesh mediatike që trumbetohen brenda dhe jashtë Shqipërisë, të mbathura ato me dogma populiste, patriotike, nacionaliste, deri internacionaliste. Gjuha e egër e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës ndaj ambasadorëve në fjalë, përcjellës këta potencial të dashurisë të SHBA për Shqipërinë, synon ti shpërfaqë ambasadorët edhe si kundërshtarë të presidentit Donald Trump! Ky absurditeti i kryetarëve të PD, LSI etj., jo vetëm që e cënon publikisht, pa të drejtë, institucionin e presidentit të SHBA, po është edhe një fyerje për inteligjencën e shqiptarëve, dhe të zyrtarëve amerikanë... Kjo hasmëri e PD dhe shoqkave të saj – nuk kam si ta quaj ndryshe “pikën e ujit” që ujtis paprerë prej çerek shekulli – rreket kot se do të mund ta përçajë axhendën e SHBA për garantimin e sigurisë politike, ekonomike, ushtarake, shoqërore të kombit shqiptar.

Në historinë e rrëfenjave të dashurisë shqiptare për Amerikën, ajo dashuri paraqitet si një cilësi e privilegjuar e PD. Në fakt ishte PPSH ajo që i rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Amerikën. Dhe, kur e shkoqis sevdanë e PD-së për Amerikën më del se kjo mesele ka një kuptim sa relativ, po aq dhe absolut. Dashuria e PD-së për Amerikën është relative, sepse ka të bëjë me kundërshtimin e të drejtës të dashurisë për Amerikën të një konkurrenti tjetër politik shqiptar që ishte në pushtet derisa lindi Partia Socialiste. Fëmija e parë e Partisë Punës të SHqipërisë ishte PD-ja, e cila mori jetë nga shkrirja e PPSH - që ishte thjeshtë bartje nga një seli e vetme partiake tek disa seli të tjera partiake. Dashuria e PD për Amerikën është edhe absolute, sepse për të shmangur viktimat në këtë ashk - mes 120 jaranëve - preferohet që dashuria të postulohet që në mugëtirën e vdekjes të PPSH! Për mua ky postulim shpreh një kuptim dhe qëndrim tërësisht "mjedisor" të partive politike shqiptare. Pse? Sepse anëtarësia e partive përfaqëson një numër modest ndjenjash në evolucion të vazhdueshëm, por brenda kujt? Brenda ndjenjave të miqësisë dhe bashkëpunimit, përherë vitale, të gjithë popullit shqiptar kundrejt Amerikës. Partitë ngrihen e bien, populli mbetet përjetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat