Sot është historike – Kuvendi vendos për fatin e Kosovës

Opinione

Sot është historike – Kuvendi vendos për fatin e Kosovës

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 3 qershor 2020 Në ora: 08:55
Xhavit Kryeziu

Dita e sotme është njëra nga shumë ditët historike të Kosovës. Sot në Kuvendin e Kosovës,deputetët e saj do të vendosin për fatin e popullit tonë dhe të Kosovës në përgjithësi.

Përpara deputetëve të Kosovës, sidomos të atyre të LDK-së, të cilët sot do të ndeshen me një përgjegjësi shumë të madhe historike, janë vetëm dy rrugë:
- rruga e tradhtisë kombëtare dhe e ndarjes së Kosovës, dhe
- rruga e shpëtimit të tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës!

Rruga e tradhtisë kombëtare është ajo e votimit të qeverisë antikombëtare dhe antikosovare të mercenarit kukull, Avdullah Hoti. Nëse votohet qeveria e tij, e gatuar në Prishtinë por sipas shijes së kuzhinës së Beogradit, dhe e mbështetur me bekimin e "mikut" tonë RichardGrenell, Kosovën tonë e pret ferri - ndarja sipas projekteve serbe! Rruga e ruajtjes së tërësisë territoriale të shtetit të Republikës së Kosovës dhe e shpëtimit kombëtar për të cilën populli ynë ka derdhur aq gjak e mund, është ajo e votimit kundër qeverisë antikombëtare dhe antikosovare të mercenarit kukull, Avdullah Hoti. Kosova shpëton nëse i thuhet "jo" e madhe, jo SHBA-ve, por proserbit dhe antikosovarit të hapur, RichardGrenell, i cili për fatin tonë të keq, po mundohet të veprojë në emër të SHBA-ve!
Një “jo” sot RichardGrenellinështë një “po” e përhershme për SHBA-të dhe përqafim i vlerave të saja të larta demokratike. Vota kundër qeverisë Hoti është kurorëzim i rrugës sonë të gjatë e të mundimshme të lirisë së Kosovës dhe e aspiratës sonë për çlirimin përfundimtar nga okupimi i gjatë serb. Vota kundër qeverisë Hoti do të jetë lehtësim i dhimbjes së madhe shpirtërore i shumë familjeve shqiptare, të cilat as sot, si 20 vite nga lufta, nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre, gjurmët e të cilëve janë zhdukur në mënyrën më barbare nga pushteti kriminal policoro-ushtarak, pjesë e të cilit ka qenë edhe presidentit aktual serb Aleksandër Vučić, "qengjit" të përkëdhelur të ndërkombëtarëve dhe pse jo edhe i "mikut" tonë, RichardGrenell!

Deputetë të Kosovës, posaçërisht ju të LDK-së.

Sot, si rrallëherë në histori, ju keni në dorë fatin tuaj dhe fatin e popullit të cilin ju e përfaqësoni. Me votën tuaj sot, ju keni në dorë fatin dhe ardhmërinë e Kosovës! Nëse për hiçgjë tjetër, ju do të vendosni për veten tuaj: nëse historia do të bekojë apo do të ju mallkojë!

Të paktën njëherë kursejini pangopësitë tuaja për përfitime personale, dhe vetëm sot votoni me zërin dhe shpirtin e popullit të Kosovës. Bindjuni vullnetit të sovranit, e jo dëshirave të atyre që janë kundër popullit tuaj. Mos shkelni bukën e popullit që ju ka lindur, ju ka rritur, ju ka ushqyer dhe ju ka bërë këta që jeni sot!A mund ta garantoni ju ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës nëse RichardGrenell“nuk paska parë” asnjë plan për ndarjen e Kosovës, përderisa sipas të njëjtit njëri nga opsionet e marrëveshjes Beograd – Prishtinë është edhe ndarja e Kosovës “nëse kjo arrihet me marrëveshjen e dy palëve”?! A jeni në dijeni për alarmimet e opinionistëve, analistëve, profesorëve, kongresmenëve të ndryshëm amerikanë për frikën rreth planeve të fshehta për ndarjen e Kosovës?

Deputetë të Kosovës,

Përpara se të votoni, për pak çaste harrojini kolltuqet e buta të turpit, harrojini shumat e mëdha të parave të pista me të cilat jeni pasuruar në mënyrën më të paturpshme! Kthejeni mendjen te masakrat e Drenicës, të Mejës, të Krushës, të Izbicës, të Likoshanit, të Reçakut...; kthejeni mendjen për një çast të vetëm në sakrificën dhe masakrën e 52 anëtarëve të familjes së komandantit legjendar, të pavdekshmit Adem Jashari! Për çka u sakrifikuan të gjithë ata, dhe të gjithë të tjerët anembanë Kosovës? Nëse nuk doni t’u gjunjëzoheni, atëherë së paku sot kujtojini lavditë e Bekim Berishës – Abesë, të Luan e Shkëlzen Haradinajt, të ZahirPajazitit, të Ilir Konushevcit, të Agim Ramadanit, të Feim e XhevëLladrovcit...; kujtojini shpirtat e njomë e të çiltër të fëmijëve tanë të masakruar edhe në djep; kujtojini çnderimet barbare të mbi 20 mijë nënave, motrave, grave e bijave tona të kryera  vetëm 20 vite më parë nga ata të cilët ju do të mund t’i shpërbleni sot; kujtojeni vizionin largpamës të të madhit Ukshin Hoti, fatin e të cilit nuk e di askush, përveç atyre që e zhdukën pa gjurmë, dhe të cilëve ju u keni shërbyer dhe mendoni t’u shërbeni, me apo pa vetëdije; kujtojeni madhështinë e strategut të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, pas emrit të të cilit jeni thirrur dhe thirreni sa herë që ju nevojitet ndihma e popullit; kujtojeni mundin, gjirin dhe qumështin e nënave tuaja; vini dorën në zemrat truaja nëse vërtet keni zemër, dhe shikoni fotografitë e fëmijëve tuaj përpara se të vendosni për rrugën të cilën do t’ua trasoni atyre!...
Pastaj, votoni!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat