Qeveri apo vegël e Thaçit - Bota Sot
Qeveri apo vegël e Thaçit

Opinione

Qeveri apo vegël e Thaçit

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 4 qershor 2020 Në ora: 15:19
Avdullah Hoti

Madje edhe në tubimin e djeshëm të Kuvendit të Kosovës, as ligjërisht ajo nuk ka marrë numrin e mjaftueshëm të votave për të qenë qeveri legjitime.

Kjo për vet faktin e patejkalueshëm ligjor, se për të arritur numrin 61 të votave, ka votuar kundërligjshëm edhe personi që ka humbur mandatin e deputetit dhe të drejtën e votimit, Etem Arifi, i cili është i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg efektiv.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, si z. Arifi, i zhvesh nga posti i deputetit dhe në bazë të rregullave ligjore në fuqi, ajo e ka bërë të pavlefshëm edhe mandatin e tij, për këtë legjislaturë.

Ndaj çështja duhet dërguar urgjentë, për sqarim në Gjykatën Kushtetuese, por edhe për të parë se a do të vendos, të paktën kësaj radhe drejtë ajo, apo do ta favorizoj sërish presidentin dhe dëshmojë se këtu ekziston jo për Kosovën dhe qytetarët e saj, por vetëm për Hashim Thaçin.

Me kompozimin e qeverisë Hoti, një qeverie kukull të Hashim Thaçit dhe marionete të Serbisë, një qeveri ku në të gjitha postet me rëndësi shtetërore strategjike dhe nacionale, çelësat i ka marrë në dorë Lista Serbe dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, Kosova nuk mund të ndihet më, aspak mirë, e qetë as e sigurt, sepse ajo do të jetë nën kontroll të vazhdueshme të Serbisë dhe vëzhgim të përhershëm të shtetit serb.

Koincidencë apo jo, Isa Mustafa pas heqjes së autonomisë së Kosovës më 23 mars të vitit 1989, dhe kthimit të saj nën okupimin e Serbisë, tanimë për herë të dytë, po përpiqet ta fus Kosovën, me metodat e tij perfide, serish nën okupimin e shtetit serb.

Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj skandaloz nga gjyqtar të katapultuar përmes pazareve politike të Hashim Thaçit & CO, mundësoi të formohet një qeveri e tillë skandaloze serbo-shqipfolëse pa shkuar fare ne zgjedhje ku sovrani popull do të vendoste se çfarë qeverie do.

Një qeveri marionetë e një koalicioni jo legjitim të krijuar nga kompozicioni më çoroditës, të cilën në mungesë të numrave, e votuan edhe deputet pa të drejtë vote, e të sanksionuar penalisht, nga kampi i degjeneruar politik i LDK-s.

Qeveri e cila ktheu Serbinë në institucionet më të ndjeshme të Kosovës, me një marrëveshje sekrete, ndërmjet Listën serbe dhe LDK-s, të cilën as pas formimit të qeverisë, nuk guxuan ta bënin tërësisht transparente.

Ndaj lind pyetja, çfarë e keqe e madhe fshihet prapa kësaj marrëveshjeje konspirative, që as pas formimit të qeverisë, nuk guxon të bëhet transparente për opinionin?!

Apo ndoshta Hoti dhe Isa Mustafa, nuk po guxojnë ta bëjnë transparente, që sekserët e Aleksandër Vuçiqit, i kanë futur vet, nga dera e prapme, përveç në polici edhe në FSK e AKI dhe deri në ambasadën e Kosovës në SHBA.

Isa Mustafa me bashkëpunëtor, për herë të dytë, pas vitit të zi 1989,po përpiqet ta rikthejë serish Serbinë me kompetenca okupuese në Kosovë.

Rrahman Morina dhe Isa Mustafa si ministër i tij, edhe në fund të viteve të 80-ta,bënin propagandë të çmendur se me ndryshimin e amendamenteve kushtetuese, Kosova nuk humbë asgjë, madje thoshin se ajo edhe "fiton" sepse - me sakrifikimin e statusit të saj vetëqeverisës, do të “ruhej” Jugosllavia!!!

Ndaj me 23 mars të vitit 1989 Kuvendi i Kosovës i përbër gati tërësisht me shqiptar, dhe vetëm me ndonjë serb që mund të njiheshin në gishta, i ndërsyer nga njerëz si Isa Mustafa e Rrahman Morina, votuan pothuajse njëzëri për ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Serbia, duke e zhveshë tërësisht Kosovën edhe nga ajo pak autonomi që deri atëherë kishte, hequr asaj çdo të drejtë statusore vetëqeverisëse dhe kthyer nën okupimin e plotë nga Serbia.

Kështu që nga pjesë ish konstituive e federatës së Jugosllavisë që Kosova e kishte fituar në vitin 1974, disa vite pas rrëzimit të Aleksandër Rankoviqit, me të drejta gati të përafërta me gjashtë republikat e tjera,15 vite më vonë deputetët shqiptar me duart e veta, do të votonin personalisht, pro amendamenteve të Sllobodan Millosheviqit duke i hequr vet autonominë Kosovës dhe kthyer atë tërësisht nën okupimin klasik të Serbisë.

Një nga momentet më të errëta dhe veprimet më të turpshme për deputetët shqipfolës dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi, kur vetëm zonja Melihate Termkolli atëherë studente 23 vjeçare dhe deputetet e Kuvendit, ndër të rrallat pati guximin të votonte kundër, e cila nga kritikat e shumta të atyre që votuan pro kërkesave të Serbisë, dhe akuzat se kinse kjo me një votë të veten, kundër heqjes së autonomisë së Kosovës, paska dashur ta shkatërrojë Jugosllavinë, do ta detyronin studenten e re të shpërthente në vaj, nga injoranca e pafund e deputetëve shqipfolës të shitur tek Serbia, prototip origjinal i të cilëve është dhe mbetet edhe sot Isa Mustafa.

Ndaj dhe nuk është fare për tu habitur se edhe atëherë mbështetësit kryesor të heqjes së autonomisë së Kosovës, ishin Rrahman Morina dhe ministri në kabinetin e tij Isa Mustafa.

Një kapitull i zi, me pasoja të tmerrshme për shqiptarët, kur vetëm 5 ditë më vonë, në bazë të votimit të vet shqiptarëve, Kuvendi i Serbisë, më 28 mars të vitit 1989, do ti hiqte tërësisht autonominë Kosovës dhe kthente vendin tonë, në Kushtetutën e shtetit serb, si pjesë "integrale" të Serbisë.

Ndaj nga trazirat që shpërthyen, shkaku i heqjes së autonomisë, në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Kosovës, kur rinia dhe studentët u ngritën të mbronin atë pak autonomi, që tanimë nga deputetët shqipfolës ishte shitur, policia serbe vrau mese 22 shqiptar.

Kaqusha Jashari në shenjë mospajtimi me veprimet e Serbisë, dha dorëheqje, por as posti i saj i lartë udhëheqës e politik i asaj kohe, nuk mbeti as një orë i zbrazët.

Edhe atë e zëvendësoi menjëherë ish kryepolici i Kosovës, tradhtari Rrahman Morina, një mbështetës i flakët i Millosheviqit, të cilit ia bënte ngatë vetëm Isa Mustafa, duke bërë thirrje hapur për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe futjen e saj nën "ombrellën" Serbisë.

Pra nuk duhet harruar që edhe atëherë, shqiptarët ishin shumicë, dhe pa votat e tyre, asnjë nga propozimet e Millosheviqit nuk do të mund të miratoheshin në parlament, por të nxitur nga propaganda e Rrahman Morinës dhe Isa Mustafës me shokë,si mbështetës të Serbisë, deputetët shqipfolës votuan vet kërkesat e presidentit kriminel serb, për heqjen e autonomisë së Kosovës dhe kështu me votat e tyre, pas 15 vitesh autonomie, e futën vet Kosovën, përsëri nën okupimin e Serbisë.

Dhe sikur të mos mjaftonin bëmat e tij në të kaluarën e hidhur, ish ministri i Rrahman Morinës, argati besnik i Serbisë së Millosheviqit dhe kryetari aktual i stërvjetëruar i LDK-s, Isa Mustafa, njëjtë si atëherë, vepron edhe sot.

Madje përveç mbështetjes së aventurave të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, me involvimin e Listës Serbe në të gjitha institucionet dhe strukturat më të ndjeshme të shtetit tonë të brishtë, jugokomunisti nostalgjik Isa Mustafa po përpiqet hapur, edhe ta rikthej sërish Kosovën nën okupimin e plotë të Serbisë.

Për të dëshmuar më mirë gjithë këtë maskaradë, të orkestruar nga kuislingu Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtori i vjetër i Serbisë, Isa Mustafa, po e vendosë këtu skemën e publikuar në media, me postet në të cilat përfshihet Lista serbe, në mënyrë mbi-proporcionale si asnjëherë më parë, që nga paslufta e deri më tani në Kosovën tonë të pavarur.

Postet e listës serbe:

Zëvendëskryeministrin e parë (Goran Rakiq)
Zëvendësdrejtorin e AKI-s (Agjencisë Kosovare të Inteligjencës)

Zëvendëskomandantin e FSK-s (Forcave të Armatosura apo Ushtrisë së Kosovës)
Të drejtën e VETO-s për vendim-marrje në: FSK, AKI, Diplomaci dhe Polici të Kosovës
Zëvendësministrin e Ekonomisë me të drejtë VETO-je, në shitjen e aseteve të shtetit
Zëvendës-ambasadorin e Kosovës në SHBA
Zv. Ministrin në Arsim


Zv. Ministrin në Shëndetësi.

Kjo është skema e trishtë e përfaqësimit të Listës serbe, një mbipërfaqësim i imponuar nga Serbia dhe dakordur ndërmjet udhëheqësit të të ashtuquajturës "Zyrë për Kosovën" në Beograd-Marko Gjuriq me sharlatanin nga LDK, Arban Abrashi, me kusht që të marrë edhe ky, një post në këtë qeveri të mbrapsht dhe proserbe.

Kosova që nga çlirimi në qershor të vitit 1999, e këndej, kurrë nuk ka qenë më në rrezik se sa nga formimi i një qeverie të tillë kaq poshtëruese, një ngrehine kuislinge me përbërje hibride shqiptaro-serbe me mision tradhtie, për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, apo edhe rikthimin e saj nën okupimin e plotë të Serbisë.

Vetëm Listës serbe, për dallim nga të gjitha segmentet tjera politike në vend, çuditërisht i është ofruar edhe-E Drejta e VETO-s, privilegj të cilin nuk e ka pas kurrë, as nuk e ka-as tani, asnjë parti politike shqiptare në Kosovë!

Lista srpska, përveçse është mbipërfaqësuar sikur të ishte jo parti minoritare që përfaqëson vetëm 10-15 mijë votues, por si të ishte partia e parë apo e dytë fituese e zgjedhjeve në vend, që nga zëvendëskryeministri i parë me kriminelin Goran Rakiq e deri te institucionet më të ndjeshme dhe senzitive në vend, gjë që duke ditur rolin destruktiv në vazhdimësi të kësaj liste dhe personave që udhëheqin atë, përbën një rrezik të hapur për Kosovën.

Nga involvimi i Listës serbe, tash e tutje, të gjitha institucionet kryesore dhe me rëndësi për vendin, do të jenë nën përgjim të plotë dhe të përhershëm të Serbisë.

Kjo nuk ka ndodhë asnjëherë deri më tani, në historinë e shtetit të Kosovës, që nga koha e okupimit klasik të vendit tonë, në vitet e 90-ta, nga ushtria dhe policia serbe e kryekriminelit të Ballkanit Sllobodan MIllosheviq.

Historikisht, asnjë qeveri e cila ishte e varur nga Serbia dhe Lista serbe, si Qeveria Hoti, deri më tani kurrë nuk ka mundur të ketë sukses as të garantojë prosperitet për vendin, gjë që pritet ti ndodhë edhe kësaj.

Kështu që e vetmja mënyrë siç e tha edhe vet krye parlamentarja e Kosovës, z.Vjosa Osmani do të ishte formimi i një qeverie teknike për një periudhë kalimtare 6 mujore, me një personalitet jopartiak dhe unifikues në krye si Murat Jashari,deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja.

Që nga paslufta Kosova kurrë nuk ka pasur edhe një qeveri më të komprometuar, se qeveria Hoti, në të cilën, rolin kryesor e ka Lista Serbe dhe Hashim Thaçi, ndaj edhe propaganda e Isa Mustafës se kjo qeveri do të përfundojë marrëveshjen me Serbinë me njohje reciproke është RRENË e kulluar.

Kjo për vet faktin e thjeshtë dhe të ditur nga të gjithë se qeveria Hoti, apo qeveria kukull e Hashim Thaçit ose duhet të veprojë sipas tekeve të Listës serbe dhe pranojë kërkesat e Serbisë për ndarjen e Kosovës, ose Lista serbe do të dal nga koalicioni dhe nuk do të ketë më qeveri “Hoti”!

Kështu që Avdullah Hoti,duke qenë i varur kryekëput nga Lista Serbe dhe Hashim Thaçi, do të jetë vetëm një lodër e thjeshtë në dorë të Thaçit,të cilin presidenti do të përpiqet ta kthej në shërbëtor të tij, sa për t`ia bartur çantën në udhëtimet jashtë shtetit.

Ndaj vet ky fakt flet mjaftueshëm se rrëzimi i Qeverisë Kurti nuk ndodhi për asgjë tjetër, përveçse për të mbajtur Hashim Thaçi monopolin në dialogun me Serbinë, dhe për të shpëtuar veten dhe shokët e korruptuar nga ndjekja dhe zbulimi i dosjeve të tyre kriminale, me ç`rast përveç privimit nga pushteti, ai dhe bashkëpunëtorët, mund të privoheshin edhe nga liria, të cilëve pa dyshim, do tu rrezikohej edhe pasuria miliardëshe e grumbulluar për 20 vite me radhë, me metoda mafioze dhe në mënyrë të paligjshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat