Dua Lipa meriton mirënjohje dhe jo “mallkime”!

Opinione

Dua Lipa meriton mirënjohje dhe jo “mallkime”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 6 qershor 2020 Në ora: 07:37
Dua Lipa

Nga data 3 qershor në Izrael ka nisur firmosja e një peticioni, nëpërmjet të cilit  kërkohet ndalimi i transmetimit të këngëve të Dua Lipës në radiot dhe televizionet e këtij vendi.

“Në dritën e nxitjes kundër ushtarëve, të antisemitizmit, shpifjes, teorive të komplotit dhe shtrembërimeve që gjenden në postimin që këngëtarja ndau, nuk është e përshtatshme që një radio izraelite të vazhdojë të transmetojë këngët e saj,” shkroi Organizata “Im Tirzu”, në një letër drejtuar dy ministrave të qeverisë izraelite…

“Faji”, “krimi” apo “mëkati” i saj, sipas ideuesve  të organizatës “Im Tirzu” të këtij peticioni ‘është se këngëtarja shqiptare me famë  të gjërë ndërkombëtare, ndau në llogarinë e saj në Instagram një postim, siç  cilësohet prej tyre, anti-izraelit. Në këtë mesazh të saj, të cilin e tërhoqi po vetë një ditë më pas, me sa kuptohet nga shqetësimi prej komenteve negative, kryesisht nga Izraeli, Dua Lipa shprehet saktësisht:

 “Ndërsa të gjithë janë në humor për të folur për të drejtat e njeriut, kjo është ajo që ndodh çdo ditë në Palestinë, e paguar nga dollarët e taksapaguesit tanë. Djemtë e  këqij të ushtrisë izraelite kënaqen plotësisht duke rrahur dhe qëlluar fëmijët…Ata madje kanë bluza që përshkruajnë një grua palestineze shtatzënë me një hapësirë snajperi në stomakun e saj, ku lexohet “me 1 të shtënë dy vrasje”.

Për të kuptuar se sa jehonë e mbështetje po gjen ky peticion në popullin e Izraelit dhe në komunitetet apo lobet izraelite në botë, me rreth 15 milionë frymë, është shumë shprehës fakti se deri më dt.5 qershor 2020, ky peticion, sipas vetë mediave izraelite, është firmosur nga rreth 3.500-4.000 vetë. Në rrjetet sociale ka shumë  komente që i kundërvihen Dua Lipës, edhe me kritika jo të kulturuara. Kjo është e pritshme dhe e justifikueshme disi nga Izraeli dhe izraelitë. Por, paradoksalisht, Dua, edhe pse nuk ka bërë gabim, është sulmuar me kritika e “këshilla” edhe nga disa bashkëkombas të saj, ndryshe nga izraelitët, që e kanë traditë ta mbrojnë me të gjitha forcat e mënyrat njeri-tjetrin…Më e pakuptimta apo më e papranueshmja është se disa prej këtyre kritikuesve shqiptarë, pa i bërë më parë vetes pyetjen se “cili jam unë”, guxojnë edhe t’i japin mend dhe leksione Duas.  Disa izraelitë, duke i hequr mesazhit spontanitetin dhe sinqeritetin njerëzor, shkuan edhe më larg e më thellë, përhapën edhe në media izraelite dhe të vendeve të tjera, deri përrallën se në mesazhin e Dua Lipës ka dozë antisemtizmi,“virus” i marrë nga lidhja e saj miqësore me ndonjë apo disa pjesëtarë të një grupi antisemitist në Londër???!!!”.Kjo bëhet pa marrë parasysh faktin se ne shqiptarët në përgjithësi si komb nuk e kemi në gjak rracizmin dhe  faktin tjetër se Dua Lipa ka shokë e miq, shoqe e mikesha në Londër dhe në SHBA edhe jo pak hebrenj. Nga ana tjetër, ndryshe nga si në shumë vende të botës,  tek ne shqiptarët  nuk kanë gjetur vend shfaqje të antisemetizmit. Këtë fakt e kemi shprehur sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur i mbrojtëm edhe me jetë shqiptare hebrenjtë, që jetonin dhe erdhën për t’u fshehur në qytetet shqiptare.    

Sipas meje, ideja dhe nisma e peticionit është plotësisht dhe qartësisht fanatizëm nacional nga ana e atyre izraelitëve, që e kanë menduar dhe firmosur, anëtarë ose jo të Organizatës “Im Tirzu”. Dua Lipa nuk ka fantazuar dhe trilluar asgjë dhe nuk është tendencioze apo raciste ndaj ushtrisë, policisë dhe shtetit të Izraelit! Ajo ka shkruar “djemtë e këqinj të ushtrisë izraelite” dhe jo “e gjithë ushtria izraelite”. Pra, ka bërë dallimin midis një grupi dhe të tërës. Si humaniste, prej rreth 5 vitesh, ka qenë pjesëmarrëse dhe sponsorizuese në aksione bamirësie në Britaninë e Madhe, SHBA, Kosovë, sidomos në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të nënave dhe të fëmijëve… Ka ndjerë dhimbje e revoltë me zemër, si NJERI, si FEMËR  dhe si një artiste me famë ndërkombëtare. Ka ndjerë detyrim jo vetëm moral e qytetar për t'u angazhuar për të ndalur shtypjen dhe dhunën ndaj popujve të tjerë, sidomos ndaj grave, fëmijve, të moshuarve! Me mesazhin e saj Dua Lipa ka shprehur shqiptarisht se ajo nuk mund të heshtë para akteve të kësaj natyre, në Palestinë e kudo tjetër në botë, edhe sepse nuk mund të harrojë rastet e panumurta të krimeve të pushtuesve serbë ndaj bashkombasve të saj në Kosovë. Nëse sot propaganda izraelite e cilëson gjithë popullin palestinez si “terrorist”, pa përjashtuar edhe fëmijët dhe gratë shtatzëna, që me të drejtë ka marrë në mbrojtje Dua Lipa, kështu, “terroristë” i kanë cilësuar edhe Milosheviçi dhe Vuçiçi gjithë popullin e Kosovës dhe luftëtarët e UÇK-së deri më 12 qershor 1999.        

Gjithashtu, ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë se sa artistë dhe personalitete botërore kanë reaguar kështu kundër krimeve serbe në vitet 1990 në Bosnjë e Kosovë apo këto vite kundër krimeve izraelite në Palestinë, kundër krimeve të ushtrive ndërluftuese në Siri e gjetiu! Në rastin konkret, Dua u ka dalë në mbrojtje një fëmije dhe një gruaje shtatzënë dhe jo terrorizmit palestinez. Në Palestinë, vërtetë ka organizata dhe grupe terroriste, por nuk është i gjithë populli terrorist! E mirëkuptoj inatin e atyreve që e kritikojnë Duan për këtë mesazh, nisur nga fakti se shteti palestinez, nuk e njeh si shtet Kosovën tonë, por në rastin konkret Dua Lipa ka shprehur humanizëm përtej politikës. Nuk mund të harrohet edhe fakti se edhe Izraeli nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur. Në këto kushte, përse penalizohet vetëm qeveria e Palestinës dhe jo ajo e Izraelit? A nuk shpreh ky qëndrim njëanshmëri dhe jo objektivizëm?

Disa kundërshtues shqiptarë të Duas e justifikojnë këtë njëanshmëri të qëllimshme të tyre për hirë të raportit dhe mirënjohjes tonë si vende e si komb me SHBA, për të mos ua prekur Izraelin, i cili dihet se gëzon statusin e pashpallur ligjërisht, si shteti  i 51. Sipas këtyre, Dua nuk duhet të merrte në mbrojtje një fëmijë dhe një grua shtatzanë palestineze, të cilët na qenkan terroristë para “ëngjejve” të ushtrisë dhe policisë izraelite, se kështu “mund të na zemërohet aleati më i madh”. Sipas kësaj logjike, rrjedhimisht ne shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Diasporë…, nuk duhet të shprehim asnjë pakënaqësi, kundërshtim, kritikë ndaj SHBA-ve, si borxhlinj të përjetshëm ndaj tyre, edhe kur prej muajsh në Tiranë dhe Prishtinë, nën hundën, me rolin aktiv apo mbështetjen e ambasadorëve dhe misionarëve edhe të SHBA-së, po përjetojmë skenarë e drama kaotike dhe të rrezikshme politike, sociale, ekonomike, juridike, historikisht dhe aktualisht shumë të dëshiruara dhe investuara në Moskë, Beograd, Athinë... Disa kundërshtues të tjerë të mesazhit të Dua Lipës “e këshillojnë” atë të merret vetëm me muzikën dhe jo me politikën. Natyrisht, mund ta bëjë këtë e mund t’i dalë depolitizimi i plotë më për mirë asaj individualisht. Mund edhe të mos i shkaktonte  vetes shqetësime me këtë mesazh, ndoshta duke u futur edhe në listën e gjatë të Mossad-it izraelit, për “njohje apo lidhje shoqërore me ndonjë apo disa pjesëmarrës të një grupi antisemitist në Londër”. Por, nëse analizohet thellë, kjo “këshillë” i përcjell asaj dhe të gjithë personaliteteve ndërkombëtare shqiptare të fushave të artit, kulturës, letërsisë, shkencës, sporteve…mesazhin dëmsjellës: mbyllni sy, gojë, veshë para të keqes, të së padrejtës, të paligjshmës, dhunës, krimeve nëpër vendet e botës ku jeni e kudo, pa përjashtuar edhe ato në vendlindje! “Harrohet” se një protestë individuale, me gojë e shkrim, e këtyre personaliteve ka peshë dhe jehonë më të madhe edhe se një protestë masive e shumë viktimave dhe qytetarëve, që i mbrojnë dhe mbështesin. Ky peticion, sipas meje, ka prapavijë politike dhe antishqiptare nga autorët e peticionit, disa prej të cilëve, nuk përjashtohet kategorikisht se mund të jenë sponsorizuar edhe nga Moska apo Beogradi. Nuk përjashtohet edhe synimi që të “shuajnë” edhe disa zëra të paktë e të dobët në Tel Aviv dhe Jeruzalem, që kanë kërkuar prej vitesh që qeveria e Izraelit të rishikojë qëndrimin e saj për mos njohjen e shtetit të Kosovës, ashtu si nuk e njeh për vasalitet ndaj Rusisë dhe Serbisë as qeveria e Palestinës. Sa për humbjen e Dua Lipës të 3.000 apo 300.000 pëlqyesve të saj në Izrael e jashtë tij, nuk ia vlen ta marrim në konsideratë  e jo më të shqetësohemi. Ajo ka me miliona fansa në mbarë botën dhe i shton ata pareshtur…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat