Mos ia shtoni plagët diasporës!

Opinione

Mos ia shtoni plagët diasporës!

Miftar Zagragja Nga Miftar Zagragja Më 9 qershor 2020 Në ora: 20:24
Hashim Thaçi

Lidershipit politik të Kosovës,

Presidentit Thaçi,

Kohëve të fundit, në Kosovë lidershipi politik, njëri pas tjetrit fyejnë e etiketojnë diasporën shqiptare, e cila, siç dihet dha  dhe po jep çdo gjë për atdheun, madje edhe kafshatën e gojës! Prandaj, zotërinj që në fillim ju them se duhet të respektohet e vërteta e faktet, jo trillimet e shpifjet!

Këto ditë, kur Kosova është futur në krizën më të thellë politike, rivalët politikë nuk po zgjedhin fjalë për ta fyer e degraduar njëri -tjetrin, madje duke u shërbyer me trillime e thashetheme, jo me të vërtetën e me fakte. Akuzat po adresohen  ndaj pjesës më vitale të kombit, pra diasporën shqiptare.

Z. Thaçi, diaspora e Kosovës i ka rrënjët  në atdhe, ju pëlqeu kjo apo jo!

 

 Zotërinj të politikës në Kosovë,

Të gjithë ju i dini rrethanat dhe arsyet se përse  u detyruam t’i lëshojmë trojet tona dhe jetën ta kalojmë nëpër vendet të ndryshme të Evropës. Por, po ju rikujtoj se mërgatën shqiptare  në veprimtarinë e saj  mjaft të pasur dhe gjithmonë në dobi të Kosovës përherë e kanë  karakterizuar tri motive: ai ushtarak, ekonomik dhe politik.

Diaspora jonë është truri intelektual shqiptar, që qëllimisht është harruar apo përbuzur nga politika dhe politikanët e Kosovës. Nuk janë të paktë politikanët, profesorët, doktorët, pilotët, shkrimtarët, gazetarët, artistët, filozofët, ekonomistët, inxhinierët që shërbejnë në dhe të huaj dhe janë mjaft të respektuar për vlerën që kanë dhe punën që bëjnë, në mërgimin e nisur kryesisht në vitet e ‘90-ta, kur jeta në Kosovë ishte e tej rënduar, kur dhjetëra mijëra shqiptarë ishin dëbuar nga puna, Universiteti i Prishtinës dhe shkollat e mesme e fillore u mbyllën. Po ashtu edhe punëtorët shëndetësorë u dëbuan ose u detyruan t’i braktisnin vendet e punës, pasi u kërkohej të nënshkruanin dokumente se janë shtetas luajal të Jugosllavisë. Tutje, qindra e mijëra shqiptarë ia mësynin dyerve të Evropës perëndimore, me shpresë për shpëtim. Pra, para së gjithash kërkonin të mbijetonin, e pastaj mund të rinisnin jetën.

E drejta e shprehjes së mendimit të lirë i kalon të gjitha normat juridike dhe normale e mendore dhe i kthehet akuzës për pjesën vitale të kombit të tij!Analisti, Shkëlzen Maliqi, në emisionin “ Rubikon”, ka thënë se “diaspora e Kosovës ka më shumë qëndrime radikale dhe shesin mend, ndonëse nuk jetojnë këtu” Sipas Maliqit,edhe Isa Mustafa gjithmonë është shquar për demagogjidhe për  tradhti  politike,  sjellje  arrogante.  

(29.07.2016   https://www.youtube.com/watch?v=n67xNzGYxhë (Abuzim me fondin e 3%) Isa Mustafa: Kanë mbetur edhe 50 milion marka).

Ka pasur edhe aktakuza të ngritura nëpër gjyqe pas luftës, por ato kanë pushuar, edhe pse bëhej fjalë për disa nga përgjegjësit kryesorë të këtyre fondeve. Dihet se përgjegjësit e këtyre fondeve janë figura të larta në politikën kosovare, sikur që është Fondi 3% që si kryeministër i asaj kohe ishte Bujar Bukoshi dhe ministër i financave Isa Mustafa, nuk e panë të arsyeshme kurrë që t’i arsyetojnë se si dhe ku u shpenzuan e ku mbeten këto mjete financiare, prandaj e kemi situatën e këtillë” (Emisioni Debat në RTK, udhëhequr nga Ridvan Berisha).

Nga ana tjetër, Isa Mustafa, tha "pse diaspora më kanë faktorë përcaktues në zgjedhjet 05-tetor 2019  politik pa asnjë bazë argumentuese  dhe të pa vërteta”. Për çfarë arsyeje?

A ka gjë më të keqe se kur presidenti Hashim  Thaçi, drejtpërdrejt në emisionin  “T7” më 03.06.2020 deklaroi të pa vërtetat ku e shantazhon diasporën se në zgjedhjet e fundit në Kosovë diaspora paska manipuluar me zgjedhje duke i shitur votat dhe  duke i mbushur kutitë me vota fiktive etj.

Zotëri Thaçi,

Diaspora nuk korruptohet! Ne nuk jemi nga Bangladeshi apo  nga Afrika. As nga vendet që ju i cekët, por jemi shqiptarë nga tokat tona antike të Dardanisë. Ne nuk shesim e as nuk blejmë vota, e as nuk përdorim dhunë kundër mendimit ndryshe në politikë.

Pra, përmes veprimeve të Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe të tjerëve si këta, shumë qartë po iu tregohet së çfarë interesash perfide përfaqësojnë këto parti politike në Kosovë.

Ju bëjmë me dije se ne nuk mbështesim ndonjë parti të veçantë politike në Kosovë, Shqipëri, apo trojet e tjera shqiptare, por ne i mbështesim ata politikanë që punojnë shumë për interesat kombëtare dhe njerëzit që ata përfaqësojnë. Diaspora shqiptare e Kosovës më 6 tetor 2019 nuk kanë votuar për një qeveri që varet nga Lista serbe. Ne nuk i përkrahim ata që punojnë  për interesat e tyre personale dhe për individët e flaktë për pushtetit dhe interesat e  tyre personale, kundër vullnetit të votuesit. Ne kërkojmë e punojmë për një Kosovë ku sundon ligji dhe  ku  mbrohen interesat e qytetarëve.

Të dëshpëruar me partitë politike, të dëshpëruar me realitetin. Kështu s`i kemi ëndërruar e menduar institucionet e Republikës së Kosovës. E drejtë dhe nevojë shumë normale është që çdo pjesëtar i diasporës të ketë mendimin e vet politik, animin e vet politik dhe gjatë zgjedhjeve të votojë atë që mendon se është më i mirë për të ardhmen e atdheut.

Zotëri  President,

Për diasporën  ju  keni obligim moral e ligjor që t’i mundësohet  të votojë aty ku jeton dhe Kuvendi i Kosovës të ketë deputetë nga diaspora.Mërgimtarëve tanë duhet t’u kthehet besimi në institucionet e Kosovës,  sepse ata duhet të jenë qytetarë të barabartë në të gjitha sferat e jetës e sidomos në të drejtën e tyre kushtetuese, pra të votojnë dhe të jenë të zgjedhur.

Ju të nderuar, tani po harroni periudhën më të ndritshme të historisë, por edhe kohët më të vështira kur kemi punuar e vepruar, ditë e natë. Ne jemi krenarë për punën dhe aktivitetin tonë, për rolin që kemi luajtur në financimin dhe grumbullimin e ndihmave dhe mjeteve të nevojshme për të mbrojtur e çliruar tokat tona antike dardane për çlirim nga pushtuesit.

Përveç ndihmave financiare, kemi udhëhequr dhe ndihmuar edhe për organizimin   për hapjen e shkollave shqipe ,tryeza të rrumbullakëta mbi përmasat e krimeve të gjenocidit nga ish regjimi komunist serbo -jugosllav mbi popullsinë shqiptare.   

Si rezultat i të gjithave që u përmendën më lart, falënderojmë përzemërsisht të gjithë mërgatën shqiptare kudo që janë, ju uroj punë të vazhdueshme dhe shëndet të mirë.

 Është koha që  politika e Kosovës, veçmas presidenti, ta rikthejnë respektin për diasporën, madje t’i kërkojë falje asaj!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat