Populli para sprovës - Bota Sot
Populli para sprovës

Opinione

Populli para sprovës

Skender Musliu Nga Skender Musliu Më 10 qershor 2020 Në ora: 19:30
Hashim Thaçi

Që nga viti 2016 e këndej, presidenti i Kosovës, z.Thaqi në mënyrë publike deklaronte se e vetmja zgjidhje  për arritjen e një Marrëveshje të obligueshme për të dyja palët, Kosovë – Serbi, është marrja e një vendimi të dhimbshëm, që do të nënkuptonte ndarjen e Kosovës me shkëmbim të territoreve. Këtë projekt ai, që atëherë, ia kishte prezentuar edhe shumë personaliteteve të politikës dhe diplomacisë ndëkombëtare duke i bindur se kjo do t’a zgjidhte problemin shqiptaro-serb.

Në funksion të realizimit të këtij projekti, ministrja e drejtësisë nga rradhët e PDK-ë, në vitin 2018 ka arritur një kontratë,të paguar me paratë e taksapaguesve në shumë prej 168 mijë euro, e në kundërshtim me procedurat e Ligjit mbi prokurimet publike, për lobimin e projektit të z.Thaqi për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Për realizimin e projektit të tij, z. Thaqi i kishte propozuar edhe profesorit amerikan, që një kohë ka qenë edhe këshilltar i tij, Zotit David Philips që të lobojë për z.Thaqi përmes shkrimeve dhe punimeve të ndryshme për ndarjen e Kosovës, i cili kishte refuzuar kategorisht.

Në kërtë kontekst, edhe pas tre muajve z.Thaqi ende nuk i ka kthyer në Kosovë ambasadorët politik të cilëve u ka kaluar mandati, dhe në kundërshtim me ligjin ata vazhdojnë t’a mbajnë këtë post. Prsidenti arsyetohet se zyra ligjore është duke e zvarritur këtë proçes që nuk është e vërtetë, sepse këta ambasadorë ende i duhen z.Thaqi për lobimin e projektit të tij, për ndarjen territoriale.

Mirëpo me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti, ky projekt hasi në rrezistencë.

Por, për t’a vazhduar skenarin e tij, z. Thaqi, keqpërdori gjendjen e pandemisë duke tentuar të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, me qëllim që t’i suspendojë institucinet legale dhe legjitime, përfshirë edhe Qeverinë e sapo formuar, dhe t’i marrë ato nën kontrollën e tij. Mirëpo Zoti Kurti me këmbëngulje nuk lejoi një gjë të tillë, prandaj z. Thaqi me humbësit e zgjedhjeve vendosi të formojë një Qeveri të re, jo legjitime, në kundërshtim me vullnetin e sovranit, e cila do t’ia hapte rrugën zbatimit të projektit të tij.

Pasi që z. Thaqi e trafikoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Dekretin e tij për nominimin e kandidatit të Avdullah Hotit për kryeministër, ai me shpejtësi formoi Qeverinë Hoti, madje duke ia siguruar personalisht votën e 61-të, që është në kundërshtim me Kushtetutën. Ai formoi një Qeveri që vendimmarrja plotësisht mvaret nga Lista Srpska, e cila është një filialë e Beogradit, madje zëvendës ministri i Qeverisë Hoti, Goran Rakiq ka larguar nga salla e takimeve flamurin e Kosvës, që tregon se kjo është Qeveri e turpit dhe marionetë e z. Thaqi, Qeveri që do t’a realizojë skenarin e tij.

Tani më po dalin në shesh shkaqet e rrëzimit të Qeverisë Kurti, edhe pse është ditur që nga fillimi, Qeveria Hoti do t’a fuqizoj edhe më tepër rolin e z.Thaqi, jo për dialogun, por për arritjen e një Marrëveshje  me Serbinë, e cila sipas të gjitha gjasave është e gatshme për nënshkrim. Zatën z.Hoti në ditën e dytë të mandatit të tij, mori vendimin që t’ia delegojë të drejtën z. Thaqi për t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, edhe pse ky vendim është në kundërshtim me një Vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ku në mënrë decide thuhet se dialogun nuk e udhëheqë presidenti por Qevertia.

Por, tani kur është riaktualizuar rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, z. Thaqi ka ndryshuar kursin e diskursit të tij, nuk po pranon se ai ka qenë ndonjëherë për ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin territorial me Serbinë.

Për t’a mshefur ate që ka thënë më parë, edhe pse është publike, z. Thaqi ka marrë rolin e zëdhënësit të presidencës duke organizuar konferenca, pothuajse të përditshme për shtyp,duke mohuar se ai ka qenë ndonjëherë për ndarje të Kosovës. Të njejtën propagandë po e bënë edhe nëpër televizione të ndryshme, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke luajtur protagonistin kryesor të aktualitetit.

Z. Thaqi thot se Kosova është gati të arrijë një Marrëveshje me Serbinë deri në fund të vitit, duke aluduar se kjo do të ndodh me z. Grenel gjat mandatit të presidentit Trump.

Në këto konferenca për shtyp dhe televizione, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar z. Thaqi t’ia përmendë Serbisë kushtet paraprake të Republikës së Kosovës, e që kanë të bëjnë me kërkimfalje, gjenocidin, masakrat, përdhunimet, të pagjeturit,shkatrrimin e ekonomisë, plaçkitjen e bankave,artifakteve, fondin e pensioneve, dëmet e luftës….  Nuk mund të ketë dialog dhe nuk  mund të arrihet një Marrëveshje po u plotësuar këto kushte, a thua pse z.Thaqi nuk i përmend dhe nuk i kërkon këto, a thua se Serbia  kështu po ia imponon atij!?

Me paraqitjet e tij publike duke shtrembëruar dhe mshefur realitetin z. Thaqi, manipulon me opinion publik dhe nënçmon rëndë intelegjencën e popullit. Nuk mund t’i mohohon deklaratat e tij publike kur fliste për korigjim të kufijve, për shkëmbim territoresh, për demarkacion me Serbinë dhe për vendime të dhimbshme.

Z. Thaqi e din shumë mirë se ekziston plani për ndartjen e Kosovës, sepse ky plan është si rezultat i lobimit të tij, Vuçiqit por edhe të Edi Ramës me disa satelitë përafër tyre.

Fatkeqësisht, jo vetëm që do të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës, por edhe më keq, ajo do të ndahet në Distrinkte, kurse kishave dhe manastireve do t’ju njihet eksteritorialiteti,Trepça dhe Ujëmani do të qeverisen nga ndërkombëtarët,  pra do të jetë një zgjidhje shumë më e keqe se në Bosnje e Hercegovinë.

Këto sjelle dhe veprime të papërgjegjshme të kreut të një shteti janë në kundërshtim me aspiratat shekullore të shqiptarëve, janë në kundështim me njohjen e Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur nga shtetet më të fuqishme të botës perëndimore, janë në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila pranoi se shpallja e pavarsisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Me këtë zgjidhje Republika e Kosovës bëhet shtet me subjektivitet dhe kompetenca të kufizuara, shtet jofunksional, me vendimmarrje të komplikuar që do t’i përngjajë një protektorati ndërkombëtar. Është e neveritshme t’a mendojsh një Kosovë të tillë, duke harruar dëshmorët, invalidët e luftës, luftarët e lirisë dhe katrahurat që kaloi populli i Kosovës. Është shumë vështirë të besosh se dikush po punon për një Kosovë të shkapërderdhur, për të cilën u flijuan më të dashurit tonë për një të ardhme më të mirë.

Presidenti i shtetit duhet të jet person unifikues që respekton Kushtetutën dhe qytetarët e vendit, ai duhet t’a ruaj Rendin Kushtetues, sovranitetin, integritetin dhe tërësinë territoriale të vendit, por fatkeqësisht ai me paraqitjet e tij provokuese publike nëpër televizione dhe konferenca për shtyp ai bënë të kundërtën, nënçmon,  denigron  dhe shantazhon kundërshtarët politik dhe familiarët e tyre duke krijuar tensione në skenën politike.

Kjo tregon edhe njëherë e më tepër, se politikanët tanë me sjelljet dhe veprimet e tyre të papërgjegjshme, janë në gjendje të bëjnë ç’mos për t’i ikur drejtësisë dhe ruajtur pozitat që asnjëherë nuk i merituan, prandaj sovrani është ai që duhet t’a zgjedh fatin e vet përmes referendumit, e jo politikanët e inkriminuar të vendosin për fatin e sovranit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat