Dita e çlirimit të Kosovës dhe Nënat tona të bekuara shqiptare!

Opinione

Dita e çlirimit të Kosovës dhe Nënat tona të bekuara shqiptare!

Haki Latifi Nga Haki Latifi Më 12 qershor 2020 Në ora: 19:17
Foto ilustrim: Heroinat

Nënat tona punëtore të ndershme dhe me përgjegjësi, janë bërthama e parë për dashurinë e pastër për atdheun. Po të mos ishin këto nëna shqiptare, ne nuk do të njihnim dashurinë e vërtet ndaj kombit shqiptar dhe ndaj Atdheut. Këto nëna n’a mësuan se çfarë është t’a duash me gjithë zemër Atdheun.

Andaj, meritojnë të falenderohemi në këtë ditë feste të gjitha Heroinave Nëna Kosovare, Gra edhe Vajza. Të cilat me angazhimin, vuajtjet, sakrificën edhe heroizmin e tyre ende nuk prezentohen mjaftueshëm dhe meritore në mbamendjen tonë, imazhin e vërtetë të asaj se kush jemi Ne, edhe si arritëm deri këtu.

Ato janë Trimëreshat shqiptare, gratë më të mira për kombin tonë të lashtë! Sepse, ndoqën shembullin më të mirë të trimërive të femrave shqiptare siq ishte pikërisht mbretëresha pellazgo-Ilire-Dardane, Teuta e Ilirisë. Plagët e lirisë dhe dhimbjen e tyre nuk e kanë ndarë me kombin tonë vetëm trimat dhe burrat e vërtet të pushkës. Pra, janë; gratë, motrat tona iliro-shqiptare që ishin dhe janë në altarin për lirinë dhe përparimin e mëmëdheut.

Edhe gjatë rezistencës së fundit të luftës së Kosovës, ato u dëshmuan kundër pushtuesve serbo-sllav.
Porosia e nënave tona heroina ishte edhe atëherë kur u dha Kushtrimi i pajtimit, që ti bindin bijtë e tyre ashtu siq duhet të ishte përherë, që si nëna ishin thirrur të japim jetë dhe jo të inkurajojnë fëmijët tyre të marrin jetën e dikujt tjetër. Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çetën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin, falshin për hatrin e atdheut.

Ato, vazhduan rrezistencën e tyre, ku nga të ardhurat e tyre vetanake ndanë dhe ndihmuan xehtarët (Minatorët) e Trepçës, përmes Sindikatave të Pavarura të themeluara nëpër ndërmarrjet e ndryshme në Kosovë në vitet 1990 dhe të Aksionit aso kohe „Familja Ndihmon Familjen“ më vonë e shëndrruar në Shoqatë Bamirëse me të njejtin emër.

Këto Nëna shqiptare përkrahën dhe zhvilluan veprimtarinë e saj bamirëse në aksionin; „Familja Ndihmon Familjen“ në kohë të rënda e të vështira që rrezikohej edhe jeta, për këtë kemi shumë dëshmi e të dhëna, njëherit ndihmuan familjet skamnore përmes këtij aksioni që më vonë u shëndrruar në Shoqatë. Ato, shpërndanë qindra mia marka gjermane e franga zvicërane të dërguara nga familjaret nga kurbeti për familjet e skamorëve. Ishin veprimtare me guxim e maturi e çështjes kombëtare dhe kanë luajtur rol me rëndësi në organizimin e qëndresës afatgjate ndaj dhunës që ushtronte pushtuesi Serb në Kosovë. Ishin shumë të përkushtuar në drejtimin e bamirësisë dhe të organizimit të veçantë institucional e profesional për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Rritën me kujdes fëmijët e tyre me edukatë, në kushte dhe rrethana të veçanta historike por me shumë sukses dhe dashuri, që sot i shërbejn vetes dhe vendit të tyre në formën profesionale. Ato ndanë nga kursimet e nga të ardhurat e tyre poashtu mjete për t‘ i ndihmuar xehtarët e Trepçës që u larguan dhunshëm nga puna nga sistemi policor e ushtarak i Millosheviqit aso kohe kur edhe pezulloi Kushtetuten e Kosovës, kur ata mbeten pa të ardhura e në varfëri.

Këto femra shqiptare kishin fuqi që me lotët e tyre të dhimbjes, të shëronin plagët e atyre djemve që morën vendimin për t’i dhënë jetën e tyre për Atdheun. Sepse, këta ushtarë, janë ushqyer me bukën, dashurinë dhe ngrohtësinë e nënave tona. Kur Ato, rritën fëmijët e tyre, ku bijtë e bijat e tyre ishin ushtar të UÇK-së në të cilën luftuan në mbrojtje dhe çlirimin e vendit nga pushtuesi serb.
Janë ato heroina që pritën burrat e arratisur, e shumë nga ato vdiqën… në pritje. Janë ato heroina që pritën djemtë e arratisur e lotët s’iu ndalën, por u bënë një me fytyrën. Janë ato heroina që buzëqeshjen nuk e njohën, s’dinin të lumturoheshin kur ishte koha, s’njohën gëzime, as dinin t’i përjetonin, nga frika se po i humbnin. Janë ato heroina-nëna që qëndruan e nuk u tunduan, frikë s’patën, nuk u shitën as falën, e fatin e hidhur përqafuan. Janë po këta nëna që qumështin e gjirit e ndanë me të tjera kur krahu i tyre mbeti boshë bashkë me zemrën, por jo vetëm atëherë solidariteti ishte i dukshëm.

Po shkruaj për ato nëna që veshjet në të zeza iu bënë si lëkur e trupit, e jetën me dhëmbë shtrënguan.

Po shkruaj për nëna që s’njohën gëzime, lumturi, as patën kujt t’ia jepnin as merrnin.

Për ato nëna që falenderime s’pritën, lodhje s’njohën, kurrë s’ankuan, as u ndjenë, as dekorata s’deshën. Për nënat e djeshme dhe të sotshme, për ato që më s’jetojnë, që vdiqën me pengje zemre e ndoshta të vetme, kush nuk pati t’i hidhte një grusht dhè a dy pika lotë.

Për nënat që gjetën forca të jetonin kur s’kishin përse, e dhimbja nuk i vuri përfundi.

Nënat heroina edhe në ditën e çlirimit thërrasin bijtë e bijat e pa gjetura, që të festojnë bashkë lirinë e vendit, të Kosovës, që aq shumë e deshtën dhe për të cilën edhe u sakrifikuan! Sepse, sot të gjithë festojnë dhe kanë arsye të festojnë, por Heroinat presin bashkë me shumë nëna tjera, zbardhjen e fatit të bijëve të tyre dhe të shumë shqiptarëve të vrarë!

Ato ndjenë këtë gëzim, pa marrë parasysh se ku gjenden bijtë e bijat e pa gjetura deri sot, por mos të harrojmë se në zemrën e nënave qëndron si kështjellë e pamposhtur përherë kujtimi i tyre për ta. Nënat presin lajme për bijtë e tyre, vazhdojnë të presin tek pragu i derës çdo ditë e natë, me shpresën se do të kthehen, por ende nuk shihen askund!

Sytë e tyre janë shndërruar në liqe lotësh nga malli i pashuar dhe pritja e tyre është e pa fund!

E ndjeva për borxh ta paraqesë shkurtimisht pa hy në thellësi e hollësi pakëz histori të Nënave tona që si përmend kush, sepse tani kanë dalur në sipërfaqe të tjerë dhe kanë marrur lodrën (TUPANIN) e Currlën e po i bien sa po munden tue lavdrue veten e tyre se gjëja e kanë çliruar Kosovën, dhe tash ata kanë marrë pozita e pushtet ku shumica prej tyre janë pasuruar tue vjedhur-vjelur e mjelur Kosovën hallemadhe, jo vetëm mbi tokë çfarë ka por edhe nënë tokë sa kanë mundur e kah kanë mundur, e nuk po ngihen kurrë e as që kanë me u ngi ndonjëherë… ndërsa punëtorët i kanë lënë pa punë, veprimtarët si njohin fare dhe ua kanë dhënë shkopin e lypsit në dorë dhe ku sytë këmbët, për të ikur nga Kosova, për të cilen punuan dhe ëndërruan, dhe kështu në vazhdimsi e kanë zbrazur e po e zbrazin Kosovën…!

Andaj, të kemi Nderime të përjetshme për ato femra , të cilat gjithmonë kanë vepruar si mbretëresha jonë ilire, si Teuta jonë. Për gjithçka në botë, egziston edhe rimishërimi i tyre. Po ! Shqiptarët e vërteta janë rimishërimi i mbretëreshës dhe lartmadhërisë së saj Teutës. Të vetëdijshëm se, edhe tradhëtia ka egzistuar për këtë femër të fortë. Edhe përkundër tradhëtive që ju bënë, ato ishin të qeta dhe shumë të forta. Sepse, ka pasur plot qelbësira që ishin, janë dhe do të jenë mishërimi i sojit tonë të keq, që e kanë keqpërdorur besimin dhe kanë tradhëtuar nënat tona.

Nënat tona ishin vërtet heroina ndër vite, se na rritën në varfëri. Por përtej kësaj, ato e patën shoqërinë në krah për edukimin e brumosjen tonë me vlera. E megjithatë, ato edhe sot nuk dorëzohen, por përpiqen që t’i udhëzojnë të shtrenjtët e tyre në atë rrugë që është më e mira për ta. Dhe për mua, ky, pikërisht ky, është heroizmi i vërtetë!

Pra, këto janë Femrat heroina, janë Nëna shqiptare, janë më të mirat, janë krenaria jonë.

12 qershor 2020
Haki Latifi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat