Shqiptarët - serbëve "merrne ose lëreni", apo anasjelltas?!

Opinione

Shqiptarët - serbëve "merrne ose lëreni", apo anasjelltas?!

Driton Hyseni Nga Driton Hyseni Më 16 qershor 2020 Në ora: 17:31
Bujanoc

Bujanoc, 16 qershor - Kanë mbetur edhe pak ditë deri te zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 21 qershorit në Serbi. Megjithëse zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm shoqëror, ato për shkak të pozitës së ndjeshme në Bujanoc, duke pasur parasysh përplasjet politike mbi baza etnike të dominimit në qeverisjen lokale, kanë efekt më të madh.

Për dallim nga mandatet e kaluar, këto zgjedhje, për shqiptarët dhe serbët lokalë, reflektojnë një angazhim dhe përkushtim të madh, për të fituar sa më shumë pushtet në qeverisjen lokale.

Shembull konkret kemi zgjedhjet lokale të 2016-së, kur shqiptarët në Komunën e Bujanocit kishin arritur t’i merrnin 26 këshilltarë nga 30 që i kishin pasur në mandatin 2012-2016, karshi 15 këshilltarëve jo shqiptarë.

Zgjedhjet e 2016-së

Gjatë vitit 2016 shqiptarët patën dalur me pesë lista. Lista e parë e cila doli fituese ishte koalicioni parazgjedhor midis Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH) me 12 këshilltarë, e dyta u radhit Partia Demokratike (PD) me dhjetë, pastaj Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) me katër. Ndërsa, Grupi qytetarë “Sali Salihu” dhe Partia Republikane, të cilat nuk kishin anëtarësi të plotë nuk mundën ta kalonin pragun zgjedhor. Sa i përket serbëve lokalë, ata përfaqësoheshin me katër lista. Lista e Partisë Përparimtare Serbe (PPS), e cila arriti t’i fitojë shtatë këshilltarë, Grupi qytetarë “Stojança Arsiq” i cili mori pesë dhe Lista Serbe mori dy. Ndërsa, e Djathta Serbe (DS) nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor. Sa i përket romëve ata përfaqësoheshin me vetëm një listë “Romët e Bashkuar”, të cilët arritën ta fitonin një këshilltar. Nga 42,288 votues sa kishin të drejtë vote, vetëm 21,291 e shfrytëzuan, nga ta rreth 12,500 ishin shqiptarë.

Nga këto zgjedhje mandatari për të formuar pushtetin iu dha koalicionit PVD-UDSH, të cilët pastaj krijuan koalicion me LPD, Grupin e Qytetarëve “Stojança Arsiq”, romët dhe e krijuan 21-shin aq sa duhet për ta formuar pushtetin lokal.

Zgjedhjet e 21 qershorit

Pas përhapjes së pandemisë CoVid-19, në muajin mars, në Serbi u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e cila automatikisht shtyu zgjedhjet lokale e parlamentare të planifikuara për 26 prill. Në mesin e muajit maj, qeveria serbe vendosi t’i lehtësojë masat dhe ta heq gjendjen e jashtëzakonshme, e që nënkuptonte edhe përcaktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta. Nga presidenca u vendos data 21 qershor për të organizuar këto zgjedhje.

Shqiptarët në jugun e Serbisë apo Luginën e Preshevës do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale vetëm në Bujanoc, meqë në Preshevë dhe Medvegjë janë organizuar më parë zgjedhje të jashtëzakonshme, kurse për zgjedhjet parlamentare do të dalin në të tri komunat. Në Bujanoc, tashmë nga Komisioni zgjedhor janë certifikuar nëntë lista, pesë shqiptare, dy serbe dhe dy romë: PD, PPS, Partia Rome Bashkimi (PRB), Partia e Bashkuar Rome (PBR), PSS, PVD, Alternativa për Ndryshim (ApN), LPD dhe UDSH.

Sipas Komisionit Zgjedhor në Bujanoc, në këto palë zgjedhje kanë të drejt vote 42,325 persona, që nuk ka dallim të madh nga viti 2016. I vetmi dallim qëndron në bashkimin e forcave partiake serbe dhe përçarjet tek ato shqiptare. Duke i pasur parasysh problemet e mëdha dhe së fundmi shlyerjen dhe pasivizimin e adresave të banorëve shqiptarë, pikërisht të atyre që jetojnë për një kohë të gjatë në Kosovë dhe të atyre në diasporë, kjo të jep përshtypjen se numri votuesve shqiptarë është zvogëluar, ndërsa i atyre serbë ka mbetur konstant.

Një proces të tillë zgjedhor po e pengon jashtëzakonisht shumë edhe pandemia, e cila ka krijuar rrethana që mërgimtarët të jenë të paktë në numër që të vijnë për të votuar, njëkohësisht edhe banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët jetojnë në Kosovë e që vazhdojnë të kenë dokumente identifikuese të Serbisë duhet të kalojnë përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë, e do të duhen t'i nënshtrohen procedurave për kontrolle shëndetësore. Njëkohësisht Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se nevojiten maska dhe doreza për secilin votues, gjë që nënkupton që një familje me pesë anëtarë, të cilët kanë drejt vote, do të shpenzojnë afër 1000 dinarëve apo rreth 9 euro për të dalë në votime.

Së fundmi, është rritur edhe interesimi i shtetit të Serbisë për Luginën e Preshevës, e sidomos kjo është vërejtur nga zgjedhjet lokale në Komunën e Medvegjës, të cilat janë organizuar më 8 shtator të 2019-së, kur shqiptarët të cilët kishin drejt vote ishin dyfish më pak se në zgjedhjet e kaluara dhe garonin në dy lista, që rezultuan edhe si zgjedhje të dështuara meqë shqiptarët nga tetë këshilltarë që kishin, mbetën vetëm tre dhe mbeten në opozitë.

Një skenar i tillë ka filluar edhe në Bujanoc.

Pak ditë më parë presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, përmes një deklarate dhënë për një portal serb, ka thënë se në Bujanoc janë rreth 42 për qind serbë.

Nga 12,500 shqiptarë që patën shfrytëzuar të drejtën e votës në 2016 në Bujanoc, është e mundshme të zbritet ky numër edhe për shkak të largimit e migrimit të shumë familjeve shqiptare nga ky qytet.

Disa parti shqiptare paralajmërojnë se në pushtetin e ardhshëm do t'i arrijnë 21-shin e këshilltarëve shqiptarë, duke mos u arsyetuar në mënyrën e duhur se a do të ketë këshilltarë shqiptarë në opozitë?! Në këtë rast nëse ata mendojnë se do të marrin mbi 21 këshilltarë shqiptarë, atëherë i bie se të tjerët do të mbesin në opozitë, ose një parti shqiptare do të mbetet në opozitë. Në rastin tjetër, kandidati për kryetar komune nga radhët e PPS-së, Nenad Mitroviq, në një emision televiziv ka deklaruar se janë të angazhuar që të marrin më shumë këshilltarë, duke e forcuar kriterin për të kërkuar më shumë pushtet.

"Lista jonë do të jetë dominuese, dhe mundësia është që t'i kemi dhjetë këshilltarë. Kur i kemi aq, nuk kanë mundësi të vijnë të tjerët e të thonë merre ose lëre, siç ka ndodhur vite me radhë", ka thënë Mitroviq.

Niveli parlamentar zgjedhor

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, partitë e njëjta në përjashtim të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe UDSH-së, janë nënshkruese të një koalicioni të gjerë me iniciativë të Republikës së Shqipërisë, gjegjësisht Ushtruesit të Detyrës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakajt. Koalicioni “Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar” është certifikuar nga Komisioni zgjedhor dhe do të mbajë numrin 16.

Këto zgjedhje të 2020 i kanë gjetur shqiptarët të bashkuar për nivelin qendror, mirëpo të ndarë e të përçarë në nivelin lokal, e gjegjësisht në Bujanoc.

Uniteti i kontestuar

Prania e Cakajt në Luginë pak ditë më parë, për t'i bërë thirrje shqiptarëve që të dalin sa më masovikisht në zgjedhjet parlamentare, nuk i uli tensionet në mes partive të njëjta, të cilat garojnë për pushtetin lokal.

Moskoordinimi parazgjedhor zbehë mundësinë që këto lista shqiptare të bëhen bashkë pas procesit zgjedhor pa ndonjë interesim më të shtuar të Kosovës dhe Shqipërisë. Ekziston edhe rreziku i uljes së forcës institucionale në komunën shumetnike në Bujanoc, duke e rrezikuar këtë komunë të kthehet në Medvegjë të dytë.

Dominon frika tek shqiptarët se më 21 qershor, kështu të shpërndarë në pesë lista, a do të mund t'i marrin minimum, apo maksimum 21 këshilltarë për Kuvendin Komunal të Bujanocit?!

Me këto defekte të politikës shqiptare në Bujanoc, në bisedimet e ardhshme Kosovë - Serbi, mund të ulet pazari në favor të Beogradit, për të treguar se shqiptarët në Luginë, përbëjnë një komunë: Preshevën me dy gjysma të saj: Bujanocin dhe Medvegjën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat