Një takim që ndjell më shumë keq se sa mirë për Kosovën

Opinione

Një takim që ndjell më shumë keq se sa mirë për Kosovën

Nga: Xhevat Mustafa Më: 18 qershor 2020 Në ora: 08:54
Xhevat Mustafa

Më 15 qershor 2020, pak minuta, pasi u lajmërua në Twitter  nga vetë Richard Grenell, i ngarkuari i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dialogun Serbi-Kosovë se kishte arritur të bindte palën serbe dhe shqiptare për një takim mes tyre në Uashnington më 27 qershor 2020, me një axhendë aq të ngushtë apo tejet të varfër çeshtjesh për të bisedur”, shpërtheu edhe një debat në media e portale, “pro” dhe “kundër”. Apo, mes optimistëve dhe skeptikëve. Këtë debat e provokoi apo e favorizoi edhe deklarata e shkurtër e  Grenell. Sipas tij “Serbia është pajtuar që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe se Kosova është pajtuar për të pezulluar përpjekjet për t'u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë…”. Pa qenë kategorikisht kundër bisedimeve serioze, të sinqerta e të frytshme, është e logjikshme, e pritshme dhe e justifikueshme të shtrohen disa pyetje, ndër të cilat, e para është: Përse po nxiton kaq shumë  e vetëm për kaq pak “përfitim” për këtë takim Grenell? Ndërsa pyetja e dytë mund të ishte” përse Grenell po ecën me revan të lërë pas Lajçakun dhe  SHBA po vrapon të kalojë BE-në, sidomos Gjermaninë, deklaruar me kohë dhe vendosmërisht, kundër çdo marrëveshje që pjell apo sjell ndryshimin e kufijve ekzistues mes Serbisë dhe Kosovës?

Përgjigja më e parë mund të ishte: vetëm për t’u rregjistruar dhe reklamuar si "sukses personal politik" i Grenellit, pas një serie dështimesh të tij politike në Uashington dhe sidomos në Berlin, ku, nga analistë politikë dhe personalitete politike vendase, është cilësuar si” ambasadori më i paaftë i SHBA në listën e gjatë të ambasadorëve amerikanë në këtë vend”. Më 30 maj 2020, në një intervistë të publikuar në Radion Evropa e Lirë dhe në Syri.net, Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, shprehet se “SHBA-ja do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin e përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova...”. Po sipas tij, “ administrata Trump dhe presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë protagonistët kryesorë që mbështesin shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte një fitore në politikën e jashtme për presidentin amerikan, Donald Trump…Do të ishte justifikim personal edhe për Richard Grenellin…Kjo është ajo që vërtet qëndron pas ndjenjës së urgjencës.” Nënkuptohet, se përse z. Vogel dhe shumë nga ne analistët shqiptarë, gjermanë, francezë, britanikë,, amerikanë…e kemi “të vështirë” të justifikojmë dhe mbështesim pa dyshime e rezerva nxitimin e Grenellit dhe të Shefit të tij.

 Personalisht, po më 15 qershor, përcolla nëpërmjet facebook këtë mesazh: “Përse me kaq nxitim nga Grenell dhe jo pas dt. 3 nëntor 2020, kur të përfundojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe për më shumë çështje konkrete dhe të rëndësishme në tavolinën e bisedimeve? Kur bisedimet kanë zgjatur dhe janë shtyrë shumë vite, përse të mos shtyhen edhe 5 muaj?” Këmbëngulja dhe nxitimi i mëhershëm i Grenellit që Kosova të heqë dorë nga taksa 100% për mallërat serbe si dhe nga reciprociteti dhe tani për takimin e 27 qershorit, lejon hapësirë dhe mundësi apo jep arësye të bollshme të “pëkthehet në shqip” edhe si pranim me dëshirë i inferioritetit dhe vasalitetit nga Hashim Thaçi dhe nga qeveria e tij dhe e Isa Mustafës, me kryeministër Abdullah Hotin! Si mund të mendohet e jo më të besohet se në tryezën e bisedimeve të dy palët, pa qenë të barabarta, do të arrijnë apo nënshkruajnë një marrëveshje me rezultat të barabartë apo, paradoksalisht, me humbjen e palës ”superiore”?

Po sipas meje, nxitimi i SHBA-ve, nëpërmjet Grenellit, për t’i ndaluar më herët, në mes mars,  në formë presioni të hapur dhe për t'i rikthyer ndihmat amerikane, porsa Kurti hoqi “taksën Haradinaj” për mallërat serbe dhe pasi Hoti hoqi reciprocitetin, shpreh se Grenell dhe të tjerë në Uashington, Beograd, Moskë, Pekin…dëshironin ta shtynin Kosovën drejt pabarazisë, inferioritetit dhe vasalitetit ndaj Serbisë! Në këtë kushte, kur Grenell ‘ka harruar” t’i bëje presione dhe vendosë kushte edhe Serbisë, nga shumëkush njeri objektiv, shqiptar apo ndërkombëtar, mund të shtrohen logjikshëm, e pakta,  dy pyetje: More, ky Grenell është më shumë "mik dhe aleat" i Kosovës, të çliruar nga SHBA-ja, në kohën e presidentit Bill Klinton dhe të pavarësuar po nga SHBA-ja në kohën e presidentit Xhorxh W. Bush apo i Serbisë së mundur prej tyre? Si diplomat amerikan, qoftë edhe “mediokër” apo “dështak”, si nuk e kupton se me këto qëndrime dhe veprime të njëanshme, pa apo me dashje,  po  "çon ujë në mullirin e Serbisë dhe të Vuçiçit si dhe të Rusisë dhe të Putinit!?”

Në përforcim të kësaj piste mund të merret edhe një deklaratë e James Pardew- ish-ambasador i SHBA-ve në Bullgari, ish-ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Në artikullin e botuar në “The Hill”, në fillim prill 2020 ai shkruan: “Shumë pikëpyetje e rrethojnë misionin e Grenellit në Kosovë…Pse po mban Grenelli një qëndrim pro-serb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend pro-amerikan në një kohë kaq të ndjeshme? Diçka mban erë këtu. Si një luftëtar entuziast i dhënë pas Trampit, Grenelli mund të jetë thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet.Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese, veçanërisht pas dyshimeve të thella, që më mbeten për marrëdhënien mes Trumpit dhe Vladimit Putinit…”.

Ne shqiptarët kemi të drejtë t’i gjykojmë Trumpin si president dhe si politikan, si dhe Boltonin, Pompeyn, Palmerin, Kushnerin, Grenellin, Kosnettin…si bashkëpunëtorë të tij, për aq sa kanë  bërë, po bëjnë dhe do të bëjnë me vepra e jo me fjale,  në dobi të Kosovës, Shqipërisë dhe Botës Shqiptare. Ne nuk do të harrojmë kurrë dhe do t’i jemi mirënjohës përjetë SHBA-ve, për ato që kanë  në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Nëse Bill Klinton e çliroi, Xhorxh W. Bush e pavarësoi, nuk mund të mos shqetësohemi nga fakti se në në keta 3.5 vjet të presidencës Trump, nga qendrimet dhe presionet e Bolton, Palmer, Grenell, Kushner, Kosnett...Kosova është në pikëpyetje të madhe si shtet i pavarur, me integritet dhe sovranitet të pacënueshëm, me rrezik potencial dhe real të humbë veriun, sidomos Trepçën...Në të kundërt, Serbia në këto 3.5 vjet nuk e ka ndjerë më veten si të mundur nga Klinton e Bush, por pritet me nderime të mëdha në Shtëpinë e Bardhë dhe në DASH...! Është shumë shprehëse se më 15 qershor 2020, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaroi se “njohja e Kosovës nuk do të jetë temë në Uashington, në takimin e 27 qershorit dhe as nuk do ta lejojnë të jetë…” Njëherazi, ai njoftoi se kishte pasur një bisedë me Vladimir Putinin më 14 qershor…”. Lidhur me këtë, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, u shpreh edhe më hapur, më 16 qershor, kur deklaroi se “Rusia do të mbështesë çdo zgjidhje për Kosovën, që është në interes të Serbisë!”. Në të kundër me Vuçiç dhe Daçiç, presidenti i Kosovës, deklaroi më 16 qershor se “Uashingtoni e ka thënë qartë se ky proces, dhe kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë presidenti Trump që ky proçes është për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë”, Është dukshëm shqetësuese dhe paralajmëruese për keq edhe mbetja e BE-së, sidomos e Gjermanisë,  në rolin e spektatorit. Po sipas Thaçit, “SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian do të kenë një qasje koordinuese, sepse, synimi i të gjitha palëve është që të ketë paqe në rajon…”.

Prandaj, jam shprehur qysh në fillim në anën e atyre ishdiplomatëve, publiçistëve dhe politikaneve, që mendojnë se qeveria e Kosovës nuk duhet ta nënshkruaj me kaq nxitim dhe pa kushte dhe detyrime reciproke, sidomos pa kushtin e panegociushëm për mos ndryshim të kufinjve, marrëveshjen me Serbinë para përcaktimit në fillim nëntor se cili do të jetë presidenti në SHBA, Trump apo Biden. Ekipi Trump, për të fituar aksione politike, që i ka të pakta në fushën e politikës dhe i jane pakësuar ndjeshëm në këta 3 muaj, nga koronavirusi dhe nga protestat masive e të dhunshme, nisur më 27 maj në Minessota, ka interes që marrëveshja Kosovë-Serbi të nënshkruhet, qoftë edhe 1 muaj para zgjedhjeve. Kështu fitohet mundësia ta rregjistrojë si fitore politike personale të Trump, tejet i aftë dhe i suksesshëm si biznesmen, por shumë larg këtij niveli si politikan. Duke qenë i tillë, larg qoftë, mos arriftë deri aty sa të mos ndjenjë mëdyshje e keqardhje, për të bërë pazar me një copë të re Kosove, për të cënuar kështu integritetin e saj territorial si dhe investimin historik të dy paraardhësve të tij, Klinton dhe Bush.                                                                                                                                                   

Sipas meje, në takimin e 27 qershorit, dirigjenti në skenë do të jetë Grenell! Ndër spektatorët kryesorë apo më të rëndësishëm mund të jenë Pompey, Palmer, Kushner, Philip S. Kosnett (ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë), Antony Godfrey, (ambasador i SHBA-ve në Beograd)...Ndërsa nga kabinetet e tyre bisedimet do t’i ndjekin apo drejtojnë në ekrane celularësh apo kompjuterash Trump dhe Putin! E keqja jonë është se qëndrimi apo pozicioni i Putinit do të jenë, si përherë, qartësisht dhe 100% në dobi të Serbisë së tij, ndërsa qëndrimi i Trumpit dhe Grenellit nuk e kanë këtë nivel qartësie dhe thellësie në dobi të Kosovës, siç ishin qëndrimet e Bill Klintonit dhe të Xhorxh W. Bushit…! Kështu që, na mbetet të na mbrojë vetëm Zoti në qiell nga ndonjë gjëmë e re prej Serbisë, pikërisht në Uashington, nën hundën e presidentit Donald Trump, të vendit që ka qenë dhe do të mbetet miku dhe aletati më i madh i dy shteteve shqiptare dhe i të gjithë shqiptarëve si KOMB! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat