Lojra apo intriga politike

Opinione

Lojra apo intriga politike

Nga: Skender Musliu Më: 19 qershor 2020 Në ora: 17:11
Skender Musliu

Që nga paslufta skena politika kosovare ka qenë me përplot kundërthënie, prapaskena, cikluse zgjedhore me vjedhje indistriale të votave, koalicione me krimin e organizuar, korrupcion dhe keqpërdorime duke lënë pasoja të rënda në proçeset demokratike dhe ekonominë e vendit.

Në këtë kontekst janë zhvilluar edhe zgjedhjet e fundit të 6 Tetorit 2019 duke u formuar Qeveria Kurti në koalicion me LDK-në, sepse votat e qytetarëve qartë përcaktuan se cilat parti duhej të qeverisnin me vendin. Edhe pse kështu vendosi sovrani, problemet e këtij koalicioni u shfaqën që në fillim gjatë negociatave për postet ministrore dhe Programin qeverisës.

Se ky koalicion ishte i brishtë dhe fallco tregon fakti se në LDK-ë ishin dy rryma, njera pro koalicionit me LVV dhe tjetra kundër. Kundër koalicionit ishin të korruptuari, të inkriminuarit, të kapurit dhe keqpërdorësit e sistemit dhe të shantazhuarit, sepse Programi qeverisës parashikonte luftën kundër korrupcionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar, që atyre nuk u konvenonte, kurse për koalicionin ishin njerëzit e pastër, intelektual të pakorruptuar dhe pikërisht ata që donin t’a zbatonin Programin e qeverisjes.

Se vërtetë bëhet fjalë për skenare dhe prapaskena politike, vërteton fakti se LDK-ja në bashkëpunim me partitë tjera, përveç PDK-ës, vetëm pas 51 ditë qeverisje rrëzoi Qeverinë Kurti, sepse si është e mundur që aleati i bashkqeverisjes t’a rrëzojë Qeverinë, pjesë e së cilës ishte ajo vet, në mos të ishte strategji e planifikuar më parë.

Pjesë e këtyre intrigave dhe vjedhjeve të votave ishte edhe mënyra se si partia Nisma u bë pjesë e Kuvendit, sepse u deshtë të numrohen dhe rinumrohen votat, disa herë, deri sa Nisma e « kaloi « pragun bashkë me AKR-ën duke fituar disa deputet, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në lojrat e pamoralshme politike që pasuan, si pjesë e skenareve të parapërcaktuara.

Se deri ku mund të shkojnë manipulimet politike shihet edhe nga veprimet e PDK-ës, respektivisht kjo parti votoi rrëzimin e Qeverisë Kurti, kurse nuk votoi formimin e Qeverisë Hoti, çfar paradoksi !

Ideator i këtyre skenareve është Hashim Thaqi, i cili për t’a realizuar projektin e tij, ai përmes shantazheve dhe të bashk-inkriminuarve i keqpërdorë partitë tjera politike, kurse në këto lojra spekulative nuk e ka involvuar partinë e tij, PDK-ën.

Nëse pajtohemi se ideatori dhe aktori i të gjithë kësaj çka po ndodhë në skenën politike të Kosovës, është Hashim Thaqi, atëherë parashtrohet pyetja, pse PDK-ja « kritikon dhe kundërshton » Qeverinë Hoti dhe luan rolin e opozitës !? Nëse vërtetë PDK-ja është kundër Qeverisë Hoti, pse nuk paraqet Mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, sepse ata i kanë votat, çfar hipokrizie!?

Për momentin PDK-ja po e luan rolin e opozitës, kinse po e kundërshton dhe kritikon Qeverinë, sepse kjo është strategji e z.Thaqi i cili në këtë mënyrë duke viktimizuar partinë e tij kundrejt këtyre proçeseve, krijon më tepër hapsirë që t’a tërheq elektoratin. Këto veprime n’a spiegojnë faktin se bëhet fjalë për një strategji dhe skenar të veçantë të Hashim Thaqit dhe partisë së tij, për realizimin e projektit të tyre, por kjo tregon se edhe çfar loje perfide bëhet duke manipuluar votat dhe vullnetin e qytetarëve të ndershëm, për interesat e ndyta të politikanëve të inkriminuar.

Qeverinë Hoti e ka formuar z. Thaqi dhe ajo do të qëndrojë në pushtet deri sa Thaqi e realizon projektin e tij, pastaj e çon në shtëpi, sepse kjo është qeveri për një përdorim.

PDK-ja kushtimisht po qëndroj anash këtyre proçeseve sepse ajo, që nga rrëzimi i Qeverisë Kurti, ka filluar fushatë për zgjedhjet e parakohshme. Këte e vërteton prezenca e vazhdueshme e Kadri Veselit nëpër kompani të ndryshme si dhe vizitat e shpashta tek fermerët. Qëllimi i z.Thaqi është që në proçeset e vështira të skenës kosovare, t’i « djeg » partitë tjera duke ia mundësuar PDK-ës që në zgjedhjet e parakohshme të del fituese dhe të vazhdohet me qeverisjen e vjetër.

Ajo çka është aktuale ditëve të fundit është ftesa e z. Grenell dërguar Hashim Thaqit dhe Vuçiqit me kryeministrat e tyre për takimin e 27 Qershorit në Uashungton.

Agjenda dhe qëllimin i vërtetë i të këtij takimi duket misterioz, por nuk është ashtu.

Zoti Grenell në një intervistë deklaroi se takimi i Uashingtonit do të trajtojë vetëm çështjet ekonomike, kurse ato politike do t’i zhvillojë Bashkimi Europian. Është naive dhe iluzore të besosh se në Uashington ftohen presidentët dhe kryeministrat e dy shteteve, që është nivel i lartë i përfaqësimit, për të trajtuar çështje ekonomike !

Presidenti i Serbise Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbisë në Uashington do t’i bëhet presion i madh për njohjen e Kosovës, por neve kursesi nuk do t’a bëjmë këtë, sepse njohja nënkupton që edhe neve duhet të marrim diçka. Presidenti i Kosovës në një konferencë për shtyp deklaroi se takimi në Uashington do të jet një kthesë historike dhe rast i art për Kosovën, duke harruar se kjo kthesë historike ka ndodhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe shpalljen e pavarsisë së Kosovës, kurse kjo në Uashington do të jet tregëti dhe pazare me territorin e Kosovës.

Zoti Thaqi duhet t’a dijë se Republika e Kosovë është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, si dhe sovraniteti dhe integriteti territorial është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm, prandaj çdo veprim ndryshe bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përgjegjësia bie mbi te.

Në takimin e Uashingtonit, pa marrë parasysh deklaratave të Grenell, Thaqit dhe Vuçiqit, mendoj se këtyre do t’ju prezentohet një Projekt Marrëveshje politike, përfshirë edhe ndihmat ekonomike, që është rezultat i bisedave jo transparente dhe sekrete disa vjeçare të Thaqit me Vuçiqin. Për arritjen e kësaj Marrëveshje, në lojë mund të jet edhe Gjykata speciale dhe shpëtimi i Thaqit nga dosiet e supozuara, përkrahja e mbajtjes të Vuçiqit në pushtet e tj.

Si do që të jet, z. Thaqi dhe Vuçiq e dinë shumë mirë pse shkojnë në Uashington, por duhet theksuar se Kosova asnjëherë nuk ka patur dialog me Serbinë, por dialog ka patur Thaqi me Serbinë dhe Vuçiqin.

E gjithë kjo çka po ndodhë në Kosovë, fatkeqësisht është rezultat e intrigave, mashtrimeve dhe manipulimeve politike të vazhdueshme të politikanëve të korruptuar të lidhur me krimin e organizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat