“Ballkanasja” von Cramon!

Opinione

“Ballkanasja” von Cramon!

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 20 qershor 2020 Në ora: 15:11
Melihate Tërmkolli

Ka kohë që raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon, kryesisht nga koha e rrëzimit të qeverisë Kurti, po e përdorë Kosovën si mjet për të larë hesapet me z. Genell, z. Trump, pra të djathtën e SHBA dhe SHBA-të përgjithësisht. Personalizimi i politikës nga znj. von Cramon po e bën atë më ballkanase se vetë politikanët e Ballkanit. Natyrisht që politika nuk bëhet pa emra, madje emrat si personalitete kanë rol pothuaj vendimtarë në politikë, por personalizimi i politikës dhe zbritja e saj në politika ditore, të anshme ideologjikisht deri tani është konsideruar si veçori e politikanëve të Ballkanit, përfshirë edhe shqiptarët gjithsesi. Tani, këtij niveli e kësaj qasjeje i është shtuar edhe znj. von Cramon.

Zelli i saj në mbrojtjen e kufijve të Kosovës është për admirim, por është pak për t’u besuar se i bën shumë për kufijtë e Kosovës bazuar në reagimet e saj që kanë cak z. Grenell. Madje shihet se fare nuk i bën përshtypje që Evropa të cilën ajo e përfaqëson, e ka vënë Kosovën dhe popullin e saj në një geto, të vetmin popull në Evropë, popullin që ia vuri bazat civilizimit evropian. Ajo na thotë ta pyesim presidentin e Francës për këtë punë!. E habitshme në çfarë niveli komunikimi publik bie znj. von Cramon!. Tallet me deklaratat e z. Grenell! Punë e saj por sigurtë që ajo nuk e ka zemërimin dhe brengën për kufijtë e Kosovës. Problemin e ka me të djathtën kudo qoftë, sidomos nëse vie nga Amerika. Me këtë qasje prandaj znj. von Cramon po tregon papërgjegjshmëri të lartë në funksionin që ajo bartë si raportuese për Kosovën përderia kjo qasje e saj politike është thellësisht ideologjike, duke e vënë atë para interesave dhe përgjegjësive tjera që ka dhe duke e bartur këtë frymë edhe në Kosovë me referencat dhe preferencat e saj ideologjike për zyrtarët politikë të Kosovës. Sigurisht që është çështje e secilit përcaktimi politik e ideologjik, i djathtë apo i majtë, por është e ulët që znj. von Cramon mbi këto baza ta përdorë Kosovën si mjet për të shfryer deri në urrejtje ndaj z. Grenell. Do të ishte mirë që znj. von Cramon të tërhiqej nga pozita e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian sepse po del të jetë shumë e anshme ideologjikisht për të qenë korrekte politikisht e institucionalisht me Kosovën. Do të ishte e udhës poashtu që zyrtarë evropianë t’i lënë përrallat dhe t’i heqin vizat për popullin e Kosovës. Do të ishte mirë që të kursehen edhe nga arsyetimet për korrupsionin që po e gërryen Kosovën për kohë të gjatë e për të cilin ka hise të madhe edhe BE. Znj. von Cramon e din ose duhet ta dijë se asnjëherë nuk u publikua se kah shkuan miliardat që BE i dedikoi për Kosovën. Asnjëherë nuk u publikua një raport pse dështoi EULEX-i në Kosovë dhe miliardat që u dhanë për të. Ҫdo politikan evropian, pra edhe znj von Cramon, po të shfletojë qoftë edhe sipërfaqësisht një fletë nga librat e historisë që nga Kongresi i Berlinit e deri më 1999, asnjëherë nuk do ta përdorte termin “kufij” e gjëja mbrojtje të kufijve nga Amerika kur i referohen Kosovës dhe shqiptarëve. Është historia më e trishtë që ka ndodhë ndaj një populli në trollin politik e gjeografik të Evropës. Në këtë kontekst, Amerika asnjëherë nuk ndau as copëtoi kufij e toka të shqiptarëve. Përkundrazi!. Pa harruar këtu edhe veriun e Kosovës, si produkt dhe vazhdimësi e politikës gjenocidale e të spastrimit etnik nga Serbia, e ndihmuar nga pjestarët francez të KFOR-it, dhe atë pas çlirimit të Kosovës e pas hyrjes së trupave tokësore të KFOR-it në Kosovë me qëllim të mbrojtjes së vendit e popullit tonë!

Kosova dhe shqiptarët me të drejtë presin vazhdimin e kursit të politikës evropiane nga viti 1999 ndaj Kosovës në mbrojtje dhe përkrahje të Kosovës. Presim liberalizimin e vizave si populli më proevropian e proamerikan, populli më properëndimor. Presim angazhimin tuaj për njojen e shtetit tonë edhe nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur edhe pas 12 viteve të pavarësisë. Presim bashkëpunim të mirëfilltë duke pasë parasyshë edhe qindra mijëra shqiptarë të Kosovës që jetojnë e punojnë në shumë vende evropiane, që punojnë e fitojnë me nderë e punë të madhe. Znj. von Cramon, qytetarët e Kosovës duan evropianizimin dhe integrimin e Kosovës në BE përmes politikave që sjellin rezultate të dobishme. Për fat të keq, nuk po dëshmoni që jeni në këtë linjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat