Rrëfimi i Grenell-it në Fox News, një fakt i fshehur apo i vonuar - Bota Sot
Rrëfimi i Grenell-it në Fox News, një fakt i fshehur apo i vonuar

Opinione

Rrëfimi i Grenell-it në Fox News, një fakt i fshehur apo i vonuar

Ramazan Bekteshi Nga Ramazan Bekteshi Më 21 qershor 2020 Në ora: 02:49
Richard Grenell në Fox News

Pse z. Grenell prite që Boltoni të botoj memoaret e tij kundër Presidentit Trump që ti të zgjohesh e të n'a rrëfehesh për një spektakël të madh në Fox News para tërë botës. Pse s'ia the këto fakte medias dhe opinionit shqiptarë më herët që të parandaloje keqkuptimet.

A nuk jeni ju z. ambasador që me gojën tuaj i artikuluat fjalët, “se nuk është fol kurrë në prezencën time për ndërrim territoresh”? E tani, pas aq kohe i tregove botës një realitet te ri, se Bolton, bosi yt ne Shtëpi të Bardhë e paska thëne dhe ti e ke dëgjuar me veshët tuaj, qe i bie se ti e paske fsheh ketë ide deri sot, e kjo s’i ka hije njeriut që udhëheq një ndërmarrje supreme ku vendoset për fatin e popujve.

Pse z. Grenell nuk dëshironi t’a pranoni se keni dëgjuar për ndarje të Kosovës nga miku juaj që ju e preferoni Hashim Thaçi, kur ai vete e ka thëne para kamerave, madje ka lobuar me para të taksapaguesve kosovarë me firmën franceze “Marjorie...”, dhe vetë David Philips e konfirmon pohimin se i është kërkuar të punoj në një projekt që afirmon ndarjen e Kosovës ku ai në mënyre demonstrative largohet nga kjo ndërmarrje e turpshme edhe pse i paguar. Është vështire të besohet se ju nuk keni ditë për këto lojëra të ndyta të Thaçit, dhe po ashtu për infrastrukturën dhe logjistikën e organizuar në dy kontinente te Thaçit për këtë qellim.

Por ai bërryli juaj që ia dhatë qeverisë Kurti në kohë pandemie, për të pasur Thaçin pranë, si shumë të dëgjueshëm është ende i freskët. Ai bërryli yt i fuqishëm, qe la në rrugë njeriun që fitoi zgjedhjet, dhe instaluat humbësin, një qeveri kukull që erdhi përmes Thaçit. Me këtë akt ju e cenuat Konventën e Vjenës dhe i keni shkel me dy këmbe principet e demokracisë supreme, amerikane.

N’a thuaj z. Ambasador, ky flirti i Vuciqit me Moskën dhe Uashingtonin, me Putinin dhe me ju, derisa Lavrovi kërkon qe Këshilli i Sigurimit te vendos për Kosovën, a s’është kjo edhe një kërkese shtese e Kremlinit qe do te fusë hundët ne çështjen e Kosovës me kërkese te Vuciqit. Pse aq shume kushte për viktimën dhe asnjë për agresorin. Ju, z. ambasador me arrogancën tuaj shkaktuat frike, sepse si mjet zgjodhët bullizmin, kërcënimin dhe sanksionet ndaj një vendi te varfër qe e shpëtoi Amerika. Ju e zhgënjyet popullin e Kosovës dhe gjysmë milionë votues shqiptaro-amerikanë që tradicionalisht kanë votuar për republikanët shumica e tyre.

Z. Grenell, kushtetuta e Kosovës thotë se negociatat duhet t’i udhëheqë kryeministri e ju e favorizoni Thaçin si me te dëgjueshëm, e kryeministri një kukull i ardhur në pushtet përmes Thaçit vjen si një dekor. Për takimin e 27 qershorit në Shtëpi të Bardhe, ju i detyruat dy kukullat tua të bëjnë edhe një kompromis të ri pos reciprocitetit, të heqin dorë edhe nga anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, vetëm për t’ia plotësuar edhe një dëshire Vuçiqit.

Z. ambasador, si mundet te jeni kryenegociator i suksesshëm dhe të pajtoni dy kombe kur vetë me homologun evropian nuk koordinoheni dhe keni qëndrime të ndryshme. Pse ky nxitim në Uashington kur pala kosovare është e papërgatitur dhe pa ekip negociues. Ne, po ashtu jemi të zhgënjyer sepse ne krye të delegacionit është njeriu më i urrejtur në Kosovë që lansoi idenë e këmbimit të territoreve, njeriu që për 10 vite i solli dështime Kosovës në negociata, fali territore, shkatërroi ekonominë, gjersa ai dhe njerëzit e tij u benë multi-milionerë dhe ju i dini të gjitha këto fakte.

Deklarata amerikane se, “Kjo mundësi në Shtëpinë e Bardhë i hap dyert për një zhvillim të ri ekonomik dhe të investimeve”, shpresoj te mos i ngjaj premtimit të BE-se, “ratifikoni kufirin me Malin e Zi, do t’i fitoni vizat”, e ne mbetem pa 8000 hektarë tokë dhe pa viza. Ju thoni se çështjet ekonomike të dy vendeve janë më të rëndësishme se ato politike, megjithatë ne mendojmë se pa zgjedhje politike nuk mund të shkohet asnjë hap përpara, as në ekonomi.

Sot, qytetaret tanë pranë frikës dhe skepticizmit kanë edhe një shpresë të madhe, ata i besojnë fort Amerikës por jo dhe këtij ekipi negociues që shkon pa fituesin e zgjedhjeve, pa atë që ka vizion më të qartë për shtetin se HTH. Nëse jeni më të vërtetë kundër ndryshimit të kufinjeve, atëherë pse e ftoni në Washington autorin e kësaj ideje të trishtë, HTH?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat