Dialog apo marrëveshje

Opinione

Dialog apo marrëveshje

Nga: Skender Musliu Më: 21 qershor 2020 Në ora: 20:33
Skender Musliu

Arritja e një Marrëveshje definitive mes Kosovës dhe Serbisë , të miratuara në dy Kuvendet respektive duke e marrë formën e Ligjit, nënkupton një proçes mirë të përgatitur,konsistent, me një koncenzus të spektrit politik, një Platformë të qartë me afate dhe protokol të organizuar dhe me grupe punuese të ekspertëve jo politik nga të gjitha fushat.

Ky dialog mund të udhëhiqet vetëm nga një Qeveri legjitime dhe kredibile e dalur nga votat e sovranit, që rrethanat aktuale nuk e mundësojnë këte.

Proçesi i dialogut që nga fillimi ka qenë i dështuar, sepse është bërë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

A thua si dhe kush ia mundësoi z. Thaqi që unilaterisht të fillojë dialogun me Serbinë pa konsultimin dhe dakordësinë e institucioneve legjitime të Kosovës, pse me kaq këmbngulësi insiston që ai të jet në krye të këtij proçesi, duke ditur se këte nuk ia mundëson Kushtetuta, pse takimet e tij me Vuçiqin kanë ndodhur larg opinionit dhe pa kurfar transparence, pse për arritjen e një Marrëveshje ka futur në opcion ndryshimin, shkëmbimin dhe korigjimin e kufijve !? A thua se fati i Kosovës mvaret nga z. Thaqi !?

Me kërkesë të Serbisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me Vendimin e saj deklaroi se shpallja e pavarsisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare duke ia dhënë legalitetin Republikës së Kosovës, atëherë pse të ketë dialog !? Shtetet më të fuqishme të botës Perëndimore njohën pavarsinë e Kosovës në kufijt ekzistues, atëherë pse të ketë dialog !? Në vend që presidenti, ministri i punëve të jashtme dhe institucionet e Kosovës të kishin lobuar për njohje të reja, Kosova i hyri proçesit të dialogut, madje as që ishte dialog, duke vurë në pazar territorin e saj që zbehu edhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Që nga pavarsia e Kosovës, asnjë shtet në botë, diplomat apo institucion ndërkombëtar, nuk ka përmendur ndarjen e Kosovës, mirëpo që kur z. Thaqi publikisht plasoi idenë për ndryshimin e kufirit, disa shtete filluan të dyshojnë.

Është shumë sinjifikative se si z. Thaqi i është qasur këtij proçesi kaq të rëndësishëm, senzitiv dhe jetik për Kosovën, pa transparencë, pa konsultimin dhe avalin e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, a thua mshifet diçka, e që nuk guxon të mshifet !?

Madje, prej kur z.Thaqi filloi lobimin në institucionet ndërkombëtare për ndarjen e Kosovës si kusht për arritjen e një Marrëveshje, jo vetëm që nuk kishte më njohje të reja për shtetitn e Kosovës, por përkundrazi, kishte tërheqje të njohjeve, që dobësoi shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe Kosova nuk arriti të anëtarësohet në asnjë institucion ndërkombëtar, siç është Interpoli, UNESCO e tjera.

Nxitimi i z. Thaqi për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij proçesi, krijon dyshime të arsyeshme në opinion, sepse vite me rradhë në publik, flitet për dosiet e shërbimeve të zbulimit serbe si dhe lidhjet e z. Thaqi me shërbimet sekrete françesze, që rëndojnë mbi te. A janë në pyetje kushtëzimet e këtyre dosieve për arritjen e shpejtë të Marrëveshjes Kosovë – Serbi duke ndryshuar kufijt, vetëm ai e din !

Si do që të jet, mënyra se si z. Thaqi e ka filluar këtë proçes dhe si don t’a përmbyllë ate, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovërs.

Pas përmbysjes së Qeverisë Kurti, dhe formimin e Qeverisë Hoti, Thaqit iu hap rruga që t’a vazhdojë zbatimin e projektit të tij për arritjen e një Marrëveshje të shpejtë. Fatkeqësia është edhe më e madhe se në këtë përbërje të Kuvendit të Kosovës, z. Thaqi i ka votat e mjaftueshme për t’a votuar Marrëveshjen, sepse në krye të partive politike janë « profesori » i harxhuar dhe komandantët e luftës, që njëherit edhe rrëzuan Qeverinë Kurti.

Si po duket, në këtë kontekst, është edhe ftesa e z. Grenell për z. Thaqi dhe Avdullah Hoti së bashku me Vuçiqin dhe Bernabiqin, takimi me 27 Qershor në Uashington. Mirëpo është naive të mendohet se me 27 Qershor po shkohet për dialog ose për arritjen e një Marrëveshje.

Duhet theksuar dhe insistuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati kryesor, i pakuntestueshëm dhe historik i kombit shqiptar, kjo është dëshmuar në të kaluarën, sepse pa SHBA-të nuk do t’a kishim as Shqipërinë e as Kosovën. Mirëpo për kontekstin aktual problematike është mënyra se si janë zhvilluar bisedimet Thaqi – Vuçiq, se për çka ata janë marrë vesh, se çka ata po u servojnë SHBA-ve. Nuk ka kurfar dyshimi në SHBA-të, por dyshimi është te z.Thaqi dhe Vuçiq, se çka kanë negociuar ata, ndoshta kanë bindur SHBA-në se e vetmja zgjidhje për arritjen e Marrëveshjes është përmes ndryshimit të kufijve !?

Ajo çka mungon në këtë proçes është moskoordinimi i SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Është i vërtetë fakti se pa implikimin dhe angazhimin e SHBA-ve nuk mund të ketë Marrëveshje, por kjo duhet të ndodhë në bashkëpunim me BE, e në veçanti me Gjarmaninë dhe Francën.

Por zgjidhja më e mirë do të ishin zgjedhjet e parakohshme, të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria legjitime që do të kenë kredibilitetin e nevojshëm për t’a ecur këtë proçes te para. Pa marrë parasysh se cila parti vjen në pushtet, Marrëveshja e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë domosdoshmërisht duhet t’i nënshtrohet Referendumit, e jo të votohet në Kuvend, i cili fatkeqësisht po shëndrohet në pazar politik ku po manipulohet vota e sovranit. Vetëm Referendumi e zgjedh zgjidhjen e Kosovës, çdo veprim ndryshe do të ishte në dëm të sovranit.

Prandaj është koha e fundit që proçesi i dialogut të organizohet me një strategji veprimi krejtësisht tjetër duke abondonuar mënyrën e gjeritanishme jo transparente, pa Platformë, pa koncenzus politik dhe pa agjendë të parapërcaktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat