Opinioni i Komisionit të Venecias për Shqipërinë-Zgjedhjet, Kushtetuesja, Media

Opinione

Opinioni i Komisionit të Venecias për Shqipërinë-Zgjedhjet, Kushtetuesja, Media

Nga: Prof. Lisen Bashkurti Më: 22 qershor 2020 Në ora: 14:56
Prof. Lisen Bashkurti

Shqipëria po përjeton një krizë të thellë dhe komplekse. Tanimë kjo krizë është konstatuar qartësisht nga organizatat kryesore Evropiane, të cilat merren me Shqipërinë. Organizatat Evropiane janë enë kapilare të lidhura ngushtësisht nga vlera, parime, norma dhe institucione. Ato kanë në themel demokracinë parlamentare, pluralizmin politik, shtetin e së drejtës me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, ekonominë e tregut të lirë.
Kohët e fundit, tërësia e organizatave Evropiane, duke përfshirë, OSBE/ODIHR, Komisioni i Venecias të Këshillit të Evropës si dhe Parlamenti i Bashkimit Evropian kanë vënë Shqipërinë në fokus kritik në akord kapilar Evropian. Kritikat janë bërë në formë të drejtpërdrejtë, në formë opinionesh apo në formë rekomandimesh. Por, pavarësisht formës së bërë, në thelbin e tyre, kritikat, opinionet apo rekomandimet shprehin qartë problematikën thelbësore serioze të Shqipërisë, me të cilën ajo duhet të përballet për realizimin e aspiratës mbarë shqiptare për ta bërë Shqipërinë antare të Bashkimit Evropian.

1. Komisionit të Venecias për zgjedhjet e 30 qershorit dhe Gjykatën Kushtetuese
Komisioni i Venecias është i njohur ndryshe ‘Komisioni Evropian Demokracia përmes Ligjit’ është një trupë këshillimore e Këshillit të Evropës, e përbërë nga ekspertë të pavarur në fushën e të drejtës kushtetuese. Kjo trupë është themeluar në vititn 1990, pas rënies së Murit të Berlinit, për të asistuar në të drejtën kushtetuese në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Nga vënd-ndodhja e tij, njihet si Komisioni i Venecias. Detyra kryesore e Komisionit të Venecias është asistojë dhe këshillojë vëndet individuale me qëllim që të përmirësojnë funksionimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Detyrë tjetër e Komisionit të Venecias është edhe në fushën e zgjedhjeve, refendumeve dhe partive politike, drejtuar nga Këshilli për Zgjedhje Demokratike, i cili përbëhet nga përfaqësues të Komisionit si dhe nga Asamblea Parlamentare dhe Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Dhe, së fundi, një degë tjetër e aktiviteteve të Komisionit të Venecias lidhet me gjykatat kushtetuese dhe trupat gjyqësore ekuivalente të tyre.
Shqipëria është një nga vëndet që më së shumti është asistuar dhe këshilluar nga komisionin i Venecias në gjitha fushat e mësipërme. Nga viti 2019 Komisionit të Venecias i është kërkuar opinion këshillimor nga Shqipëria lidhur me dekretet e Presidentit Meta për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019; për procedurën parlamentare për shkarkimin e Presidentit Meta; për zgjedhjet në Gjykatën Kushtetuese; si dhe për ligjin Anti-Shpifje për median online.
Lidhur me dy kërkesat e para, zgjedhjet 30 qershorit 2019 dhe Gjykatën Kushtetuese, Komisioni dha opinionin e paraprak në shtator 2019 si dhe opinion përfundimtar për të gjitha cështjet në qershor 2020. Sic vërehet nga analistë të shumtë vëndas dhe ndërkombëtar, si asnjëherë tjetër, opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias për Shqipërinë në qershor 2020 pësoi ndryshime thelbësore krahasuar me projektin e tij paraprak i Shtatorit 2019.
Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, thelbi i ndryshimit qëndron në vlerësimin e Komisionit të Venecias, sipas të cilit Presidenti i Republikës Meta nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese. Me veprimet, qëndrimet dhe deklarimet e tij, Presidenti i Republikës Meta, pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe reputacionin demokratik të vendit. Presidenti Meta ka respektuar frymën dhe gërmat e Kushtetutës sepse kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale. Nga ana tjetër, dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate. Gjithashtu, duhet vënë në dukje fakti juridik se zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore.
Në reagimin e Presidentit Meta rreth draftit paraprak të Komisionit të Venecias lidhur me gjykimin e dekreteve të tij për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ai argumentoi se “Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të gjykojë dekretet e Presidentit me natyrë kushtetuese”. Kjo deklaratë e Presidentit Meta është miratuar nga Komisioni i Venecias në Opinionin përfundimtar, i cili në thekson në pikën (99) “Do të jetë Kuvendi dhe në përfundim Gjykata Kushtetuese që do të vendosë nëse anullimi dhe më nëse shtyrja e zgjedhjet vendore paraqet një shkelje të Kushtetutës…”
Për konseguencë, Komisioni i Venceias saktëson qëndrimin e tij edhe lidhur me vendimin e mazhorancës parlamentare për celjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit Meta. Komisioni në pikën (99) të opinionin përfundimtar qartëson se do jetë sërish Kuvendi dhe në përfundim Gjykata Kushtetuese që do të vendosë edhe …”nëse shkelja është me karakter serioz, e cila do të lejonte shkarkimin e Presidentit…Për më tepër, Komisioni i Venecias dyshon se edhe nëse veprimet e Presidentit mund të konsiderohen në shkelje të Kushtetutës, a mund të quhen ato serioze mjaftueshëm për të kërkuar shkarkimin”.

Në mënyrë eksplicite Komisioni, shprehet lidhur me veprimet, qëndrimet dhe vendimet e Presidentit Meta, në pikën (101), ku thekson se… “Duke i bërë bashkë këto veprime ato nuk përmbushin kriterin e kërkuar për krijimin e rrethanave për një kërkesë kaq serioze sa shkarkimi i presidentit”.
Në lidhje me opinionin përfundimtar për Gjykatën Kushtetuese dhe procedurën e zgjedhjes dhe betimit të antarëve të saj, Komisioni i Venecias ka dhënë opinion të qartë, pa ekuivoke, sipas të cilit ka pasur shkelje proceduariale serioze nga mazhoranca për të kapur këtë organ të lartë të gjyqsorit, me anë të heqjes së të drejtave të Presidentit për emërimin antarëve të Gjykatës Kushtetuese si për dhe betimin e antarëve të kësaj Gjykate përpara tij, mbi parimet check and balance dhe të pavarësisë së pushteteve.
Një shkelje e tillë e mazhorancës ka bërë që vendi të rrijë për një kohë të gjatë pa Gjykatë Kushtetuese, cka ka krijuar një vakuum, i cili është abuzuar nga mazhoranca dhe qeveria për të ndërmarrë akte ligjore dhe vendime ekzekutive antikushtetuese, duke penguar seriozisht rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Me opinionin përfundimtar, Komisioni i Venecias e faktoi pa ekuivoke synimin e mazhorancës dhe qeverisë për të kapur çdo organ të sistemit të drejtësisë, duke devijuar nga parimet dhe procedurat e reformës kushtetuese për drejtësinë të vitit 2016. Synimi i mazhorancës dhe qeverisë ka qënë për t’i rrëmbyer Presidentit të drejtën kushtetuese për emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, përmes KED dhe drejtuesit të tij. Gjithashtu, mënjanimi antikushtetues i Presidentit për Gjykatën Kushtetuese është synuar edhe me anë të devijimit të procedurave të betimit të antarëve të kësaj gjykate, nga një akt e detyrueshëm dhe solemn përpara Presidentit, tek një akt notarial dhe i rëndomtë, përmes një vendimi të vecantë të mazhorancës.
Presidenti Meta, padyshim, ka meritën historike qëndroi në mbrojtje të Kushtetutës dhe nuk iu nënshtrua presionit të mazhorancës dhe qeverisë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Është hera e parë, që nga viti 2018, që një organizatë ndërkombëtare sulmon reformën në drejtësi, identifikon, akuzon mosfunksionimin e shtetit kushtetues në Shqipëri, duke vërejtur shkelje të rënda të Kushtetutës.
Këto konstatime të Komisionit të Venecias janë kritika që bien njëkohësisht mbi mazhorancën, Qeverinë Shqiptare, por edhe mbi përfaqësitë e USA dhe BE në Tiranë së bashku me misionet e tyre OPTAD dhe EURALIUS që janë asistues dhe në një farë mënyre edhe garantues për zbatimin e drejtë te reformës në drejtësi në Shqipëri.
2. Komisioni i Venecias për Ligjin e Medias Online
Në opinionet e kohëve të fundit të Komisionit të Venecias për Shqipërinë është lidhur me Ligjin Anti-Shpifje për Median, të mazhorancës në Shqipëri. Paraprakisht, Presidenti Meta nuk e dekretoi këtë ligj, dukë e konsideruar si një shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për shprehjen e mendimit të lirë.
Paketa ligjore ‘Anti-shpifje’ ose e thënë më qartë e censurës për median online është bërë objekt i fortë i debatit politik, publik dhe mediatik në vënd. Për pasojë rishikimi i këtij ligji, që qeveria duhet të plotësojë, është renditur një nga kërksat themelore për celjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Mazhoranca në pushtet nuk ka vepruar në përputhje me standartet europiane. Qeveria, deri tani është përpjekur ta miratojë planin për të adoptuar ligjin e censurës, duke e shndërruar institucionin e AMA (Autoritetin e Medias Audiovizive dhe Këshillin Mbikëqyrës të Radio Televizionit Shqiptar), në trupa partiake për kontrollin e medias online, me anë të politikave të emërimeve.
Loja e Qeverisë deri kohët e fundit është e dyfishtë, nga njëra anë bën sikur është e kënaqur me vendimin e Komisionit të Venecias, që rrëzoi ligjin e tij të censurës, nga ana tjetër, vazhdon të insistojë të mbajë në një garë politike vartësit e saj për kreun e AMA-s. Në ligjin e cencurës së medias, AMA është institucioni që vendos mbylljen e një portali online, posaqërisht në rastet e denoncimit të aferat korruptive të qeverisë, antarëve dhe drejtuesve të saj.
Lidhur me këtë ligj Komisioni i Venecias foli qartë kundër paketës së qeverisë për median. Komisioni theksoi 3 parime themelore: së pari, paketa ‘anti-shpifje’ rrezikon hapur lirinë e medias dhe të shprehjes; së dyti, paketa ‘anti-shpifje’ nuk duhet të kalojë me ndryshimet e bëra nga qeveria’; së treti, Qeveria duhet të mbështesë një mekanizëm vetërregullator me pjesëmarrjen e të gjitha palëve. Më tej Komisioni shprehet se “Fuqitë e reja nuk duhet t’u jepen AMA-s dhe AKEP-it, pa siguruar më parë se ato janë mjaftueshëm të pavarur nga partitë politike, nga bizneset e mëdha të medias dhe nga interesat e korporatave të lidhura me politikën”.
Në kushtet e demokracive hibride, ku bën pjesë edhe rasti i Shqipërisë, media online mbetet burimi kryesor i informimit të publikut shqiptar, burimi më i besueshëm i transparencës si dhe media më investigative për aferat korruptive e kriminale të qeverisjes në vënd.
Opinioni i Komisionit të Venecias kundër ligjit të censurës është qartësisht në frymën e qëndrimit të Presidentit Meta në arsyetimin ligjor për mosdekretimin e tij. Duke analizuar opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, Presidenti Meta deklaroi se “shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji, që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat