Fundi apo (ri)fillimi i Vjosës në LDK? - Bota Sot
Fundi apo (ri)fillimi i Vjosës në LDK?

Opinione

Fundi apo (ri)fillimi i Vjosës në LDK?

Nga: Fadil Lepaja Më: 24 qershor 2020 Në ora: 12:12
Fadil Lepaja

Po të fitonte në zgjedhjet nacionale, të vitit të kaluar, Vjosa Osmani do të ishte fituese edhe e garës së pashpallur për kryetar të LDK-së. Pasi nuk i fitoi zgjedhjet, koalicioni me “Vetëvendosjen” dhe roli i saj integrues, e mbanin ende si kandidate edhe për çështjen e pambyllur të kryetarit të LDK-së. Me rrënimin e koalicionit, u rrënuan edhe gjasat për këtë pretendim. Arsyet e koalicionit dhe marrëveshjes Thaçi-LDK më tepër se gjeopolitike, duket të jenë të motivuara nga gara e brendshme në LDK, për pushtet.

Tash, a ishte apo nuk kishte të drejtë LDK-ja të shkarkojë Vjosa Osmanin, nga pozitat e larta drejtuese në këtë parti? Nëse mund të diskutohet për mandatin që e mori nga presidenti i vendit për të qeverisur vendin, edhe pse nuk i fitoi zgjedhjet e fundit, duhet pranuar faktin se për të drejtën e partisë të shkarkojë, përmes procedurave të parapara me statutin e saj cilindo zyrtar i cili nuk e mbështetë politikën shtetërore e nacionale të saj, vështirë se ka çfarë të diskutohet. Aq më tepër, vështirë se mund të kontestohet kjo e drejtë, nga partitë e tjera, sidomos në momente vendimtare si është formimi i qeverisë apo rreshtimi gjeopolitik, apo rreth partneritetit strategjik me SHBA, si u prezantua ky moment sa historik aq edhe histerik..

Sido që të jetë, se çfarë pasojash do të ketë kjo për LDK-në, në zgjedhjet e ardhshme, mund të diskutohet gjithsesi, por është në dorën e organeve të saj të marrin vendime dhe të japin llogari para anëtarëve të saj dhe përpara votuesve. Të tjerët mund të komentojnë pasojat eventuale për të ardhmen e vendit, apo etikën e vendimmarrjes politike, sidoqoftë Vjosa tashmë është shkarkuar dhe ky është veprim i pakthyeshëm politik i cili as mund të kontestohet ligjërisht, as ka instancë ku mund të ankohet pala e shkarkuar. Sidoqoftë, Vjosës i mbeten anëtarësia e gjerë e LDK, pra elektorati i saj partiak i cili munden me i dhënë sërish rastin për rilindje politike.

A do të pajtohet Vjosa, përfundimisht me këtë vendim dhe të mbetet vetëm anëtare e LDK, dhe të provojë të rilindë veten dhe partinë, a do të përpiqet të konvertoj votat në fuqi politike, për të filluar reformat e përfolura në partinë më konzervative në vend, kjo mbetet të shihet.

Ajo që nuk mund të kontestohet është fakti se brenda partisë së saj Vjosa, nuk pati fuqinë e mjaftueshme për të ruajtur koalicionin me “Vetvendosjen” dhe të pengojë ri konfigurimin e koalicionit qeverisës nën drejtimin e Presidentit Thaçi, çka i fuqizon konkurrentët e saj në parti.

Presidenti Thaçi, i cili nuk lë rast pa u deklaruar kundër “Vetvendosjes” dhe liderit të saj Kurti, të cilin e sheh si rivalin kryesor politik, tashmë është deklaruar për një marrëveshje me Serbinë, të ndërmjetësuar nga SHBA, ku nuk përjashtohet as çështja e territoreve, dhe sidomos është deklaruar kundër çfarëdo politike kosovare që do të largonte Serbinë nga tavolina e bisedimeve përfshirë këtu edhe reciprocitetin për të cilin Albin Kurti vuri kokën e tij politike në cung.

Varësisht prej marrëveshjes që po paralajmërohet dhe rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Vashington, përfundimisht do të (zh)vlerësohet edhe kjo vendimmarrje për shkarkimin e bartëses së listës zgjedhore të LDK, nga funksionet e larta në këtë parti. Nëse politika amerikane mbetet në këtë kurs global, pra edhe me skemën rajonale të paralajmëruar, atëherë marrëveshja Kosovë-Serbi duket vështirë të ndalet, pavarësisht përmbajtjes së saj, sidomos pas fitores bindëse të Vuqiq në Serbi. Prapa saj do të qëndronte edhe Moska zyrtare dhe Ankaraja, në krah të Uashingtonit, duke kontestuar kështu gjithçka që u krijua në emër të paqes dhe politikës evropiane në Ballkan, pas luftërave të përgjakshme të fundshekullit të kaluar dhe dy decenieve të këtij shekulli.

Pra, a do të mbetet në LDK, apo do të largohet si e zemëruar? Ndërkohë largimi i saj nga LDK-ja, që po i rekomandohet nga shumëkush, me shumë gjasë do të ishte mesazh i gabuar për votuesit e saj dhe të ardhmen e saj politike, pasi ajo realisht nuk do të ishte përforcim për asnjë parti tjetër, sidomos jo për “Vetëvendosjen” . Jashtë politikës së LDK pesha e saj është shumë më e vogël dhe ndikimi i saj do të ishte jo i rëndësishëm. Angazhimi i saj për një qeverisje me duar të pastra ka dhënë rezultate në LDK dhe ndikimi i saj mund të vij duke u rikthyer në këtë parti nëse ajo e mund zemërimin, padurimin dhe egon e saj.

Roli i saj do të jetë i rëndësishëm edhe në parlament, aq më tepër, pasi shumëçka ende do të varet nga ndërgjegjja qytetare dhe kombëtare e deputetëve të LDK-së dhe jo vetëm atyre. Roli i saj integrues në parlament mund të jetë i rëndësishëm për procesin politik.

Vjosa idealiste, mobilizuese e ekspertëve të rinj, e cila me “Vetëvendosje”- n u pajtua sidomos për domosdonë e “Çkapjes” së shtetit nga grupet e fuqishme të interesit, që janë pa të jenë mbipartiake, të pasuruara nga shteti. Ajo po ashtu synonte reformimin e LDK, dhe rikthimin e intelektualëve dhe idealistëve në krye të LDK përkundrejt rrymave rajonale, politike dhe të interesit të formësuara rreth emrave të vjetër, të rritur me LDK-në. Këtu, përkundrejt interesit të përbashkët kemi edhe konfrontimin me ekipin pragmatik e teknokratik të Isa Mustafës, i cili promovoi pikërisht gjeneratën e re dhe të mesme, me duar të pastra, por e cila në një moment e rrezikoi edhe vetë pozitën e tij.

Pra, kjo është dilema për të ardhmen politike të kësaj partie. Isa Mustafa është padyshim personazh i cili është nënvlerësuar së tepërmi, dhe është goditur së tepërmi dhe pa të drejtë nga partiakët dhe kundërshtarët. Ai është figurë pragmatike e cila megjithatë ka arritur të ndalë shkapërderdhjen e LDK pas vdekjes së presidentit Rugova dhe të hapë rrugën për gjeneratën e re të drejtuesve.

Edhe Vjosa Osmani dhe politikanët e rinj të përfshirë në qeverisje, dhe në politikë janë produkt i një strategjie të tij për të reformuar LDK-në, duke e liruar atë nga rrjetet e amortizuara dhe korruptuara brenda saj. A është interes i Isës që Vjosa të shkojë, apo ishte detyruar nga rrymat e fuqishme të cilat morën krah me perspektivën e një marrëveshjeje të shpejtë me Serbinë

Për fund, qëndrimi i Vjosës, në LDK mund të sillte më shumë përfitime për të, për partinë dhe për reformimin e saj, dhe jo vetëm të saj. Largimi nga LDK do të prekte thellësisht në imazhin e saj politik, me shumë gjasë pariparueshëm. Sido që të jetë, varet krejtësisht nga ambicia dhe vizioni i Vjosës a do të pranojë shkarkimin si dënim apo si mundësi. Me këtë do të jap përgjigje në pyetjen:është ky (ri)fillimi apo fundi i Vjosës në LDK!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat