Gjykata Speciale nuk cënoi të drejtën e Hashim Thaçit, ajo mbrojti territorin e Kosovës!

Opinione

Gjykata Speciale nuk cënoi të drejtën e Hashim Thaçit, ajo mbrojti territorin e Kosovës!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 25 qershor 2020 Në ora: 12:14
Hashim Thaçi

Më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë me 2/3 e votave të saj mori vendimin që pavarësinë e Kosovës ta konsiderojë si një akt në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe madje edhe me rezolutën 1244! Dy vjet më vonë, më 2 korrik 2012 Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, duke konfirmuar përfundimisht pavarësinë e plotë të shtetit. Të dy këto vendime u morën bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e saj, si dhe te e drejta sovrane e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj.

Por në praktikë ndodhi e kundërta. Më 19 prill 2013 ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi marrëveshjen e famshme me ish-kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, marrëveshje me të cilën Kosova vendoset në pozita të kontestimit të dy vendimeve të lartpërmendura, pra të diskutimit të pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të saj. Prej kësaj kohe Kosova ka nënshkruar me Serbinë edhe rreth 40 marrëveshje të tjera, shumica prej të cilave mbrojnë interesat, ndikimin dhe praninë serbe në Kosovë, ndërkohë që pakica prej tyre nuk është zbatuar asnjëherë nga Beogradi, për shkak se ato nuk janë në interes të tij. Dhe të gjitha këto lëshime i ka firmosur presidenti i sotëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Vetëm një ditë pas vendimit për t'i dhënë fund mbikëqyerjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, pra me 3 korrik 2012, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, shkruante në "Christian Science Monitor" se " Ne po përpiqemi t’i bindim Serbinë dhe Rusinë, se Kosova mund të kontribuoj në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të etur të punojmë me Bashkimin Evropian dhe me OKB-në si anëtarë të plotë të komuniteteve evropiane dhe ndërkombëtare".

Po ku është zoti Thaçi sot pas 8 vitesh? Ai është afruar së tepërmi me Serbinë dhe Rusinë e ndërkohë është larguar mijëra km nga Bashkimi Europian. Dje prokurori i Gjykatës Speciale të Hagës e ka shpallur nën hetim për vepra kriminale, për të cilat duhet të vendosë gjykata përkatëse. Askush nuk ka të drejtë ta konsiderojë presidentin e Kosovës fajtor ose jo për ato vepra. Por shoqëritë e civilizuara, çfarë është edhe shoqëria e Kosovës, duan që të zbulohet e vërteta për dhjetëra vrasje politike të shqiptarëve gjatë e pas luftës, të gjenden fajtorët dhe të dënohen ata. Kjo është arsyeja pse ndoshta në rastin e zotit Thaçi nuk ka ndonjë preokupim të madh në opinion pse ndaj tij Gjykata Speciale ngriti një akuzë.

Në opinionin publik ka një diskutim kontravers sa i përket thirrjes së zotit Thaçi në Hagë. Përkrahësit e tij dhe vetë ai po luajnë më autoritetin dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e njësuar fillimin e hetimeve ndaj ish-udhëheqësit politik të kësaj ushtrie me "goditjen" që gjykata paska për synim t'i japë UÇK-së. Ta zëmë për një moment se Ramush Raradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët u thirrën në Hagë do të ishin shpallur fajtorë! A do ta komprementonte kjo luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Është e qartë se jo. UÇK ishte aleate e NATO-s dhe është absurde që një formacion i tillë të fajësohet për krime që dikush mund t'i ketë kryer ndaj civilëve, UÇK u krijua dhe luftoi për të mbrojtur pragun e shtëpisë së vet! Dhe është absurde gjithashtu që të paragjykohet ose ndëshkohet një formacion e tillë, i cili mbron pragun e shtëpisë së vet! Ndërkaq, sipas parimit të drejtësisë, krimet janë individuale, nëse ato kryhen. Prandaj çdo përpjekje për ta implikuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është një atak që i bëhet drejtësisë dhe vetë UÇK-së, është një akt politik dhe jo provë pafajësie.

Në fakt vendimi i shpallur dje për marrjen në hetim të Hashim Thaçit ishte gjithashtu një akt politik, përveçse juridik. Në këtë pikë pajtohem me mbështetësit e zotit Thaçi. Ishte politik, sepse u bë publik vetëm dy ditë para takimit në Uashington, çka do të thotë se ky akt kishte për qëllim ta anulonte takimin e delegacionit shqiptar dhe serb në Shtëpinë e Bardhë, ose ta zhvleftësonte formën e zotit Thaçi në një marrëveshje të mundshme. Kjo do të thotë njëkohësisht se aktorët janë brenda dhe jashtë SHBA-ve. Unë besoj se diplomacia e sprovuar britanike dhe diplomacia e parimeve të qëndrueshme gjermane vepruan në bashkëpunim. Po pse duhej evituar takimi në Shtëpinë e Bardhë?

Ka shumë arsye. Arsyeja kryesore lidhet me projektin e fshehtë midis Thaçit dhe presidentit serb, Vuçiç, të depozituar në zyrën e ambasadorit Grenell për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. Deputeti gjerman Peter Meyer bëri të ditur javën e kaluar se në Uashington do të firmosej një marrëveshje me të cilën do të mund të zhbëhej edhe Gjykata Speciale e Hagës. Për këdo që ka minimumin e logjikës kjo lidhet me plotësimin e kërkesave serbe për ndarjen e Kosovës, sepse ndryshe Beogradi nuk do të firmoste zhbërjen e kësaj gjykate, pa lëshime në territor dhe në projekte të tjera të pranisë së tij në Kosovë. Nëse takimi do realizohej, atëherë marrëveshja do të nënshkruhej. Këtë akt nënshkrimi e paralajmëroi vetë presidenti i Kosovës para katër ditësh, kur tha se "Pa demarkimin e kufirit me Serbinë, Kosova nuk mund të ketë ulëse në OKB"! Ndryshimi i kufijve u maskua për dy vjet prej tij me "korrigjimin", ndërsa  tani ai përdori si maskë të re "demarkimin"! Por bota nuk hanë bar. Edhe sikur të mos kishte asnjë info të brendshme, vetë deklarata e Thaçit dha të kuptohet se në Uashington do të nënshkruhej një marrëveshje për kufijtë. Dhe në këmbim të kësaj ai do të kompensohej me zhbërjen e Gjykatës Speciale, si garanci për t'i shpëtuar ndëshkimit.

Po se zoti Thaçi donte që t'i ikte drejtësisë edhe me koston e ndarjes së Kosovës?! Kjo në vend që ta ndriçojë për mirë figurën e tij si udhëheqës i UÇK-së dhe tani si president i Kosovës, në fakt shtoi dyshimet se ai mund të jetë implikuar në krime kundër civilëve të pafajshëm. Është ortakëria e Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiç, Edi Ramën dhe të tjerë eksponentë të frymës, të idesë dhe të rrjetit propagandues për shkëmbimin e territoreve ajo që shpejtoi procesin në Gjykatën Speciale dhe i dha ngjyra politike vendimit të saj për marrjen në hetim të presidentit të Kosovës. Ndërkaq kjo gjykatë do të duhej të mbrohej nga një marrëveshje që e zhbënte atë për interesa okulte!

Nëse llogarisim deklaratat e para shumë viteve të zotit Thaçi me deklarimet dhe veprimtarinë e tij të tri viteve të fundit, atëherë shohim se si është transformuar ai, bazuar në interesat personale të tij. Para një viti e tutje mikeshë e tij e përzemërt ishte Frederica Mogherini, sepse bashkë me Thaçin, Vuçiçin dhe Ramën punonin për ndarjen e Kosovës. Kur në Bruksel ndryshoi qëndrimi ndaj kësaj zgjidhje, ndryshoi edhe qëndrimi i Thaçit ndaj Brukselit. Madje refuzoi bashkëpunimin me Bashkimin Europian. Ai iu kundërvu hapur dhe pa asnjë lloj diplomacie kancelares Merkel, ambasadorëve britanikë në Kosovë dhe në Beograd, politikanëve dhe diplomatëve amerikanë që mbronin tërësinë territoriale të Kosovës. Kësisoj prishi ekuilibrat e mëparshëm dhe u bë palë me ata që duan destabilizimin e rajonit, me qëllim destabilizimin e kontinetit europian. U afrua me Moskën dhe u bë pjesë e konspiracionit antieuropian.

Tashmë ngjarjet kanë marrë një kthesë. Baton Haxhiu e konsideron këtë kthesë si rrezik të madh për Kosovën dhe për këtë përdor "argumentin" se "Serbia është e fuqishme". "E dini sa e ka Serbia GBP?", thoshte mbrëmë Batoni në një televizion! Duket se me idetë fataliste dhe disfatiste do të operohet për t'i dhënë mbështetje Hashim Thaçit. Unë do të doja që presidenti i Kosovës të japë dorëheqjen dhe të shkojë e të mbrohet si qytetar në Gjykatën Speciale. Ai duhej që në dhjetor 2010 ta denonconte Dick Martty-n siç edhe qe zotuar atëherë e më pas të evitohej ngritja e gjykatës. Por në kushtet ku jemi atij i mbetet të mbrohet, jo me mantelin e presidentit, por si qytetar i Kosovës. Sinqerisht uroj që të kthehet i pafajshëm, ashtu siç uroj Zotin që e bekoi Kosovën me këtë akt të ndalimit të shpërbërjes së saj, kësaj radhe nga vetë presidenti i vendit! Prandaj nëse ky vendim i Gjykatës Speciale e largon Hashim Thaçin nga detyra e presidentit, kjo do ta mbronte edhe integritetin territorial të Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat