Korupsioni apo papunësia?

Opinione

Korupsioni apo papunësia?

Nga: Nasho Bakalli Më: 26 qershor 2020 Në ora: 09:50
Nasho Bakalli

A është njeriu i papunësuar shoqërisht më i rrezikshëm sesa nëpunësi i korruptuar?

Të papunët janë shoqërisht më të rrezikshëm ngase u kanë nxjerrë qeverive shqiptare më shumë andralla me protestat e tyre të fuqishme, se sa, nëpunësit e korruptuar të cilët dinë vetëm ti luten shenjtorëve për shëndetin e qeverisë, parlamentit, presidentit, drejtësisë dhe i quajnë këta zoti im.

Shteti - që e mbyll njërin sy përpara nëpunësit të korruptuar - i duron ata të papunë që merren me  mjeshtëri si synetllëku, kurvëria, bixhozi, xhambzllëku, falli, çikërrimashitësi... përderisa rrojnë me djersën e mundit të tyre. Ata që i shtien frikën shtetit, pra që nuk i duron dot, janë punëtorët, fshatarët, intelektualët e papunë, pra njerëzit tejet të lirë, Sorrollatja masive e të cilëve, që karakterizon dhe gjëndjen e tanishme në vend, mbetet një sjellje misterioze, politikisht e manipulueshme, dhe e pakontrollueshme në detaje. "Pamja e dyshimtë" e njeriut të papunë - ajo që të gjithë e kuptojmë dhe njëkohësisht,  askush, nuk mund ta përkufizojë atë ligjërisht - nuk mjafton për ta ndaluar, për ta pyetur se ku rri, e me se merret. Edhe sikur i papuni ti përgjigjet këtyre e më shumë pyetjeve të tjera, ai nuk mund të dënohet me ligj. Po edhe kur dënohet, përsëri kontigjent i papunësisë mbetet. Dënimi nuk është punësim. Përkundrazi, ia nxin më keq CV të papunit. Por, dënimi edhe i ndihmon të papunët, si? duke i bërë ata edhe më të varfër seç janë. Norma tashmë shoqërore e përbuzjes të të varfërve që mbushin çdo ditë spitalet, varrezat, dhe rrugët - ku bëhen lehtësisht revolucionarë, kriminelë - prej dënimit ka lindur. Dënimi dhe përbuzja sociale e të papunëve, të marra këto së bashku, janë në kontradiktë me thelbin filozofik të demokracisë. Shprehje konkrete e ekzistencës reale të kësaj kontradike, dhe e shurdhërisë të shtetit për zgjidhjen apo zbutjen e saj, është, prej 30 vitesh, emigracioni masiv dhe i paprerë. Por kurbetin nuk duhet ta ngatërrojmë me përndjekjen; përndryshe ai do të mund të quhej shfarosje e kombit shqiptar. 50% e popullsisë shqiptare jeton në mërgim.

Po korrupsioni, a është ai në kontradiktë me demokracinë shqiptare? Unë mendoj se nëpunësit dhe titullarët e korruptuar nuk kanë të bëjnë, nga afër, me individët e papunë, por, ata kanë të bëjnë shumë me papunësinë - me këtë plagë socialekonomike. Ata janë krijuesit  e kësaj vrage. Për argument po citoj Joe Biden, SHBA, që thotë se "Korupsioni është vetëm një formë tjetër tiranie". E kujt - pyes unë. E kastës të zyrtarëve publikë ndaj të skamurëve, të papunëve. Po, të çfarë kallëpi janë këta ofiqarë? Ata janë një përzierje e gjithëfarë shtresash dhe origjinash shoqërore, politike, ekonomike, arsimore, kulturore, fetare, etnike; një fundërri...  e strehuar politikisht në bunkerët e administaratës shtetrore. Kjo këllirë e përbindëshme ka sjelljet dhe veshjet e veta, të pazakonshme në popull. Ndryshe nga të papunët ata kanë gjuhën e tyre; një përzierje të folurash rruge. Nëpunësit e korruptuar lidhen me të papunët vetëm për nga raca; jo nga virtutet. Ndërsa të papunët janë një sindikatë; të koruptuarit janë një vëllazëri me bazë shtetrore ku kashtisja e gjithëfarësoj, si më sipër shënuar, nuk luan kurrfarë roli ndarës në sendërtimin e paprerë të zejes tyre të përçmuar. Vepra e tyre, rrjedh nga një mendim i përbashkët. Ata, për të mos ua ngrënë hakën, mbeten aq dobiça sa edhe 1 Majin e festojnë me këngë e valle përkrah të papunëve, dhe punëtorëve të palodhur.

Sali Berisha, politikan ekstremist, që gjurmonte komunistët dhe shfaroste shkencëtarët, krijoi, me nenin famkeq 24/1, ushtrinë e parë shqiptare të papunëve. Ai qe, një sundimtar i butë për detashmentet laramane të korrupsionit. E dimë arësyen: ministrat e tij sollën piramidat financiare; trafikun e naftën për regjimin e Millosheviçit; manipulimin e zgjedhjeve të vitit 1996, e të tjera "mallra" me të cilat Saliu tregtonte jetëgjatësinë e vet në pushtet. Këta, pos kësaj, dinin edhe të zhdukin gjurmët e "mallrave të tyre". "Mirëqënia e Demokracisë" kërkonte të tilla zhdukje herë pas here. Liderin opozitar Fatos Nano, që i prishte punë Sali Berishës, pasi e dorëzuan në duart e gjyqtarëve dhe deputetëve të korruptuar, e zhdukën pas hekurave. Kjo vërtet e dobësoi PS, por, nga ana tjetër, begatoi veprimtarinë korruptive politike, ekonomike, shoqërore të shtetit shqiptar. Përveç zhdukjes, nëpunësit e korruptuar ishin/janë njerëz shumë të përmbajtur, dhe të heshtur. Asete këto, me shumë rëndësi për skutat e shtetit. Konkretisht: nuk ka asnjë shembull që bashkëpuntorët e  presidentëve, dhe kryeministrave të Shqipërisë të kenë nxjerrë në shesh të fshehtat e shefave të tyre. Eshtë e vërtetë ngaqë, gojëkyçjen e kërkon  e mira e përbashkët. Për më tepër që këta mjeshtra furnizojnë me  ushtarë, të papunë, edhe  luftrat, terorrizmin, konfliktet... në Siri, për shembull. Të gjitha këto iu pëlqenin/pëlqejnë presidentëve, kryeministarve, ministrave, deputetëve... të cilët, nuk mund të ishin/jenë armiq të ca njerëzve kaq të talentuar në fushën e korrupsionit, saqë fabrikonin/fabrikojnë edhe eunukë poliedrikë si zëdhënës në kancelaritë e SHBA, BE, OKB, NATO, etj.

Si përfundim, për momentin, mund të them se të papunët janë fatzinjtë e demokracisë shqiptare, kurse të korruptuarit janë fatlumët e saj.

A pritet të ndryshojnë këto dy fate, nëse jetësohet drejtësia sociale?

Në vitin 2013 u bë, me votë, ndërrimi pushteteve. Vendin e PD, në qeverisje, e zuri PS - pasi siguroi shumicën në parlament. Ndërkohë, pushteti gjyqësor i ngrysi ditët e veta të zeza në vitin 2016, kur u miratua asgjësimi i tij,  unanimisht, në Kuvendin e Shqipërisë - nëpërmjet reformës në drejtësi. Kjo e fundit po bën çmos për ta shuar korrupsionin, i cili ushqen edhe papunësinë në vend. Nuk është një ndërmarrje e kollajtë. Ngase flitet edhe për "thika" mbas shpinës të Reformës. Gjithësesi. SHBA dhe BE po zotohen pandërprerë se do ta mbrojnë zbatimin e Reformës nga çdo sulm që synon ta zhbëjë atë për interesa të fshehta vetiake. Le të shpresojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat