Aktakuzat joefektive

Opinione

Aktakuzat joefektive

Nga: Skender Musliu Më: 27 qershor 2020 Në ora: 16:47
Skender Musliu

Bërja publike e aktakuzave joefektive ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, z. Thaqi dhe ish kryeparlamentarit të Kuvendit, z. Kadri Veseli vetëm tre ditë para takimit të shumë pritur në Uashington me Vuçiqin dhe Bernabiqin të organizuar dhe ndërmjetësuar nga z. Grenell, duket paksa e pazakonshme. Kjo nga se deri sa aktakuza nuk është efektive, ajo nuk bëhet publike, sepse kjo aktakuzë ende është në shqyrtim dhe vlerësim te gjugjtari i procedurës paraprake, i cili nëse konsideron se nuk ka prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, ai ate e hedh poshtë, kështu edhe nuk bëhet njollosja publike e të akuzuarve të supozuar. Por nëse gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ka prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave, atëherë ajo bëhet efektive dhe çështja i procedohet Dhomave të Specializuara të Gjykatës për shqyrtim.

Mirëpo ajo çka është enigmatike dhe spekulative, është se pse kjo ndodhi vetëm tre ditë para takimit në Uashington?!

Sipas të gjitha gjasave, kjo Gjykatë ka patur informacione se në takimin e Uashingtonit, përveç tjerash, mund të diskutohet edhe zhbërja e Gjykatës Speciale, e cila me këtë çështje merret që nga themelimi i saj, nga 2015-ta. Bërja publike e aktakuzave joefektive ndikoi në anulimin e takimit në Uashington, por kjo pati edhe një « dëm » kolateral, respektivisht ndaloi ndryshimin e kufijve të Kosovës, që supozohej se do të ishte po ashtu temë diskutimi.

Kjo situatë e krijuar në mënyrë brutale, është pasojë e asaj që ka ndodhur më herët, respektivisht UNMIK-u dështoi në vendosjen e drejtësisë menjëherë paslufte, po ashtu ky proçes dështoi edhe me EULEX-in, që u krijua enkas për këtë qëllim.

Mirëpo gabimi më i rëndë dhe më i madh historik u bë me ndryshimin e Kushtetutës të Kosovës me çka u mundësua formimi Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë. Si rrjedhojë e kësaj deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një trusnie të madhe, e sidomos nga krerët e PDK, në gusht të vitit 2015, votuan Ligjin mbi themelimin e kësaj gjykatë, e cila mos të harrojmë, do të merrej vetëm me krimet e supozuara të shqiptarëve gjatë luftës, Gjykatë monoetnike, një gabim trashanik dhe i pafalshëm i politikanëve.

Derisa ata që nxitën luftën dhe kriminelët e luftës nga regjimi i Millosheviqit janë ende në postet më të larta shtetërore dhe straukturat ushtarake, policore dhe shërbimeve të intelegjencës të Serbisë, ngelin të pandëshkuar, në Kosovë me fajin e politikanëve kosovar, ndodhë krejt diçka tjetër.

Këtij proçesi i parapriu botmi i librit të ish prokurores speciale të Tribunalit të Hagës, Carla Del Pontes dhe Raporti i eorodeputetit zviceran Dick Marty, ku akuzoheshin krerët e UÇK-ës për krime lufte.

Politikanët e Kosovës në vend që të punonin në drejtim të kontestimit të këtij Raporti dhe libri duke i treguar botës se këto mbështeten në të dhënat e prokurorëve serb me fakte të trilluara dhe të falsifikuara, si dhe duk i ofruar opinionit ndërkombëtar prova dhe fakte të pakontestueshme për luftën e drejtë të kosovarëve që mbrojtën pragun e shtëpisë, që edhe vet faktori ndërkombëtar ndihmoi me bombardimin e Serbisë, politikanët e Kosovës fatkeqësisht merreshim me politika ditore për interesa personale. Këtë papërgjegjshmëri të politikanëve të Kosovës, Serbia e shfrytëzoi duke lobuar dhe promovuar nëpër botë Raportin dhe librin në fjalë.

Kjo përmbysje artificiale e situatës e dëmton shtetin e brisht të Kosovës dhe dobëson subjektivitetin ndërkombëtar, sepse tani Serbia me propagandën e saj, Sërbinë tenton t’a bëjë viktimë.

Politikanët e asaj kohe, të verbruar ndaj pasurimimit personal, nuk kanë qenë aspak koshient se çfar reperkusione mund të prodhojë kjo Gjykatë, që tregon se ata nuk kanë patur kurfar vizioni dhe strategjie për proçeset e shtetndërtimit të Kosovës, por që pasojat do t’i vuan populli i pafajshëm.

Me publikimin e këtyre aktakuzave joefektive Republikës së Kosovës i është bërë një dëm vështirë i riparueshëm ndërkombëtar, jo për shkak të dialogut, sepse këtë proçes do t’a vazhdojë Qeveria e ardhshme dhe presidenti i ri, por është degraduar dhunshëm imazhi dhe simpatia e Kosovës që kishte pas lufte.

Në gjithë këtë histori një pjesë të fajit duhet t’a mbajnë edhe politikanët e Republikës së Shqipërisë, të cilët për shkak të problemeve dhe krizave të shkaktuara nga politikanët e papërgjegjshëm, me Qeveritë suksesive, tani tri dekada nuk mund, më mirë me thënë nuk duan, të dalin nga tranzicioni, sepse kështu ju konvenon interesave të tyre personale. Fatkeqësisht Shqipëria është shëndruar në një shtet të koruptuar, mafioz, ku kultivohet kanabisi dhe bëhet tranziti ndërkombëtar i drogave të forta, pjesë e cilës është bërë edhe politika, që n’a kujton vitet e 80-ta të Italisë dhe « Brigadat e Kuqe » që vranë kryeministrin e atëhershëm Aldo Moro dhe shumë prokuror dhe gjyqtar. Dhe kur t’a analizojmë situatën n’a del se, fatkeqësisht Kosova me të gjitha të këqijat, është ajo që duheshka t’a ndihmojë Shqipërinë, e jo e kundërta.

Situata nuk është më e lakmueshme as në Republikën e Maqedonisë së Veriut ku partitë politike shqiptare, si zakonisht, të përçarë ose si vazal do të hyjnë në zgjedhjet parlamentare të parakoshme që mbahen me 15 korrik 2020.

Dëmi është bërë dhe tani nuk ka kthim prapa, ajo çka ngelë është që aktakuzat të mos bëhen efektive, por edhe nëse kjo ndodh, atëherë të akuzuarit e supozuar duhet të mbrohen duke i demantuar provat që rëndojnë mbi ta, por situata do të jet edhe më e rënduar sikur në mesin e 11 të akuzuarve të supozuar, edhe të tjerët të ishin nga rradhët e UÇK-ës.

Në këto kushte, Kosova gjindet në një situatë jashtzakonisht të palakmueshme dhe e dobësuar para proçeseve që e presin. Rrugëdalje duhet kërkuar në konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, pa kalkulime politike, sa më shpejtë të organizohen zgjedhjet e parakohshme, sepse përbërja e Kuvendit dhe Qeverisë së re të dalur nga votat e lira dhe demokratike do t’a ketë legjitimitetin t’i vazhdojë proçeset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat