Si u shkarkua Akademik Nexhat Daci? (I)

Opinione

Si u shkarkua Akademik Nexhat Daci? (I)

Nga: Agim Vuniqi Më: 28 qershor 2020 Në ora: 20:36
Nexhat Daci

Për të gjithë ata që kanë harruar ua përkujtojmë!

Perkujtim:Si u shkarkua Akademik Nexhat Daci prej kryetarllakut te Parlamentit

Transkripti i mbledhjes së 9 Marsit në GP të LDK-së

Kështu u shkarkua Nexhat Daci

Alush Gashi: Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur më 1 mars 2006, vendosi për zëvendësimin e Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarit të Kryesisë së Kuvendit. Unë e kam përcjellë këtë vendim në Kryesinë e Kuvendit, përmes GP të LDK’së. Unë nuk kam marrë vendim. Ka qenë kërkesë që kjo çështje të hyjë në rend ditë në Kryesinë e Kuvendit. Nëse kjo është gabim, unë e pranoj atë gabim, por jemi këtu për ta zgjidhur.

Fadil Geci: Pse nuk jemi mbledhur ne si Grup Parlamentar, para se të dërgohet kjo kërkesë në Kryesinë e Kuvendit…?

Besa Gaxherri: Në emër të Grupit Parlamentar?

Alush Gashi: Po, në emër të GP. Nuk kam marrë vendim në emër të GP, por vetëm e kam përcjellë vendimin e Kryesisë së LDK’së në Kryesinë e Kuvendit. Ky GP deri më sot nuk ka dalë në kundërshtim me vendimet e Kryesisë së LDK’së. Unë nuk e kam autoritetin në asnjë pjesë të rregullores për ta ndalë vendimin e Kryesisë së LDK’së… A të bisedojmë së pari për zëvendësimin e Kryetarit të Kuvendit, e pastaj për Qeverinë? Kush është “për”…?

Nexhat Daci: Desha paraprakisht të them diçka… Kryesia e LDK’së nuk ka të drejtë të marrë vendim për shkarkim. Ky është Grupi Parlamentar dhe këtu merret vendimi. Çdo vendim tjetër nuk është valid…

Alush Gashi: Meqë e kemi këtu Sekretarin e LDK’së, anëtarin e Kryesisë së Kuvendit dhe Kryetarin e Kosovës, do të ishte mirë që për çështje procedurale të japë kontribut….

Fatmir Sejdiu: Është nevoja që të jemi bashkë dhe të sqarohemi. Edhe me Kryetarin Rugova ne kemi pasur tema që i kemi biseduar, sepse është çështje konsulte…

Alush Gashi: Udhëheqja e partisë është e mirëseardhur për të dhënë kontribut në mbledhjen e Grupit Parlamentar…

Fadil Geci: Me çfarë procedurash…..?

Alush Gashi: Fadil, të lutem…. Urdhëro fol sa të duash, pastaj e fillojmë mbledhjen…

Fadil Geci: Flisni ju….

Nexhat Daci: Partia është e pranishme në formacionin ekzistues. Nuk po insistoj, por nuk e ka asnjë arsye për te qenë, sepse nuk e ka respektuar atë parim për tjetërkënd…

Alush Gashi: Për këtë çështje – nuk kemi rregullore. Unë si Shef i GP të LDK’së nuk e kam forcën as vullnetin që të përjashtoj ose të kontestoj pjesëmarrjen në këtë mbledhje të nënkryetarit të partisë. Nuk kam shpjegim nëse udhëheqja më e lartë e partisë nuk mund të marrë pjesë në mbledhje të GP… Të kishim rregullore, do ta lexonim…

Mark Krasniqi: Unë po e vërej një përçarje në LDK. Kjo do të ishte një tragjedi për Kosovën. Nëse kjo parti përçahet në grupe të ndryshme…

Alush Gashi: Nuk po flasim për përçarje këtu, profesor…

Mark Krasniqi: Ju lutem, të zezës do t’i themi të zezë, të bardhës do t’i themi e bardhë…. Ju lutem, për hir të Kosovës, duhet ta sakrifikojmë edhe veten, e jo më dëshirat ose ambiciet që të jetë dikush ose mos të jetë dikush tjetër në këto poste… Duke e mohuar Kryetarin e Kosovës dhe Nënkryetarin, në këtë mbledhje, më duket se do të ishte një jehonë tepër e keqe për LDK’në….

Fadil Geci: Jo, jo, nuk është kështu

Mark Krasniqi: Fadil, dëgjomë ti mua, je më i ri se unë. Duhet të jemi një familje….

Nekibe Kelmendi: Mund t’ju them diçka, për këtë procedurë. Krejt ajo që s’është e ndaluar me ligj, është e lejuar.

Besa Gaxherri: Kjo që po ndodh – po na tregon deri ku kemi ardhur, fatkeqësisht. Nënkryetari i partisë është prezent. Këtu është pakënaqësia – me qenë a mos me qenë. Kjo është fatkeqësi. Do t’i lutesha Nënkryetarit të LDK’së, që sipas ndërgjegjes së vet, të vendosë vetë a me qenë këtu a jo. Nuk është në rregull këtu më asgjë….

Nyryshahe Hulaj: Edhe herë të tjera këtu kanë marrë pjesë në mbledhje njerëz që nuk janë të GP dhe nuk është bërë problem procedura… Të jetë prezent Nënkryetari i parë i LDK’së, mendoj se s’ka nevojë për komente. Është njeriu i parë në parti dhe duhet të jetë këtu, së bashku me ne…

Një deputet (nuk dallohet nga zëri se kush është): Sikur nuk e kemi të qartë, e po harrojmë se në takimin që kemi pasur me kryetarët e degëve, asnjë kryetar i degës nuk e ka thanë prerë që nuk e pranon vendimin e Kryesisë së LDK’së… Nuk mund të sillet deputeti në kundërshtim me degën…

Fadil Geci: Hala s’kemi ardhur aty. Le një herë. Kur hapet tema, flasim…

Besa Gaxherri: Në LDK çka ka ndodhur para një jave, nuk ka ndodhur qe 16 vjet. Nuk mund t’i ikim këtij realiteti….

Lulzim Zeneli: Çështja që po ngritet – ka arsye, ka argumente të mjaftueshme. Zonja deputete nga Prizreni tha – “njeriu i parë i partisë”. Duhet ta kemi të qartë se pas vdekjes së Presidentit Rugova, po ndodh që tash dikush të bëhet edhe njeriu i parë, edhe njeriu i dytë. Një praktikë e tillë më herët nuk ka ndodhur. S’kemi të bëjmë me njeriun e parë, të dytë ose të tretë. Por, kemi të bëjmë me një anëtar të Kryesisë së LDK’së, i cili qe pesë vjet nuk ka marrë pjesë në mbledhje të Kryesisë, pra me Nënkryetarin Eqrem Kryeziu. Është shumë reale pyetja – nëse ai mund të marrë pjesë ose jo në këtë mbledhje të GP. Nëse ka ardhur për ta ndihmuar këtë proces, duhet ta kemi të qartë – pse. Në anën tjetër, duhet ta kemi parasysh që i kemi edhe dy nënkryetarë të tjerë, që janë të barabartë. Këto shqetësime duhet t’i marrim si reale. Nëse flasim për procedura, atëherë procedurat kryekëput janë shkelur në LDK..

Alush Gashi: Nuk ma merr mendja që s’mund të mos marrë pjesë këtu udhëheqja më e ngushtë e partisë, që e ka përgatitur programin e listave… Po ta kishim rregulloren e miratuar, s’do ta kishim hapur këtë temë fare. Debati eventual që mund të kontribuojë në sqarim të ndonjë pyetje, nga Kryesia, nuk shoh ndonjë pengesë. Nuk e kemi të sanksionuar këtë çështje me rregullore… Mund të jetë që e kam gabim, por jam i bindur se është jonormale që udhëheqja e partisë të mos mund të marrë pjesë në mbledhjen e GP.

Nëse me lejoni, do të fillonim me pikën e rendit të ditës…

Më lejoni ta lexoj edhe një herë…

“Kryesia e LDK në mbledhjen e mbajtur sot më 1 mars vendosi që të zëvendësojë anëtarin e Kryesisë dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës zotëri Nexhat Daci me zotëri Kolë Berishën, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe Nënkryetar i LDK. Ju lutemi ta merrni në konsideratë këtë vendim dhe ta procedoni më tej në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës”,

Ditën e nesërme, pas marrjes së kësaj shkrese, në emër të GP e kam përcjellë kërkesën në Kryesinë e Kuvendit, që kjo të hyjë në rend të ditës. Nëse kjo është gabim, jam i gatshëm t’i bart pasojat. Unë nuk mund ta kontestoj deklaratën e dikujt se – ndoshta është dashur që unë ta kontestoj vendimin e LDK’së. Jam i bindur se kam vepruar drejt…

Po e lexoj edhe kërkesën.

“Në bazë të vendimit të Kryesisë së LDK’së, 1 mars 2006, për zëvendësim të anëtarit të Kryesisë dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës zotëri Nexhat Dacin me zotëri Kolë Berishën, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Grupi Parlamentar i LDK kërkon procedim në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit”.

Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, ne kemi edhe çështjen e zëvendësimit të anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Këto dy vende janë të garantuara për LDK’në. Vendi i Kryetarit të Kuvendit është i garantuar në bazë të rezultatit të zgjedhjeve. Sot është thirrur mbledhja që ne të diskutojmë vendimin e Kryesisë së LDK’së. Deri më sot, Grupi Parlamentar nuk ka rënë në kundërshtim me vendimin e Kryesisë së LDK’së.

Duhet sqaruar diçka… Ne nuk kemi marrë vendim për shkarkim të askujt. Ne kemi votuar për ta zëvendësuar Nënkryetari i LDK, Kolë Berisha – Kryetarin aktual të Kuvendit. Nuk kemi votuar për ta shkarkuar Kryetarin Daci. Kjo është ajo që ka ndodhur. Në Kryesinë e LDK’së nuk ka pasur votë kundër Kryetarit të Kuvendit. Ka pasur votë për t’i dhënë mbështetje një kandidati tjetër, që të bëhet një zëvendësim, siç bëhen zëvendësime gjithkund, sepse kjo është pozitë e rezervuar për LDK’në. Ju ftoj që të reflektoni në prizmin e asaj që ka ndodhur… Ne nuk kemi pasur konflikt në vendime. Nuk them se kemi qenë një milion për qind të saktë në vendimin tonë… Përpjekja për ta bërë një zgjedhje, e cila në këto momente nuk do të jetë në konfrontim as me Këshillin e Sigurimit e as me bashkësinë ndërkombëtare, unë jam i bindur se ka qenë e sinqertë.

Nuk e kontestoj se kjo ka mundur të bëhet ndryshe…. Çdo herë mund të zgjidhet një çështje ndryshe… Por, si njeri që ka marrë pjesë në mbledhje të Kryesisë së LDK, në asnjë formë nuk duhet të ndodhë konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare në këto ditë e muajt e ardhshëm. Kjo ka qenë esenca. Nuk ka pasur një fjalë të ligë për Kryetarin Daci në atë mbledhje.

E lusim kryetarin Daci që të flasë…

Nexhat Daci: Kryesia e LDK’së e ka pasur të drejtën e analizës së punës sime dhe të propozimit për zëvendësimin tim. Këtu është bërë një lëshim elementar. Nuk është njësoj të thuhet “ka marrë vendim” dhe të thuhet “ka propozuar”… Informata që është dhënë në Kryesi të LDK’së – nuk është e saktë. Kjo është thënë në të gjitha mjetet e informimit, në intervista, në prononcime…. Ajo që ka ngjarë në zyrën time, kur ka ardhur Eqrem Kryeziu, tashmë e dini, e keni lexuar në media. Të gjitha rrjedhat e mëtutjeshme e kanë demantuar këtë që e thonë se kjo ishte kërkesë e Zyrës më të Madhe Ndërkombëtare…. Eqremi është këtu…. Lajmi ka qenë për mua në mënyrë krejtësisht të hutueshme…. Dëgjoni… Kolë Berisha mua më bën ndër të më zëvendësojë. Nuk kam asgjë personale. Besoj se Kola është shëndosh e mirë dhe mund ta udhëheqë mirë Kuvendin. Nuk kontestohet kjo.

Por, më lejoni të lexoj një fjalë…

Çka arrihet me shkarkimin, largimin, zëvendësimin e Kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci? Çka fiton LDK si parti? A humb apo fiton në sytë e opinionit? A humb apo fiton në përkrahjen e elektoratit? A humb apo fiton te miqtë tanë ndërkombëtarë? Kush e inicoi këtë ndërrim? Si rrodhën procedurat? Si është legaliteti dhe legjitimiteti i këtij vendimi? Unë them propozimi, edhe pse në media është thënë vendim, por unë konsideroj se nëse ka nevojë, vendimi duhet të merret në Grupin Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës…. Pas vdekjes së Kryetarit Rugova, konsideroj se është kohë e shkurtër për ndërrime të këtilla… sidomos konsideroj se nuk kanë legalitet dhe legjitimitet ndërrimet e këtilla, nëse më parë nuk janë mbajtur zgjedhjet në të gjitha nivelet brenda LDK… Ne së bashku duhet të vlerësojmë se kur duhet dhe si duhet t’i bëjmë këto zgjedhje, për të fituar përkrahje për të gjithë ne e deri në atë kohë duhet të qëndrojmë të gjithë së bashku…. Shkarkimi im nga posti i Kryetarit te Kuvendit të Kosovës, detyrë kjo me përgjegjësi të madhe që si jeni shprehur vetë, LDK i ka dhënë dy vende ministrash për ta marrë vendin e Kryetarit të Kuvendit, për mua ishte i befasishëm dhe krejt i papritur. Aq më parë kur pikërisht në Kuvendin e Kosovës, jo shumë kohë më parë, kisha kaluar një votëbesim të iniciuar nga opozita dhe kisha pasur përkrahje shumë të fortë pikërisht nga ju të gjithë, nga partia ime, nga LDK… Pse ishte… si thuhet… shkarkimi im i befasishëm dhe i papritur? Sepse pa asnjë shenjë paraprake, pas kthimit nga pushimi i rekomanduar mjekësor, për të cilin e kisha njoftuar dhe ishte pajtuar Presidenti i Kosovës, në zyrën time erdhën dy nënkryetarët e LDK, zotërinjtë Eqrem Kryeziu dhe Naim Jerliu, dhe shumë ftoftë e pa asnjë hyrje më njoftuan se është marrë vendim për largimin tim nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Se kjo është punë e kryer dhe se këtë e ka kërkuar Zyra e Madhe dhe qendrat e fuqishme ndërkombëtare. Takimi mbahej në orën 13:00. Ata, për korrektësi të them, se Naim Jerliu fare nuk ka folur, ndërsa prezent në takim ishte edhe njeri nga dy këshilltarët e mi. Zotëri Eqrem Kryeziu më kërcënoi se nëse nuk largohem dhe nuk e ofrojë dorëheqjen, do të shkarkohem nga Kryesia e Lidhjes Demokratike, që do të mbajë mbledhje në orën 15:00. Kështu edhe ndodhi më vonë dhe kështu u njoftuan mediat, ndërsa unë një vendim e mora tek të nesërmen apo të pasnesërmen të nënshkruar nga tre nënkryetarët e LDK… Edhe dy nënkryetarëve u thashë, edhe tash po e përsëris, se unë e pranoj çdo vendim të partisë time. Edhe atëherë e thashë, edhe tash po e them, se dorëheqje asnjëherë nuk kam dhënë dhe asnjëherë nuk do të jap. Konsideroj se dorëheqja është akt i vullnetshëm, është akt individual dhe moral, dhe para se gjithash është akt vullnetar i bindjes, dhe jo akt i imponuar dhe i detyruar…. Kam konsideruar, dhe edhe tash konsideroj, se e gjithë mënyra nuk është as legale as e drejtë dhe as njerëzore. Aq më parë ndaj meje, që jam me juve jam qe 16 vjet, aq më parë që kemi dhënë së bashku kontribut, dhe aq më parë që puna ime është publike tash e mbi katër vjet dhe rezultatet janë të matshme. Nuk e shoh të drejtë e as si metodë demokratike brenda partisë tonë që ndonjë vendim të merret ku ta dijë se ku, por jo në mbledhje të rregullt as të Kryesisë, as të Grupit Parlamentar, as të Këshillit të Përgjithshëm. Që ky vendim së pari të komunikohet nga një apo dy veta befasishëm, e tek mandej të tentohet të kalojë nëpër organet dhe forumet e LDK, si u bë më vonë në Kryesi. Kësaj nuk mundet askush ti thotë se është demokratike, dhe po të bëhet praktikë do të nxisë punën klanore, do të forcojë oligarkinë, do t’i nxisë interesat joformal dhe në fund do ta shkatërrojë vetë LDK’në…Unë si Nexhat Daci do të respektoj çdo vendim që ju sot merrni. Ashtu sikur edhe të gjithë ju këtu, edhe unë kam veprën time të cilën e vlerësojnë të tjerët, por që unë mendoj se gjithë jetën kam punuar mirë dhe kam dhanë kontribut, në arsim e edukim në shkencë dhe së fundi edhe në politikë. Ka qenë dhe jam kreator dhe asnjëherë zbatues i verbër apo servil as i dogmave as i klaneve. Kam krijuar me punë të ndershme e të përkushtuar dinjitetin tim dhe autoritetin, personal, akademik dhe politik. Këtë e kam bërë në interes të popullit të Kosovës dhe nuk ka asnjë forcë që do të më ndalë në këtë rrugë…. Do ta vazhdojë punën time në të mirë të Kosovës, të ardhmes së saj… si i themi europiane… dhe në miqësi të përhershme me SHBA… Një pjesë të mirë të jetës dhe të punës e kam kaluar në LDK dhe dëshiroj ta përmbyll aktivitetin dhe jetën po në LDK… Pra, të jemi deri në fund së bashku. Shumë kemi sakrifikuar dhe jemi angazhuar së bashku, tash jemi pjesë e historisë më të lavdishme të Kosovës, dhe nuk ia lejoj vetes luksin, e besoj as ju, që sot të ndahemi… Së bashku e kemi nisur dhe së bashku të përfundojmë punën në pavarësimin e plotë të Kosovës, në krijimin e dinjitetit njerëzor dhe kombëtar për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur…. Më falni, ndoshta u zgjat pak kjo fjala ime, por disa planifikime ishin të nevojshme… Ju falemnderit…

Alush Gashi: Falmnderit, Kryetar… Më duhet ta përsëris edhe një herë… Kryesia e LDK’së nuk ka marrë vendim për shkarkim të Kryetarit Daci. Në analizë të rrethanave, siç e patë ju dhe shumë të tjerë, pas vdekjes së Presidentit Rugova, ne i kemi marrë dy vendime. Pasi që nuk e kemi forcën dhe autoritetin që ka pasur i ndjeri Presidenti Rugova, ato vendime sa dimë i bëjmë me vota… Ne nuk kemi marrë vendim për ta dëmtuar askënd. Unë jam i bindur se zëvendësimi duhet të bëhet me marrëveshje sot… Jam i bindur se zëvendësimi duhet të bëhet… që Nexhat Daci të zëvendësohet me Kolë Berishën… me krejt mbështetjen që e ka pasur nga ky Grup Parlamentar. Ne kemi thënë se për Dacin kemi shumë respekt. Ne si GP kemi marrë vendim që në Kryesi të LDK’së të kundërshtohet ajo që e ka bërë Partia ORA… Ju e dini se kemi shumë respekt për punën tuaj, për qasjen njerëzore, si mik, si profesor, unë do t’ju kisha lutur që debati të zhvillohet në parti për të gjitha çështjet që ju i konsideroni se duhet të flitet… Ne këtu duhet ta vazhdojmë punën se bashku…. Jam i bindur se është më mirë… E di që ka edhe shumë mënyra të tjera për ta bërë këtë, por është zgjedhur kjo. Jo votë për t’ju shkarkuar juve Kryetar… Jam i bindur se do të ishte mirë që ju t’ia jepni mbështetjen këtij vendimi, që së bashku ta komunikojmë për opinion se krejt GP e vlerëson punën e Dacit, se nuk është kërkuar shkarkimi i Dacit… Atë që u tha…. Lojtari më i mirë del prej loje, në gjysmën e lojës, por hyn në lojën tjetër… dhe bëhet kapiten ndoshta në lojën tjetër… GP ka të drejtë të komentojë dhe këtu të votohet, kjo s’është kontestuese…. Me respektin më të madh dhe duke e ditur se ju e dini peshën e momentit, të gjithë së bashku do të flasim në parti…Unë e di sa e ndjeshme është kjo çështje… Një votë mangut, na bën dëm të gjithëve…Unë do ta kisha lutur Kryetarin që të gjejë forcë që mos të kërkojë të votojmë….

Nexhat Daci: Politikën e LDK’së e bën Këshilli i Përgjithshëm. Ai ka legalitet dhe legjitimitet. Le të ndiqet procedura. Nuk e kam plan që ta ndaj GP. Por, le të ndiqet procedura deri në fund, siç kërkohet. Po patët forcë që ta ktheni vendimin në parti dhe ta thërrisni Këshillin e Përgjithshëm, nuk debatohet. Shkojmë atje…

Alush Gashi: Zëvendësimi pritet të bëhet nëse ju e pranoni lutjen që të mos e shtyjmë GP të dëmtohet, kjo punë kryhet menjëherë. Nëse ju me plotë të drejtë mund të kërkoni që GP të deklarohet përmes votës, edhe atë punë e bëjmë…

Nexhat Daci: Thashë që t’u hyjmë procedurave…. Në atë moment që kryhen procedurat, i them Kolës që le ta vazhdojë punën….

Besa Gaxherri: Këto që thatë, deri tash, në formën qysh e shtruat, thatë se është bërë një zëvendësim… Ne nuk kemi qenë në Kryesi të LDK’së, në mbledhje, nuk e dimë atë vendim… herë po thuhet shkarkim, herë zëvendësim, faqja e zezë… Në këtë moment kemi dy kolegë shumë të nderuar përpara, dy njerëz shumë të respektuar… Po i nemi ata që kanë menduar të na sjellin në këtë pozitë… Do të kërkoja që ky zëvendësim të arsyetohet pak më fuqishëm – pse duhet të bëhet. Na i thoni arsyet. Njerëz jemi. T’i shohim arsyet….

Alush Gashi: Sqarimet janë dhënë disa herë… mund t’i japim prapë…

Besa Gaxherri: Nëse sot është në gjendje të na dokumentojë Kryesia e LDK’së, ose ata persona që morën këtë vendim, se bëhet fjalë për faktorin ndërkombëtar, le të thuhet. Ai që nuk është në gjendje të sakrifikojë për faktorin ndërkombëtar, kjo s’do koment. Nëse bëhet fjalë për këtë, e përkrahim. Por, nëse kjo nuk arsyetohet fuqishëm, me fakte, ne tërhiqemi. Ne e kemi marrë këtë vendim….

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat