Tridhjetë vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990

Opinione

Tridhjetë vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990

Hamza Halabaku Nga Hamza Halabaku Më 2 korrik 2020 Në ora: 09:35
Delegatët

A nuk duhet deputetët e sotëm të reflektojnë për të ardhmen, duke kujtuar aktin guximtar e kombëtar të 2 korrikut 1990 e më vonë të paraardhësve të tyre që e miratuan Deklaratën Kushtetuese, e cila në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Po mbushen plot tridhjetë vite nga dita e 2 korrikut të vitit 1990 kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese, e cila në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Ishte kjo një ngjarje tejet e rëndësishme në mozaikun e historisë tonë më të re kombëtare që pa dyshim ka shënuar një kapitull të ri në histori, duke hapur një rrugë të re për pavarësinë e Kosovës.

Edhe pse këtyre delegatëve nuk iu lejua hyrja në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, të cilin e kishin bllokuar forcat policore serbe, ata para ndërtesës së Kuvendit e miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova shpallej njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës së Jugosllavisë.

Me këtë akt të guximshëm politiko-juridik Kosova u shkëput nga Serbia, ku padrejtësisht e kishin bashkëngjitur në vitin 1945 dhe vetëm pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 kishte frymuar pak më ndryshe edhe si element konstituive i Federatës të atëhershme  jugosllave. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 anulonte edhe ndryshimet e dhunshme kushtetuese që Serbia i kishte bërë një vit më herët, duke e lënë Kosovën pa asnjë atribut të shtetësisë.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, të cilën më vonë mësova se e kishte hartuar akademiku Gazmend Zajmi, ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe.

Kërkesa për pavarësinë e Kosovës në atë kohë, nuk ishte vetëm një akt formal politik, por shumë më tepër ishte guxim dhe sakrificë për të realizuar një ëndërr të kamotshme shqiptare, për të cilën ishte investuar mund i madh brez pas brezi. Në opinion doli një akt politiko-juridik që ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për të vendosur vet mbi fatin e tyre, një kërkesë për një drejtësi të mohuar të shqiptarëve këndej kufirit administrativ të Shqipërisë së vitit 1912.

Unë atë ditë isha njëri prej protagonistëve të zhvillimit të asaj ngjarje. Një privilegj i madh për mua që atë ditë ishte pozita e ndihmës sekretarit të Kuvendit të Kosovës, detyrë kjo që e ushtroja atëbotë, e cila më mundësoi që të jem dëshmitar i tërë asaj që ndodhi para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, por edhe i disa zhvillimeve brenda ndërtesës.

Mbledhjes historike të 2 korrikut 1990 të legjislaturës së Kuvendit të Kosovës, të konstituuar më 4 dhjetor 1989, i paraprinë disa zhvillime të bujshme në Kosovë, por edhe disa seanca maratone të Kuvendit, me debate të ashpra. Ndasia në organin më të lartë legjislativ të Kosovës ishte evidente. Në njërën anë ishin përfaqësuesit e popullit që mbronin interesin e Kosovës, ndërsa në anën tjetër ishin ithtarët dhe përkrahësit e politikës hegjemoniste e serbomadhe të Serbisë së udhëhequr  nga Sllobodan Milosheviqi. Kishte obstruksione të paimagjinueshme, bllokim të foltores për disa deputetë në sallën ku mbaheshin mbledhjet, pastaj ndalje të energjisë elektrike dhe fikje të dritave në sallë, deri te britmat dhe ulërimat e deputetëve që përfaqësonin korin antishqiptar. Forcat e shumta policore, me dhe pa uniformë, silleshin rreth e përqark ndërtesës së Kuvendit, në garazhin e Kuvendit, si dhe në brendinë e ndërtesës së tij.

Edhe në ditën e 2 korrikut 1990 ishte situatë e nderë, gati eksplozive. Delegatët (deputetët në vështrim të sotëm) ishin të vendosur: “Do ta bëjmë punën tonë”. Ne që punonim në shërbimin profesional ishim po ashtu njësoj si ata të vendosur. Nuk na zmbrapste presioni dhe atmosfera policore e as presioni nga kryetari obstruksionist i Kuvendit të Kosovës, Gjorgje Bozhoviq. Thënë shkurt, ishim shumë të gatshëm për të ofruar shërbimet profesionale për delegatët tanë, madje edhe për t’i nxitur dhe inkurajuar që të qëndrojnë të fortë në detyrën dhe misionin e tonë për të prezantuar dhe mbrojtur vullnetin e popullit shqiptar.

Një inkurajim dhe ndihmë morale aso kohe erdhi edhe nga formimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës e përqafuar dhe e përkrahur nga gati gjithë populli i Kosovës. Pa vonuar shumë ne vumë urat e bashkëpunimit me LDK-në e Ibrahim Rugovës me kontaktet tona më të shpeshta me veprimtarët e dalluar të saj, Prof. Dr. Fehmi Aganin, Jusuf Buxhovin edhe me të tjerë, e kështu me radhë, kontakte këto që realizoheshin nëpërmjet, Shaban Brunçajt, që ishte njohës shumë i mirë i sistemit juridik dhe politik të Jugosllavisë së atëhershme dhe njëri nga juristët më të mirë që asokohe kishte Kuvendi i Kosovës.

Si u zhvillua mbledhja dhe cila ishte përmbajtja e Deklaratës Kushtetuese

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, ndonëse e miratuar jashtë objektit të Parlamentit, por para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore serbe, ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës. Ky akt si pikënisje e hapit institucional për pavarësimin e Kosovës, do të ndërlidhet me të gjitha ngjarjet që do të ndodhin më pas, deri në shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës me garanci për njohje ndërkombëtare më 17 shkurt të vitit 2008.
Më kujtohet si sot ajo ditë e 2 korrikut 1990, kur pikërisht në orën 12,25 në platonë para hyrjes së ndërtesës të Kuvendit të Kosovës, heshtjen e theu delegati Bujar Gjurgjeala. Me një zë të kumbueshëm, zë trimi e burri, ai iu drejtua delegatëve:

“Të nderuar delegatë po fillojmë mbledhjen VIII të përbashkët të të gjitha dhomave të Kuvendit të Kosovës. Një grup delegatësh propozoi që unë ta kryesoj këtë mbledhje”.

A pajtoheni me këtë propozim?

Të gjithë delegatët e pranishëm me ngritje dore dhe duke pohuar edhe me zë miratuan propozimin e grupit të delegatëve që Bujar Gjurgjeala ta kryesoi mbledhjen e përbashkët të të gjitha dhomave të Kuvendit të Kosovës.

Bujar Gjurgjeala konstatoi se Kuvendi mund të miratojë vendime të plotfuqishme pasi që prezent është numri i mjaftueshëm i delegatëve i paraparë me Kushtetutë për marrjen e vendimeve për aktet që do të propozohen në rendin e ditës.
Pas miratimit të rendit të ditës për këtë mbledhje të mbajtur para hyrjes së ndërtesës së Kuvendit, ku ishin paraparë pesë pika, u hap debat për secilën pikë veç e veç. Pika e pestë e rendit të ditës për këtë mbledhje ishte: DEKLARATA KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI E PAVARUR DHE E BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KOFEDERATË)

Deklaratën Kushtetuese e lexoi delegati i Dhomës së Punës së Bashkuar, Muharrem Shabani. Përmbajtja e deklaratës së lexuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ishte kjo:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anë e mbanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpall:

DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI E PARAVRUR DHE E BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË  (KONFDERATË)

Me këtë Deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

Ky Kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

Ky Kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko - kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerik në Jugosllavi, njësoj si dhe serbët dhe popujt e tjerët në Kosovë konsiderohen popull - komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç´rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikoi publikisht me këtë emër duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është vetëm si Kosovë.

Pasi Muharrem Shabani përfundoi leximin e tekstit të Deklaratës Kushtetuese, prej pesë pikësh, kryesuesi i mbledhjes, Bujar Gjurgjeala, pyeti se a pajtoheshin delegatët me këtë tekst të deklaratës së lexuar. Të gjithë delegatët ngritën duart në shenjë pranimi (votimi). Më pas shpërtheu një duartrokitje nga të gjithë të pranishmit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e përbashkët e të gjitha dhomave të Kuvendit të Kosovës e datës 2 korrik 1990 përfundoi në orën 12:45.

Delegatët po shpërndaheshin pas mbledhjes, kurse unë u ktheva në zyrën time. Aty ishin duke më pritur, Shaban Brunçaj, si dhe personeli i Byrosë së sekretarit, ku unë isha shef i atij shërbimi. Pasi e përgatitëm procesverbalin, redaktuam tekstin e Deklaratës Kushtetuese dhe hartuam një shkresë përcjellëse, unë Deklaratën e dërgova në „Gazetën zyrtare“ të Kosovës. Dërgimin e bëra personalisht, jo me anë të postës. Të nesërmen doli nga shtypi numri i posaçëm i “Gazetës Zyrtare të KSA të Kosovës” Nr. 21/ 90 që e publikoi vetëm Deklaratën Kushtuese në të dy gjuhët dhe kështu kjo deklaratë historike dhe legjitime hyri në sistemin juridiko kushtetues jo vetëm të Kosovës, por edhe në atë të Jugosllavisë.

Serbia ishte e vetëdijshme se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 shënonte njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe tri ditë më vonë, më 5 korrik, vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, që nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri te të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

Deputetët e sotëm duhet nganjëherë të kthejnë kokën edhe nga e kaluara

Sot 30 vjet pas atij akti të rëndësishëm politik që ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për të vendosur për fatin e vet, fascinon veprimi i atyre përfaqësuesve të popullit, të cilët sakrifikuan shumë duke rrezikuar jo vetëm të ardhmen e tyre individuale, por edhe jetën për ta jetësuar një aspiratë të popullit. Po përfaqësuesit e sotëm të popullit çka bëjnë dhe si sillen, a janë në shërbim të popullit që i ka votuar apo të oligarkëve të ndryshëm që sot kanë zaptuar parti politike, institucione dhe asociacione të ndryshme. Komenti mbase duket i tepërt.   

Sot deputetët shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me ndonjë përjashtim të vogël, “luftën” e kanë me njëri-tjetrin me plotë gojën demokraci dhe mirëqenie për popull, por në të vërtetë ata me atë sjellje dhe me gjuhën denigruese veprojnë kundër interesit të popullit e të Kosovës. Nuk di cili është ai popull që diskutimet e përfaqësuesve të vet i dëgjon esëll, pa atë miopinë e indoktrinuar partiake, që mund të krenohet me të zgjedhurit e vet sot.

Mendoj që shumica absolute e popullit shqiptar të Kosovës dëshiron që në sallën ku zhvillohen seancat plenare, po edhe në forumet e tjera, të Kuvendit të Kosovës, të dëgjojnë fjalime konstruktive të përfaqësuesve të vet e jo sharje e ofendime në mes të njëri-tjetrit e diskutime që i përçajnë ata e edhe popullin e Kosovës.

Nuk duhet të harrojmë se krijimi i shtetit të Kosovës, falë luftës së UÇK-së dhe ndihmës së miqve ndërkombëtarë, është e arritura më e madhe historike e kauzës tonë kombëtare në këtë shekull, ndonëse janë shumë çështje, të cilat nuk shkuan në rrjedhën e dëshiruar as të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës dhe as të neve që ndryshe e paramendonim Kosovën pas çlirimit. Ndodhi kështu, ngase çlirimi nuk e solli lirinë, pra procesi i lirisë mbeti i papërfunduar. Ndër penguesit e kësaj lire janë edhe një pjesë e madhe e atyre që uzurpuan pushtetin dhe e keqpërdorën atë kredibilitetin jo vetëm të tyre, por edhe të atyre që u flijuan për çlirimin e vendit, duke u shndërruar nga njerëz që do të duhej të ruanin meritat, në dëmtues të këtij procesi, me veprime që sot nga populli identifikohen si plaçkitës e zhvatës të shtetit të Kosovës, nxitës ose edhe pjesëtarë të grupeve kriminale.

Mendoj që për çështjet madhore, të cilat edhe analistët, gazetarët, redaktorët, po edhe deputetët i dinë më mirë se unë, duhet të jenë unikë, ata të parët të harrojnë për kë punojnë, ndërsa deputetët duhet ta ndiejnë pulsin e frymëmarrjes së popullit, këtë e kanë edhe obligim. Mjaftë kemi vuajtur nën këmbën e atyre që nuk na e kanë dashtë dje e nuk po na e donë as sot të mirën.

Deputetët e sotëm duhet të reflektojnë, të shikojnë përpara, në të ardhmen, por është mirë nganjëherë të kthejnë kokën edhe nga e kaluara, sepse kanë çka të mësojnë edhe nga delegatët (deputetët) që miratuan Deklaratën Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që po quhet Kushtetuta e Kaçanikut, si dhe shumë akte të tjera të rëndësishme që krijuan me mund e sakrifica të mëdha bazën e shtetit tonë të sotëm.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat